Projekt i realizuar nga:

Ndërpritet shqyrtimi gjyqësor në rastin e njohur si Subvencionet 1 – Pjesa e Vecuar

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamenti Special, është mbajtur shqyrtimi gjyqësor ndaj të akuzuarit Salih Kelmendi për veprën penale “Marrje Ryshfeti”, në rastin e njohur si Subvencionet 1 – Pjesa e vecuar.

Fillimisht, avokat Besnik Berisha, theksoi një kërkesë të tij lidhur me dy deklarata të cilat, kanë të bëjnë me deklaratat të cilat janë dhënë në Prokurori si dëshmitarë bashkëpunues dhe para gjyqtarit të procedurës paraprake dhe për të njejtat kërkoi që të sigurohen nga Prokuroria.

Lidhur me këto prova të kërkuara nga mbrojtësi av. Besnik Berisha, Prokurori Special Rafet Halimi, theksoi se të njejtat nuk i posedon në seancën e sotme.

Tutje, av.Besnik Berisha theksoi një kërkesë në të cilën shtoi se në këto rrethana, në pamundësi që këto prova të sigurohen në kohë të arsyshme, kërkoi nga trupi gjykues që seanca e sotme të ndërpritet dhe e njejta të vazhdoi në një datë tjetër.

Lidhur me këtë propozim, Prokurori Special, Rafet Halimi theksoi se nuk e kundërshton këtë propozim që seanca e sotme të shtyhet për një datë tjetër.

Kryetari i trupit gjykues, gjyqtari Kujtim Krasniqi, theksoi se aprovohet propozimi i mbrojtjes për sigurimin e deklaratave të kërkuara, dhe njëkohësishtë Gjykata obligoi Prokurorinë që në afat prej 10 ditëve të siguroj këto deklarata.

Rrjedhimisht, u aprovua edhe propozimi për ndërprerje të seancës së sotme, dhe shqyrtimet e radhës për këtë cështje u caktuan me datë: 02, 03 dhe 07 Tetor nga ora 09:30.

Sipas aktakuzës së ndryshuar të 4 prillit 2022 nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, pika e parë i ngarkon Luan Statovci, Sadat Shkodra, Berat Nika, Alban Bushati dhe Salih Kelmendi se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “marrje ryshfeti” nga neni 421, par 3 lidhur me par.2 neni të KPRK-së.

Në aktakuzë thuhet se nga 1 korriku 2020 e deri më 24 shkurt 2021, në Prishtinë dhe në Pejë, të akuzuarit në cilësinë e personave zyrtar dhe atë, Luan Statovci- Drejtor për Pagesa Direkte, Sadat Shkodra -Zyrtar për Pagesë Direkte, Berat Nika – Zyrtar për Pagesa Direkte nga AZHB, Alban Bushati- Zyrtar Administrativ në Drejtorinë për Bujqësi në Komunën e Pejës dhe Salih Kelmendi–Inspektor i Tregut në Komunën e Pejës, kanë shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar me qëllim që të veprojnë në kundërshtim me detyrat e tyre zyrtare, dhe në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe të tërthortë kanë kërkuar ryshfet nga Bekim Shala në vlerë prej 126,000.00€, dhe kanë arritur të pranojnë vlerën prej 92,500.00 €.

Në bazë të aktakuzës, fillimisht Shala më 23 korrik 2020 ka aplikuar në Komunën e Pejës për të përfituar subvencion, pas një kohe ai takohet me të akuzuarit Bushati dhe Kelmendi e pastaj në Istog takohet me të akuzuarit Nika dhe Shkodra ku kanë vizituar pronat e të njëjtit dhe më pas të njëjtit kanë arritur marrëveshje që të ndryshojnë aplikimin nga kultura grurë dhe misër në bimë mjekësore aromatike, dhe më 26 gusht 2020, Shala aplikon për subvencione edhe në emër të gruas së tij Arinda Seferi për të njëjtën kulturë edhe pse ajo nuk ka pasur të mbjellë këtë kulturë dhe arrin marrëveshje që nga parat e marra në emër të subvencioneve shtesë 70% do t’i marrin të pandehurit në emër të ryshfetit dhe 30% Shala.

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm derisa të vërtetohet fajësia e tyre me vendim të formës së prerë.

Monitoruar nga Arton Hoxha

Facebook
Pinterest
LinkedIn
Twitter