Në Gjykatën Themelore në Gjakovë, Departamenti për Krime të Rënda, sot është dhënë fjala përfundimtare ndaj të akuzuarit Avni Morina i cili po akuzohet se ka kryer veprën penale keqpërdorimi i detyrës apo autoritetit zyrtar.
Prokurorja e shtetit Ardita Beqiraj-Hyseni në fjalën e saj përfundimtare të dorëzuar me shkrim e duke e elaboruar tha se, pas mbajtjes së seancave të kësaj çështjeje dhe administrimit të provave, ka ardhur në përfundim se është vërtetuar që i akuzuari Avni Morina ka kryer veprën penale e cila i vihet në barrë, se i njëjti i ka keqpërdorur detyrimet e tij si drejtor i drejtorisë së arsimit në favor të profesorit R.K, e duke i shkaktuar dëm të dëmtuarës Xh.H dhe buxhetit të Republikës së Kosovës. Tutje tha se, me asnjë vendim nuk e ka arsyetuar lejimin e pagesës së rregullt, e cila i është bërë profesorit R.K. dhe në fund i propozoi gjykatës që të akuzuarin ta shpall fajtor dhe si rrethanë rënduese ta marrë faktin se i njëjti ka përvojë dhe përgatitje profesionale, ndërsa si rrethanë lehtësuese ta marrë sjelljen korrekte gjatë shqyrtimit gjyqësor, si dhe në fund propozoi që gjykata t’i shqiptojë edhe dënim plotësues.
E dëmtuara Xh.H u pajtua me fjalën përfundimtare të prokurores dhe tha se do të parashtroj kërkesë pasurore-juridike.
Si dhe në fjalën e tij përfundimtare mbrojtësi i të akuzuarit Avni Morina, av. Dardan Morina të cilën e dorëzoi me shkrim ndër të tjera tha se, konsideroj se me asnjë fakt deri në këtë moment nuk është vertetuar se është dëmtuar Xh.H, e as që ka perfituar R.K, dhe se deri në këtë fazë prokuroria nuk e ka argumentuar tezen se ekzistojnë elementet e veprës penale e le më gjendjen faktike.
Kujtojmë që sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Gjakovë të ngritur me datë 28.03.2023, me të cilën akuzohet Avni Morina, i cili në cilësinë e drejtorit në Drejtorinë e Arsimit në Komunën e Rahovecit përdor autorizimin e tij në mënyrë të kundërligjshme nga janari deri në qershor të vitit 2021, duke i shkelur seriozisht të drejtat dhe duke i shkaktuar dëm të dëmtuarës Xh.H dhe buxhetit të Republikës së Kosovës, në atë mënyrë që, i njëjti në zyren e tij i mundëson profesorit R.K dhe të dëmtuarës Xh.H të nënshkruajnë një marrëveshje-deklaratë të përbashkët ku të njëjtën e e vërteton me vulën zyrtare, ku R.K përfiton që të marr pagën e plotë mujore pa dal fare në punë, ndërsa gjatë kësaj periudhe e dëmtuara sipas marrëveshjes së lartcekur e zëvendëson profesorin R.K pa përfillur procedurat ligjore për rekrutim, dhe pa ndonjë kontratë pune mban 26 orë mësimore, ku në muajin janar dhe shkurt nuk paguhet fare, ndërsa nga muaji mars e deri në muajin qershor, e dëmtuara paguhet në mënyrë private nga veq profesori R.K në shumë prej 250€,
Me çka ka kryer veprën penale ‘’Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’’ nga nenin 414 par.1 të KPRK-së.
Shënim: Të akuzuarit e përmendur në këtë postim konsiderohen të pafajshëm derisa të vërtetohet fajësia e tyre me aktgjykim të formës së prerë të gjykatës.
Monitoruar nga Elvana Hatashi