|

Search
Close this search box.

Projekt i realizuar nga:

drejtesiasot.com justice today drejtesia sot rolpik.org website logo

Përfundon gjykimi kundër ish kryetarit të komunës së Malishevës për Zonën Ekonomike të Malishevës

Në Gjykatën e Prishtinës me datë 5 korrik, 3 vite pas ngritjes së aktakuzës, ka prekur fundin gjykimi i rastit të njohur si Zona Ekonomike e Malishevës ku ish-kryetari i Komunës së Malishevës Ragip Begaj, Hajdin Berisha, Bashkim Krasniqi, Malë Krasniqi, Bajram Hasani, Nazmi Kafexholli, Faton Thaqi dhe Ahmet Rrahmanaj akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare, shpërlarje të parave dhe mashtrim.

Trupi gjykues që trajton këtë rast përbëhet nga gjyqtarët e Departamentit Special me Vesel Ismailin si kryetar dhe anëtarët Violeta Namani dhe Rrahman Beqiri. Ndërsa nga radhët e  Prokurorisë Speciale lëndën e përfaqëson Naim Abazi.

Kështu në seancën e së premtes u dhanë fjalët përfundimtare nga ana e mbrojtjes.

Fillimisht fjalën e mori avokati Rrahman Kastrati i cili në këtë procedurë mbron të akuzuarin Ragip Begaj. I njëjti gjatë elaborimit të fjalës përfundimtare theksoi se sipas tij, Prokurori nuk ka arritur të provojë se i akuzuari Begaj ka kryer veprat për të cilat akuzohet. Tutje, ai shtoi se nuk ka asnjë provë që provon se Begaj ka pasur ndonjë kontakt me tani të ndjerin M.H. Si përfundim avokati Kastrati tha se nuk është konsumuar asnjë element i veprave penale për të cilat i mbrojturi i tij akuzohet andaj i propozoi trupit gjykues që të nxjerrë aktgjykim lirues.

Ndërkaq avokati Haki Kryeziu, mbrojtës i të akuzuarit Hajdin Berisha, e dorëzoi fjalën përfundimtare me shkrim dhe nuk e elaboroi fare kurse shtoi se i qëndron prapa fjalës përfundimtare të parafolësit.

Përndryshe elaborimin e fjalës përfundimtare e bëri avokati Ramadan Paqarizi i cili mbron të akuzuarin Bashkim Krasniqi. I njëjti tha se gjatë shqyrtimit gjyqësor është vërtetuar se aktakuza është e pabazuar e se provat e propozuara në këtë aktakuzë nuk përbëjnë bazë mbi të cilën mund të mbështetet dyshimi i bazuar mirë se i mbrojturi i tij ka kryer veprën për të cilën akuzohet. Në fund i njëjti propozoi që i mbrojturi i tij të lirohet nga këto akuza.

Tutje fjalën e mori mbrojtësi i të akuzuarit Malë Krasniqi, avokati Emrush Kastrati. Ky i fundit tha se i mbrojturi i tij nuk ka tejkaluar asnjë kompetencë në kuadër të detyrës së tij zyrtare e se asnjë provë nuk i inkriminon veprimet e tij. Trupit gjykues, avokati Kastrati, i propozoi që të mbrojturin e tij ta lirojë nga akuzat në mungesë të provave.

Në vazhdim fjalën përfundimtare e dha avokati Ymer Huruglica i cili mbron të akuzuarin Bajram Hasani. Avokati Huruglica po ashtu propozoi që i mbrojturi i tij të lirohet nga akuzat pasi sipas tij nuk është provuar se ka kryer veprën penale për të cilën akuzohet.

Imer Beka, avokati i Faton Thaqit, gjatë elaborimit të fjalës përfundimtare tha se nuk është vërtetuar se i mbrojturi i tij ka pasur miqësi me të ndjerin M.H si dhe se provat e propozuara e të administruara nuk janë të mjaftueshme për të dënuar të mbrojturin e tij.

Ndërkaq, me shkrim dhe pa elaborim e dorëzoi fjalën përfundimtare Agron Kajtazi, avokati i të akuzuarit Nazmi Kafexhiu. Kurse si përfundim avokati Bekim Kryeziu i cili mbron të akuzuarin Ahmet Rrahmanaj tha se nuk ka vepër penale ndaj këtij të fundit e kështu gjykatës i propozoi që ta liroj nga akuzat.

Shpallja e aktgjykimit për këtë çështje penale do të bëhet me datë 11 korrik në orën 11 e 30.

Sipas aktakuzës së PSRKS-së të ngritur më 1 korrik 2021, Ragip Begaj, Hajdin Berisha, Bashkim Krasniqi, Malë Krasniqi, Bajram Hasani, Nazmi Kafexholli dhe Faton Thaqi, akuzohen se kanë kryer veprën penale të “Keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Ahmet Rrahmanaj, akuzohet për veprën penale “Shpëlarje e parave”, ndërsa Nazmi Kafexholli akuzohet edhe për veprën penale “Mashtrim”.

Sipas aktakuzës, Begaj akuzohet se në cilësinë e kryetarit të Komunës së Malishevës, në bashkëkryerje me ministrin e atëhershëm të Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Hasani dhe zëvendësministrin e kësaj ministrie, Faton Thaqi duke shfrytëzuar pozitën e tyre zyrtare me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore, kanë mundësuar shpronësimin në zonat kadastrale Banjë, Bellanicë dhe Senik, duke e shpallur zonë me interes të veçantë.

Sipas aktit akuzues, Bashkim Krasniqi në cilësinë e drejtorit për Gjeodezi dhe Kadastër, Malë Krasniqi në cilësinë e shefit të shërbimeve të Gjeodezisë, Hajdin Berisha në cilësinë e nënkryetarit të komunës dhe Faton Thaqi në cilësinë e zëvendësministrit, akuzohen se në bashkëkryerje nga periudha kohore 22 maj 2018 deri më 5 qershor 2018, varësisht nga pozitat, kanë shfrytëzuar autoritetin zyrtar, duke tejkaluar kompetencat e tyre kanë mundësuar shpalljen e zonës me interes të veçantë ekonomik me qëllim të themelimit të Zonës Ekonomike në Komunën e Malishevës, në zonat kadastrale Banjë, Bellanicë dhe Senik në mënyrë që të vazhdohej me procedurat e shpronësimit.

Tutje në aktakuzë thuhet se i akuzuari Malë Krsaniqi, pasi e kishte ditur për krijimin e Zonës Ekonomike, kishte blerë pronë në zonat kadastrale Banjë dhe Lladrovc me çmim prej 25 euro për ari, duke qenë në dijeni se këto prona do të shpronësohen nga Qeveria e Kosovës, e ku çmimi do të ishte shumë më i lartë.

Sipas aktakuzës i akuzuari Nazmi Kafexholli, akuzohet se në cilësinë e inspektorit në Agjencinë e Pyjeve të Kosovës, duke qenë në dijeni për krijimin e Zonës Ekonomike, dhe me qëllim që t’i rrit vlerën tokës, kishte marrë me qera pronën e të ndjerit M.H. ku kishte ngritur pemishte për çka kishte përfituar edhe grante nga Ministria e Bujqësisë.

Tutje, sipas aktit akuzues, Ahmet Rrahmanaj nga viti 2007 deri më 2013 në vazhdimësi duke e ditur se parcelat e tokës në pronësi shoqërore janë blerë dhe krijuar me aktivitete kriminale, ka transferuar dhe njëkohësisht ka tentuar të transferojë pronat me qëllim të fshehjes apo maskimit të natyrës dhe shmangies nga pasojat juridike.

Në aktin akuzues thuhet se Rrahmanaj, ka privatizuar pronat e “Neëco Mirusha” tokë bujqësore në zonat kadastrale Banjë, Bellanicë dhe Senik në Komunën e Malishevës me çmim artificialisht të ulët 1,222,333.00 euro sipërfaqe prej 1,157 hektarë e 51 ari për 99 vite, për këtë i akuzuari më 11 korrik 2013 ka bërë bartjen e tokës në emër të personit tani të ndjerë M.H. si përfitues i tokës në sipërfaqe prej 203 hektar e 11 ari, ku për këtë transaksion, të akuzuarit i ishin transferuar 200 mijë euro në llogari bankare, mirëpo të njëjtat ia kishte kthyer të ndjerit M.H. dhe gjithë kjo ishte bërë me qëllim të kinse shitblerjes që kishte ndodhur në vitin 2007.

Shënim: Të akuzuarit e përmendur në këtë postim konsiderohen të pafajshëm derisa të vërtetohet fajësia e tyre me aktgjykim të formës së prerë të gjykatës.

Monitoruar nga: Aulona Alaj

Facebook
Pinterest
LinkedIn
Twitter