Sot me datë 24 Korrik 2024, në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamentin Special, me trup gjykues: Kryetar i trupit gjykues Ngadhnjim Arrni dhe anëtarët e trupit gjykues Lutfi Shala, Mentor Bajraktari, është shpallur aktgjykim lirues në rastin e njohur si Stenta 2 – Pjesa e vecuar.
Në aktgjykimin e shpallur nga kryetari i trupit gjykues, gjyqtari Ngadhnjim Arrni, u theksua se me veprimet e të akuzuarve nuk është provuar se kanë kryer veprat penale, sic ngarkoheshin nga Prokuroria Speciale, dhe rrjedhimishtë, konform dispozitave të nenit 363 të Kodit të Procedurës Penale, të njejtit Gjykata i liroi nga akuza.
Kryetari i trupit gjykues, theksoi se shpenzimet e procedurës bien në mjetet buxhetore të gjykatës, ndërsa palët e pa kënaqura me vendimin, me ankesë mund t’i drejtohen Gjykatës së Apelit, përmes Gjykatës Themelore.
Sipas aktakuzës, të akuzuarit e rastit “Stenta 2”, Ferihane Sefa, Ferid Susuri, Murat Abazi, Elfedin Muhaxheri, Nexhmi Zeqiri dhe Masar Gashi së bashku me shumë mjekë të tjerë, akuzohen se kanë keqpërdorur pozitën dhe autoritetin zyrtar.
Sipas aktakuzës së PSKR-së, ekziston dyshimi i bazuar mirë se nga 1 janari 2011 e deri më 31 dhjetor 2015, duke vepruar në bashkëkryerje nga pozita e mjekëve në SHSKUK, kanë keqpërdorur pozitat dhe autoritetin e tyre zyrtar, në atë mënyrë që duke i tejkaluar kompetencat e tyre si anëtarë të komisioneve konziliare të Klinikës së Kardiologjisë, me dashje dhe dijeni ua kanë lëshuar letrat referuese për trajtim jashtë institucioneve publike shëndetësore së paku 233 persona edhe pse të njëjtit i kishin kryer trajtimet mjekësore.
Sipas aktakuzës, një gjë e tillë ishte bërë që personave në fjalë t’ua mundësonin kompensimin e shpenzimeve nga Ministria e Shëndetësisë për trajtim mjekësor në institucione private edhe pse, siç thotë aktakuza, në bazë të nenit 53 të Ligjit mbi Shëndetësinë, Nr.2004/04, të 19 shkurtit 2014 dhe neneve 16 dhe 25 të Ligjit për Shëndetësinë Nr.04/L-125 të 13 dhjetorit 2012, letrat referuese duhej t’u lëshohej pacientëve në momentin kur konstatohej se pacientët nuk kishin mundësi të trajtoheshin brenda sistemit publik shëndetësor.
Me këto veprime të të akuzuarve, PSRK pretendon se dëmi që i është shkaktuar buxhetit të Kosovës është 4,555,553.00 euro. Megjithatë në bazë të një plotësim ekspertize e cila sot është lexuar në kuadër të provave materiale, eksperti financiar ka konkluduar në ekspertizë që dëmi total i shkaktuar në fakt paska qenë vlera 11,430.00 Euro.
Po ashtu, aktakuza i ngarkon mjekët në rastin “Stenta 2” se kanë keqpërdorur pozitën zyrtare dhe kanë marrë ryshfet, ashtu që, në vend se pacientët që kanë shkuar për kontroll në institucione publike shëndetësore, t’i referonin në njësinë kompetente invazive në Klinikën Kardiologjike në SHSKUK në Prishtinë, të njëjtit pacientët i kanë referuar në spitale private dhe për këto veprimet kanë marrë ryshfet.
Sipas aktakuzës, për çdo pacientë që e dërgonin për vendosjen e stentave, merrnin nga 500 euro ryshfet, ndërsa për koronarografi merrnin nga 150 euro ryshfet.
Këto veprimet të tyre, sipas PSRK-së, të akuzuarit i kishin kryer në bashkëpunim me të akuzuarit që tashmë janë të përfshirë në rastin “Stenta 3”, ku janë kryesisht pronar e mjekë të spitaleve private.
Shënim: Të akuzuarit e përmendur në këtë postim konsiderohen të pafajshëm derisa të vërtetohet fajësia e tyre me vendim të formës së prerë.
Monitoruar nga Arton Hoxha