Ka përfunduar shqyrtimi gjyqësor ndaj të akuzuarve, Begzat Musliu dhe Naim Sallahu të cilët akuzohen nga Prokuroria se kanë kryer veprat penale: ‘Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtarë’, dhe ‘Keqpërdorim dhe Mashtrim në Prokurim Publik’.
Trupi gjykues që po trajton këtë rast kryesohet nga gjyqtari Avni Syla dhe përbëhet prej anëtarëve gjyqtarja Sulltane Hoti dhe gjyqtari Alban Ajvazi. Ndërsa, Prokuroria Themelore përfaqësohet nga Prokurori i Shtetit Bashkim Zeqaj.
Në fjalën përfundimtare të dorzuar me shkrim dhe elaboruar në pika të shkurtëra, Prokurori i Shtetit ndër të tjera shtoi se është vërtetuar përtej dyshimit të bazuar se të pandehurit në këtë rast kanë kaluar kompetencat dhe me veprimet e tyre si dhe me elaborimin e të gjitha provave, dëgjimin e dëshmitarëve është vërtetuar se kanë kryer veprat për të cilat akuzohen. Në fund të fjalës së tij përfundimtare, Prokurori i Shtetit kërkoi nga trupi gjykues që të pandehurit të shpallen të fajshëm dhe të dënohen konform dispozitave ligjore.
Mbrojtësi i të pandehurit Begzat Musliu, avokat Adnan Pacolli fjalën përfundimtare e dorzoi me shkrim dhe theksoi se nuk ka diqka për të shtuar. Ndërsa, i pandehuri Begzat Musliu theksoi se në këtë rast ai akuzohet për diqka të cilën asnjëherë nuk e ka kryer dhe rrjedhimishtë shtoi se nuk ka kaluar kompetencat e tij në rastin për të cilin akuzohet.
Kurse, mbrojtësi i të pandehurit Naim Sallahu, avokat Flamur Bllacaku në fjalën përfundimtare të dorëzuar me shkrim dhe të elaboruar në pika të shkurtëra ndër të tjera shtoi se, nuk është vërtetuar përgjatë shqyrtimeve gjyqësore me asnjë provë të elaboruar se i mbrojturi i tij ka kryer veprën për të cilën akuzohet, dhe rrjedhimisht nga trupi gjykues kërkoi që të mbrojturin e tij ta liroj nga akuzat. Gjithashtu, edhe i pandehuri Naim Sallahu në mbështetje të mbrojtësit të tij, nga trupi gjykues kërkoi që të merret aktgjykim lirues.
Kryetari i trupit gjykues, theksoi se gjykimi në këtë rast tani është i përfunduar dhe se shpallja e aktgjykimit do të bëhet me datë: 03 Tetor nga ora 09:30.
Kujtojmë që, sipas aktakuzës, i akuzuari Begzat Musliu, në cilësinë e personit zyrtar, si Drejtor i Njësisë së Auditimit të Brendshëm në Ministrinë e Infrastrukturës, i ka tejkaluar kompetencat e tij, në atë mënyrë që në kundërshtim me ligjin për Auditimin e Brendshëm të Financave Publike, përkatësisht nenin 25 par. 3.3 miratimin nga udhëheqësi i subjektit të sektorit publik, ministri apo sekretari i përgjithshëm; ka kryer auditimin e lëndës së prokurimit publik me titull “Ndërtimin e urës në zgjerimin e rrugës nacionale N9 segmenti Pejë-Kuqishtë me lokacion Drelaj”.
Prokuroria pretendon se i pandehuri Musliu ka vepruar vetëm me kërkesë të Operatorit Ekonomik “Sallahu” Sh.P.K, që është e ndaluar me ligj, po ashtu i pandehuri jashtë procedurave ligjore të auditimit të brendshëm, ka përpiluar raportin e auditimit në favor të Operatorit Ekonomik ” Sallahu” Sh.P.K, me qëllim të krijimit të dobisë për atë kompani, pa i vërtetuar provat në lëndën e iniciuar kundër këtij operatori.
Me këtë i pandehuri Begzat Musliu, akuzohet se ka kryer veprën penale: ‘Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtarë’, nga neni 414 par. 1 i KPRK-së.
Tutje, në dispozitivin e dytë të aktakuzës, i akuzuari Naim Sallahu, akuzohet se me vetëdije shkel rregullat e prokurimit publik gjatë ofertës për dhënien e kontratës së prokurimit publik, duke paraqitur dokumentacion të rremë, me qëllim të mashtrimit në procedurat e prokurimit publik dhe me qëllim të ndikimit në vendimin e autoritetit kontraktues në procedurën e prokurimit publik.
Prokuroria pretendon se i akuzuari Sallahu në atë mënyrë që në pozitën e pronarit të kompanisë “Sallahu” Sh.P.K, ka ofertuar me dokumentacion të falsifikuar në Aktivitetin e Prokurimit, në të cilën lëndë ka prezantuar referencën për gjeodetin F.SH, se i njëjti kinse kishte punuar në projektin ” Ndërtimi i urës në zgjerimin e rrugës nacionale N9 segmenti Balincë” dhe në projektin” Zgjerimi i rrugës nacionale N2, segmenti hyrja në qytetin e Prishtinës (Veternik), por në projektet në fjalë nuk ka qenë i angazhuar gjeodeti F.SH.
Me këtë i pandehuri Naim Sallahu, akuzohet se ka kryer veprën penale: ‘Keqpërdorim dhe Mashtrim në Prokurim Publik’, nga neni 415 par. 1 të KPRK-së.
Shënim: Të akuzuarit e përmendur në këtë postim konsiderohen të pafajshëm derisa të vërtetohet fajësia e tyre me aktgjykim të formës së prerë të gjykatës.
Monitoruar nga: Arton Hoxha