Në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamentin Special, sot me datë 16.09.2024 me trup gjykues: Kryetar i trupit gjykues, gjyqtari Arben Hoti dhe anëtarët e trupit gjykues, gjyqtarët Valon Kurtaj, Kushtrim Shyti, është bërë shpallja e aktgjykimit ndaj të akuzuarve: Shaip Ferizi, Mexhid Mustafa, Ajdar Jashari, Shqipe Avdiu, Arben Jashari, Mustafë Vitia, Besnik Ferizi, Faton Topanica dhe Arsim Topanica, të cilët po akuzohen për Krim të organizuar lidhur me veprën penale ‘Shpërdorim të detyrës zyrtare dhe Shmangie mashtruese nga pagesat e detyrimeve’.
Kryetari i trupit gjykues, gjyqtari Arben Hoti, ka bërë shpalljen e aktgjykimit, ku të pandehurit: Shaip Ferizi, Shqipe Avdiu dhe Arben Jashari janë shpallur fajtor për veprën penale ‘Keqpërdorim i autorizimeve në ekonomi’ nga neni 236 par 1 dhe par 1.1 të Kodit të Përkohëshem të Republikes së Kosoves.
Ndërsa, të pandehurit: Mustafë Vitia, Mexhid Mustafa, Lulzim Gashi, Besnik Ferizi, Faton Topanica, Arsim Topanica dhe Ajdar Jashari janë shpallur fajtor për veprën penale ‘Keqpërdorim i autorizimeve në ekonomi’ nga neni 236 par 1 dhe 2, lidhur me nenin 25 të kryer në ndihmë.
Tutje, Gjykata të pandehurit Shaip Ferizi, i ka shqiptuar dënim me burgim në kohëzgjatje prej 2 viteve, në të cilin dënim do i llogaritet koha e kaluar në paraburgim dhe arrest shtëpiak;
Të pandehures Shqipe Avdiu, gjykata i ka shqiptuar dënim me burgim në kohëzgjatje prej 1 viti, në të cilin dënim gjtihashtu do i llogaritet koha e kaluar në paraburgim dhe arrest shtëpiak;
Të pandehurit Arben Jashari, gjykata i ka shqiptuar dënim me burgim në kohëzgjatje prej 2 viteve, në të cilin dënim gjtihashtu do i llogaritet koha e kaluar në paraburgim dhe arrest shtëpiak;
Ndërsa të pandehurëve: Faton Topanica, Arsim Topanica dhe Besnik Ferizi, gjykata ju ka shqiptuar dënim me burgim në kohëzgjatje prej 1 viti e 6 muaj;
Të pandehurve: Ajdar Jashari, Mexhid Mustafa dhe Mustaf Vitia, gjykata ju ka shqiptuar dënim me burgim, në kohëzgjatje prej 9 muajë, ku në këto dënime ju llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim dhe arrest shtëpiak;
Gjithashtu, Gjykata ka njoftuar se Doganen e Kosovës si e dëmtuar në këtë rast, për realizimin e kërkesës pasuroro-juridike, udhëzohet në kontekst të rregullt civilo juridik.
Sipas aktgjykimit, të pandehurit për shpenzimet në procedurë penale në emër të paushallit gjyqësor, obligohen të paguajn shumën në vlerë prej 100 euro në afat prej 15 ditësh dhe do konfiskohen të gjitha mjetet e kryerjes së veprës penale dhe dobia e fituar nga kryerja e veprës penale e përshkruar sipas propozimit të Prokuroris Speciale të Shtetit të datës 26.12.2018.
Palët e pakënaqura kundër këtij aktgjykimi do kenë të drejtë ankese brenda afatit ligjor pranë Gjyktaës Themelore për Gjykatën e Apelit.
Sipas aktakuzës së ngritur më 30 dhjetor 2008, nëntë të akuzuarit që nga 8 shtatori 2006 e deri më 9 tetor 2007, kishin kryer krim të rëndë si pjesë e një grupi të organizuar kriminal, duke e pasur secili rolin e tyre të ndarë në veprimtari kriminale.
Në aktakuzë thuhet se me qëllim të përfitimit të drejtpërdrejtë apo të tërthortë të një dobie pasurore apo financiare të kundërligjshme, gjatë importimit të cigareve si kontraktues të KFOR-it dhe në emër të KFOR-it kishin keqpërdorur detyrat zyrtare.
Me këtë rast, sipas aktakuzës, cigaret në vlerë prej 2.931.929.08 euro nuk i kishin dorëzuar në KFOR, por u kanë shitur kompanive të tjera pa banderolë, duke shkaktuar evazion fiskal ndaj buxhetit të konsoliduar të Kosovës në shumë prej 2,441,927,71 euro.
Prokuroria të akuzuarit; Shaip Ferizi, Shqipe Avdiu dhe Arben Jashari, i ngarkonte me veprat penale “Krim i organizuar”, lidhur me veprën penale “Shpërdorim i detyrës zyrtare” si dhe me veprën penale “Shmangie mashtruese nga pagesat e detyrimeve”.
Ndërsa, të pandehurit Mustafë Vitia, Mexhid Mustafa, Lulzim Gashi, Besnik Ferizi, Faton Topanica, Arsim Topanica dhe Ajdar Jashari, i ngarkonte me veprën penale “krim i organizuar” lidhur me veprën penale “shmangie nga pagesat e detyrimeve”.
Shënim: Të akuzuarit e përmendur në këtë postim konsiderohen të pafajshëm derisa të vërtetohet fajësia e tyre me aktgjykim të formës së prerë të gjykatës.
Monitorues Ilir Koçani