Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, është ndërprerë seanca në rastin ndaj të akuzuarit Ismet Kunushevci, i cili akuzohet për veprën penale ‘Keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurimin publik’.
Në fillim të seancës, prokurori i rastit Zefë Prendrecaj lexoi aktakuzën, ndërsa i akuzuari Kunushevci u deklarua i pafajshëm.
Tutje në fjalën hyrëse, prokurori Prendrecaj deklaroi se gjatë hetimeve janë mbledhur prova të mjaftueshme që vërtetojnë dyshimin se i pandehuri ka kryer veprën penale ‘Keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurimin publik’ dhe gjatë këtij shqyrtimi gjyqësor trupi gjykues do të ketë rastin të dëgjojë dhe të shoh dëshminë e dëshmitarit J.H, i cili do të dëshmojë për përshkrimin e detyrave të punës që ka në pozitën Analist i sistemit në Adminsitratën Tatimore të Kosovës, po ashtu se nga kush e ka pranuar kërkesën për të hyrë në sistem të ATK-së, si e ka nxjerrë listën-vërtetimin për subjektin juridik ‘Beni Com’ për vitin 2022.
Njëkohësisht prokurori prendrecaj propozoi që në seancën e ardhshme në cilësinë e dëshmitarit të ftohet shefi i prokurimit publik në Policinë e Kosovës, i cili do të dëshmojë lidhur me shkeljet e rregullave të prokurimit pubik, gjatë ofertës për dhënien e kontratës me titull ‘Ofrimi i shërbimeve, marrje me qera e makinerive për Policinë e Kosovës’, propozim i cili u refuzua nga trupi gjykues me arsyetimin se nuk është kontestuese dorëzimi i vërtetimit, mirëpo mënyra e nxjerrjes së tij, si dhe nga kush.
Ndërsa mbrojtësi Ahmet Gjinovci deklaroi se prokuroria nuk ka prova të mjaftueshme mbi të cilat aktakuzën e mbështet dhe se e njëjta konsiderojmë se është e pabazuar. Po ashtu mbrojtësi kërkoi ndërprerjen e seancës së sotme për shkak që i njëjti ka ngatërruar dokumentacionin e lëndës përkatëse, andaj nuk mund ta paraqes mbrojtjen në mënyrë të duhur pa shkresat e nevojshme, propozim i cili u aprovua nga trupi gjykues.
Seanca e radhës u caktua të mbahet me datë 5 gusht 2024, nga ora 09:00.
Sipas aktakuzës së ngritur me 19 tetor 2023, Ismet Kunushevci akuzohet se në cilësinë e pronarit të kompanisë “Beni com” me vetëdije kishte shkelur rregullat e prokurimit publik, ashtu që gjatë ofertës për dhënie të kontratës së prokurimit publik nga Policia e Kosovës për marrjen me qira të makinerive, Kunushevci kishte prezantuar vërtetimin, i cili konsiderohet i rremë.
Me këto veprimet, Konushevci akuzohet se ka kryer veprën penale “Keqpërdorim dhe mashtrim në prokurimin publik” nga neni 415, paragrafi 1 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Shënim: Të akuzuarit e përmendur në këtë postim konsiderohen të pafajshëm derisa të vërtetohet fajësia e tyre me aktgjykim të formës së prerë të gjykatës.
Monitoruar nga: Leotrim Pajaziti