|

Search
Close this search box.

Projekt i realizuar nga:

drejtesiasot.com justice today drejtesia sot rolpik.org website logo

Vazhdon gjykimi në rastin e Keqpërdorimit të detyrës zyrtare në Zyrën e BE, në Kosovë

Në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë, ka vazhduar shqyrtimi gjyqësor ndaj të pandehurës Albina Nura, e cila nga Prokuroria Speciale akuzohet se ka kryer veprat penale: ‘Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’ dhe ‘Konflikti i interesit’.

Trupi gjykues që po trajton këtë rast kryesohet nga gjyqtari Valon Kurtaj dhe përbëhet prej anëtarëve gjyqtari Lutfi Shala dhe gjyqtari Kushtrim Shyti. Ndërsa, PSRK përfaqësohet nga Prokurori Special Naim Abazi.

Fillimisht, kryetari i trupit gjykues theksoi se për dokumentet të cilat ishin kërkuar nga mbrojtja, gjykata ka pranuar një email nga pala e dëmtuar lidhur me këto dokumente, por mbrojtja kanë theksuar se nuk janë përmbushur të gjitha kërkesat e kërkuara. Lidhur me këtë cështje, mbrojtësi i të pandehurës, av. Kujtim Kërveshi theksoi se mbrojtja ende nuk është e pajisur me dokumentet të cilat ka kërkuar nga zyra e BE. Tutje, ai shtoi se mbrojtja përsërit se është e pamundur që të vazhdohet me procedim gjyqësor pa sigurimin e këtyre provave të cilat lidhen drejtëpërdrejtë me të pandehurën. Tutje, mbrojtja shtoi se me qëllim të ekonomizimit të kësaj cështje dakordohen me dëgjimin e dëshmitarit të ftuar për seancën e sotme.

Tutje, përaqësuesi i palës së dëmtuar, av. Leutrim Syla theksoi se përgjatë fazës hetimore zyra e BE, ka dorëzuar gjithqka që ndërlidhet me lëndën për cka është ngritur aktakuza, duke shtuar se janë munduar cdo herë që të dërgojnë të njejtat dokumente, por mbrojtja ka bërë përsëri kërkesë, tutje ai shtoi se në dokumentetin e dërguar nga pala e dëmtuar gjenden të gjitha shkresat të cilat janë të ndërlidhura me këtë rast, tutje ai shtoi se nga mbrojtja në një mënyrë është duke u zvarritur procedura me kërkesat të cilat janë të panevojshme dhe jorelevante për këtë cështje.

Trupi gjykues lidhur me kërkesën e mbrojtjes theksoi se pala e dëmtuar e ka njoftuar gjykatën se të gjitha provat të cilat i posedojnë e kanë pajisur mbrojtjen dhe Gjykatën, tutje kryetari i trupit gjykues shtoi se do vazhdohet me dëgjimin e dëshmitarit i cili është prezent në shqyrtimin e sotëm.

Tutje, dëshmitari F.R. nga pytjet e av. Leutrim Syla ndër të tjera theksoi se, qëndron në tërësi pranë deklarimit të dhënë në Polici lidhur me këtë cështje, i njejti shtoi se qëndron edhe pranë deklarimit të dhënë në shqyrtimin gjyqësor para trupit gjykues paraprakë.

Në vazhdim, dëshmitari theksoi se në vitin 2015 ishte emëruar si këshilltar në Ministrinë e Integrimit Evropian, ku kishte punuar deri në vitin 2016 duke shtuar se në këtë pozitë ishte emëruar me vendim të Ministrit. Tutje, dëshmitari shtoi se kur ishte ftuar që të bëhej pjesë e kabinetit të Ministrit ndër të tjera ishte diskutuar edhe aspekti financiar i angazhimit të tij, aty i ishte thënë se angazhimi i tij do të mbulohej nga projektet mbështetëse të donatorëve.

Tutje, lidhur me partnerët të cilët kishte diskutuar Ministria, dëshmitari theksoi se partner kryesor i Ministrisë është Zyra e BE, në Kosovë dhe duke qenë se Ministria në atë kohë ka qenë fituese e një projekti të BE, rrjedhimishtë edhe angazhimi i tij është mbështetur nga ky partner. Dëshmitari theksoi se gjatë angazhimit të tij në Ministri, përkatësishtë lidhur me pagesën e tij theksoi se për një periudhë kohore është paguar nga një projekt i Zyrës së BE në Prishtinë.

Ndërsa, sa i përket projektit të BE lidhur me njohuritë e tij sa i përket legjislacionit të BE se a kishte pasur të drejtë që të mbante edhe pozitën e zyrtarit dhe atë të ekspertit, dëshmitari theksoi se nuk ka njohuri lidhur me mënyrën se si e rregullon legjislacioni i BE këtë cështje ndër të tjera dëshmitari shtoi se kur është caktuar në këtë pozitë i është dhënë si detyrë që të punonte së bashku me një ekipë në dy projekte të cilat ishin shumë të rëndësishme.

Ndërsa, në pytjet e mbrojtjes, dëshmitari theksoi se në nuk ka njohuri lidhur me aprovimin me urdhër administrativë i vitit 2016. Tutje, dëshmitari shtoi se gjatë periudhës së angazhimit të tij në Zyrën e BE, si shefë i zyrës së operacioneve kishte qenë personi Kristov Stock të njejtin e njeh nga takimet zyrtare të cilat i ka zhvilluar në baza të rregullta, gjatë periudhës sa ka qenë i angazhuar në kabinetin e Ministrit.

Sa i përket angazhimit të tij në zyrën e BE, dëshmitari theksoi se si praktikë është që organizatat partnere ndërkombëtare i mbështesin institucionet e Kosovës me ekspertiza në kryerjen e funksioneve të caktuara të angazhuar si persona sekondar.

Kurse, lidhur me dokumentin administrativë të nënshkruar nga z.Kristov Stock ku në të cilin janë shënuar ekspertët e angazhuar dhe në të gjendet edhe emri i tij, dëshmitari theksoi se kjo është periudha që ka qenë i angazhuar në Zyrën e BE. Ndërsa, sa i përket punës së tij gjatë kësaj kohe dëshmitari theksoi se për Zyrën e BE ka qenë i njohur fakti se cfarë detyrash ka bërë dhe nuk ka marrë ndonjë vërejtje lidhur me angazhimin e tij në Ministri gjatë kësaj kohe dhe rrjedhimisht i njejti shtoi se kishte pranuar mirënjohje nga Ministri për punët e kryera.

Tutje, nga pytjet e Kryetarit të trupit gjykues dëshmitari theksoi se, nga Ministri ishte angazhuar me vendim ndërsa, më herët nuk kishte qenë pjesë e Ministrisë. Kurse, sa i përket cështjes së mbështetjes së tij financiare nga një palë e tretë, dëshmitari lidhur me këtë cështje theksoi se ka qenë i njoftuar në momentin kur e ka pranuar detyrën.

Sa i përket angazhimit në BE, dëshmitari theksoi se pas diskutimeve të zhvilluara me përfaqësuesit e BE, shtoi se i ishte kërkuar që të nënshkruante një deklaratë e cili quhej ‘Dokument i disponueshmërisë’ dhe pastaj kishte pranuar detyrat lidhur me projektin, pra nuk kishte pasur konkursë të hapur. Tutje, dëshmitari theksoi se nuk ka bërë ndonjë diskutim sa i përket kushteve të kontratës. Kurse, lidhur me kohëzgjatjen e kontratës së punës me BE, dëshmitari theksoi se përafërsishtë kanë qenë 200 ditë pune.

Kryetari i trupit gjykues theksoi se sa i përket dëshmitarit Michail Papaguannis i cili është edhe përfaqësues i BE, nuk mund të dëgjohet në shqyrtimin e sotëm pasi që i njejti nuk  e kupton Gjuhën në të cilën zhvillohet procedura dhe pasi të sigurohet përkthimi do të ftohet për dëgjim në një seancë tjetër.

Kujtojmë që, trupi gjykues në këtë rast është ndryshuar pasi që, Kryetarja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, në Dhjetor të vitit 2023 ka aprovuar kërkesën e palës së dëmtuar për përjashtimin e trupit gjykues, i cili kryesohej nga Gjyqtari Vesel Ismaili dhe anëtarët Violeta Namani, Kujtim Krasniqi.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, thuhet se Albina Nura i ka tejkaluar kompetencat e saj si zyrtare vendore për reforma të administratës publike në zyrën e BE-së në Kosovë duke i shkaktuar dëm material në vlerë prej 500 mijë euro, ashtu që duke përfituar materialisht për vete gjatë implementimit të tenderit Mbështetje për Politikat dhe Planifikim Strategjik të Kosovës.

Ajo akuzohet se ka përgatitur dokumentet në mënyrë të kundërligjshme ashtu që duke ia rrit vlerën tenderit nga shuma rreth 2 milionë euro në 2 milionë e 500 mijë euro.

Sipas aktakuzës Albina Nura, me veprimet e saj ka kryer veprat penale: ‘Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’ nga neni 422 i Kodit Penal dhe veprën penale ‘Konflit i interesit’ nga neni 424, i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Monitoruar nga: Arton Hoxha

Facebook
Pinterest
LinkedIn
Twitter