Në Gjykatën Themelore në Pejë, Departamenti për Krime të Rënda, sipas agjendës së planifikuar do të mbahej shqyrtimi gjyqësor ku të akuzuar janë Jashar Blakaj, Rexhep Blakaj, Rrustem Gashi, Isa Hoxhaj si dhe Besart Dreshaj që të gjithë zyrtar me pozita të ndryshme në Komunën e Istogut po akuzohen për korrupsion.
Në fillim të shqyrtimit gjyqësor mbrojtësi i të pandehurit Rrustem Gashi av. Ahmet Rexhaj i propozoi gjykatës që seanca e sotme të shtyhet për një datë tjetër derisa të mbrojturit të tij t’i përmirsohet gjendja pasi që nuk është mirë me shëndet dhe ka probleme me boshtin kurrizor, nga doktorët i është rekomanduar operimi i boshtit kurrizor, por meqenëse i njëjti është sjellur me detyrim ankohet dhe nuk është në gjendje ta përcjell gjykimin.
Gjithashtu i pandehuri Rrustem Gashi shtoi se, në bazë të gjendjes shëndetësore nuk mund të qendrojë me shumë se 15 minuta.
Prokurorja e çështjes Lumturije Vuçetaj për këtë propozim tha se, meqenëse prokuroria ka ngritur aktakuzën dhe ka kryer obligimet e veta sa i përket kësaj çështje juridike pelane, është në dorën e gjykatës që të siguroj prezencën e palëve.
Kështu që, trupi gjykues pas konsultimit ka marr aktvendim me të cilin ka aprovuar propozimin dhe seanca është caktuar për një datë tjetër, gjithashtu gjykata ka njoftuar të pandehurin Rrustem Gashi që nëse eventualisht seanca shtyhet përseri për shkak të gjendjes shëndetësore të tij, gjykata do të vlersojë mundësinë që të angazhoj mjek të pavarur për të vlerësuar gjendjen shëndetësore të të njëjtit.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Pejë të ngritur me datë 07.09.2022, në këtë rast akuzohen 5 zyrtar të komunës së Istogut Jashar Blakaj, Rrustem Gashi, Rexhep Blakaj, Isa Hoxhaj dhe Besart Dreshaj.
Ata ngarkohen se kanë kryer veprat penale ‘’keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar’’, “Konflikt i interesit” dhe “Falsifikim i dokumentit zyrtar”.
Shënim: Të akuzuarit e përmendur në këtë postim konsiderohen të pafajshëm derisa të vërtetohet fajësia e tyre me aktgjykim të formës së prerë të gjykatës.
Monitoruar nga Elvana Hatashi