|

Search
Close this search box.

Projekt i realizuar nga:

drejtesiasot.com justice today drejtesia sot rolpik.org website logo

Vazhdon paraqitja e mbrojtjes së të akuzuarve në rastin ‘Subvencionet 1’

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë është mbajtur seanca e shqyrtimit gjyqësor në rastin ‘Subvencionet 1’, ku Luan Statovci, Sadat Shkodra, Salih Statovci, Berat Nika, Hasan Maxharraj, Kushtrim Zogaj, Jeton Sylaj, Lulzim Hajdaraj, Musa Nivokazi, Almir Abdurrahmani, Afrim Abazaj dhe Florim Nimanaj akuzohen nga Prokuroria Speciale, për kryerjen e veprave penale “Marrje ryshfeti”, “Keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar”, dhe “Mashtrim me subvencione”.

Në seancën e sotme mbrojtjen e ka vazhduar i akuzuari Sadat Shkodra.

Në pyetjet e mbrojtësit të tij, avokatit Skënder Musa, i akuzuari Shkodra deklaroi se ka punuar si Zyrtar për Pagesa Direkte deri në vitin 2021, ndërsa të akuzuarin Kushtrim Zogaj deklaroi se e njeh si zyrtar komunal, mirëpo nuk është takuar asnjëherë me të dhe nuk i është dhënë asnjëherë para në formë ryshfeti për fermerin Dukagjin Mavraj.

Për punën e tij Shkodra deklaroi se e gjitha ka qenë teknike dhe nuk ka pasur mundësi ti ndihmojë askujt edhe nëse ka dashur vetë ai, pasi nuk ka pasur kompetencë për subvencione, pagesa etj.

Të akuzuarit në mbrojtjen e tij iu paraqitën edhe fotografi rreth zyrës së tij dhe identifikimit të personave për të cilët akuzohet se ka marrë para ryshfet.

Ndërsa lidhur me konfiskimin e gjësendeve, i akuzuari deklaroi se i është konfiskuar telefoni dhe një shumë prej 2 mijë euro, e të cilat kanë qenë të bashkëshortes së tij, poashtu vetura Golf 5, si dhe 2.25 ari tokë në emër të tij, pronë në Hajvali.

Lidhur me interesimin rreth lëndëve të fermerëve, në pyetjen e prokurorit special Rafet Halimaj, Shkodra theksoi se ka pasur mundësi të interesohet vetëm sipas detyrës zyrtare.

Në vazhdim të seancës, në pyetjet e prokurorit Halimaj lidhur me SMS-ët me të akuzuarin Luan Statovci, i akuzuari Sadat Shkodra dhe mbrojtja fillimisht kërkuan të shohin videot dhe audiot, duke marrë parasysh që të njëjtat ishin të transkriptuara, meqë rast trupi gjykues vendosi që i akuzuari të përgjigjej me aq sa dine bazuar në transkriptat, por i akuzuari Shkodra deklaroi se nuk e dine nëse ka qenë ai që ka zhvilluar bisedat në fjalë me të akuzuarin tjetër Luan Statovci.

Seanca e radhës e shqyrtimit gjyqësor do të mbahet me datë 4 korrik 2024, nga ora 09:30.  

Aktakuza e ndryshuar më 4 prill 2022 nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ngarkon

Luan Statovcin, Sadat Shkodra, Salih Statovci, Berat Nika, Hasan Maxharraj, Kushtrim Zogaj, Jeton Sylaj, Lulzim Hajdaraj, Musa Nivokazi, Almir Abdurrahmani, Afrim Abazaj dhe Florim Nimanaj me veprat penale “Marrje ryshfeti”, “Keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar”, “Mashtrim me subvencione”, e të tjera.

Ndërsa, më 19 prill 2022 Gjykata Themelore në Prishtinë kishte shpallur aktgjykim dënues ndaj shtatë të akuzuarve në rastin “Subvencionet 1”, Alban Bushati, Kastriot Berisha, Bekim Shala, Flamur Zeqiri, Habibe Dauti, Dukagjin Mavraj dhe Daut Kabashi, duke i dënuar me 6 vite e 1 muaj burgim dhe 2 mijë euro gjobë, të cilët kishin pranuar fajësinë për kryerjen e veprës penale për të cilën akuzohen.

Shënim: Të akuzuarit e përmendur në këtë postim konsiderohen të pafajshëm derisa të

vërtetohet fajësia e tyre me aktgjykim të formës së prerë të gjykatës.

Monitoruar nga: Leotrim Pajaziti

Facebook
Pinterest
LinkedIn
Twitter