Gjykata e Prishtinës, me datë 12 korrik, ka shpallur fajtor dhe dënuar Mimoza Beqiri, Behare Bajrami, Betim Ismajli dhe Ardian Hamiti të akuzuar për veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve”. Ky vendim është marrë nga trupi gjykues nga Departamenti i Krimeve të Rënda, me kryetare Medije Bytyqi dhe anëtarët Gent Beka e Ertan Sejfulla.
Pasi u shpallën fajtor për veprën e lartcekur katër të pandehurve iu shqiptua dënimi me burgim në kohëzgjatje prej 1 vit e gjysmë për secilin veç e veç.
Ndërkaq, për të akuzuarën Behare Bajrami gjykata bëri të ditur se sa i përket pikës 3, 5 dhe 6 të aktakuzës është bërë rikualifikimi i veprës penale nga “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” në veprën penale “Mashtrimi”. Lidhur me këtë vepër penale gjykata mori aktgjykim refuzues për shkak të arritjes së parashkrimit absolut.
Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ngritur aktakuzë më 31 maj 2017, ndaj Mimoza Beqirit, Behare Bajramit, Betim Ismailit, Ardian Hamitit, Ermal Durakut, Anton Jakajt, Daut Ademajt, Ilir Muratit, Rajmonda Osmanit dhe Edona Sallahut, me arsyetimin se nga viti 2013-2014, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm, kanë falsifikuar dokumente të ndryshme.
Me këtë, thuhet se kanë kryer veprën penale “Mashtrimi në vazhdimësi”, neni 335, paragrafi 1 i KPRK-së.
E akuzuara Behare Bajrami, sipas aktakuzës, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm ka keqpërdorur detyrën e saj zyrtare.
Sipas aktakuzës, Mimoza Beqiri, Ermal Duraku, Anton Jakaj, Daut Ademaj dhe Ilir Murati, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm, në vazhdimësi kanë mashtruar të dëmtuarit se do t’i regjistrojnë në fakultete të ndryshme dhe nga ta kanë përfituar shuma parash, duke filluar nga 2 mijë e 100 euro dhe 5 mijë euro për një regjistrim. Bajrami, gjithnjë sipas aktakuzës, në bashkëveprim me të pandehurit Beqiri, Duraku, Jakaj dhe Ademaj kanë regjistruar të dëmtuarit në fakultete të ndryshme, duke përfituar shuma prej 2 mijë e 100 euro e deri në 5 mijë euro.
Bajrami në cilësinë e bibliotekares në Fakultetin e Edukimit, sipas aktakuzës, ka shfrytëzuar pozitën e saj për t’i bindur të dëmtuarit se është personi kompetent për regjistrimin e tyre në fakultete, derisa e njëjta është vërejtur nga zyrtarët e UP-së.
Me këtë, ajo akuzohet se ka kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, neni 422 i KPRK-së.
Tutje, Prokuroria akuzon Mimoza Beqirin, Behare Bajramin dhe Raimonda Osmanin se kanë tentuar të mashtrojnë Arta Bajramin dhe Valon Imerin se do t’i regjistrojnë në Fakultetin Juridik dhe me këtë kanë kryer veprën penale “Mashtrim në tentativë”, neni 335 i KPRK-së.
Ndërsa, e akuzuara Edona Sallahu, sipas aktakuzës, duke vepruar në bazë të sugjerimeve të Mimoza Beqirit, ka raportuar rrejshëm se i ka humbur kuleta me dokumentacion e në mesin e tyre edhe ID e Fakultetit të Mjekësisë edhe pse asnjëherë nuk ka qenë e pajisur me këtë kartelë.
Sipas kësaj, ajo akuzohet se ka kryer veprën penale “Lajmërim i rremë apo kallëzim rremë”, neni 490 i KPRK-së.
Shënim: Të akuzuarit e përmendur në këtë postim konsiderohen të pafajshëm derisa të vërtetohet fajësia e tyre me vendim të formës së prerë.
Monitoruar nga Aulona Alaj