|

Search
Close this search box.

Projekt i realizuar nga:

drejtesiasot.com justice today drejtesia sot rolpik.org website logo

Fillojnë fjalët përfundimtare në rastin Toka

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamenti Special, sot me datë 9 dhjetor është ka vazhduar shqyrtimi gjyqësor në rastin e njohur si “Toka” ku u thanë fjalët përfundimtare nga disa prej mbrojtësve dhe të akuzuarve.

Gjykimi fillon rishtazi për shkak të ndryshimit të anëtarit të trupit gjykues ku në vend të gjyqtarit Mentor Bajraktari tani është gjyqtari Rrahman Beqiri. Me propozim të Prokurorit Naim Abazi dhe me pajtimin e mbrojtjes trupi gjykues mori aktvendim që të gjitha veprimet e ndërmarra deri më tash të konstatohen të lexuara. Ndërkaq kryetari i trupit gjykues Arben Hoti dhe anëtari Lutfi Shala mbesin të njëjtë.

I akuzuari Shaban Syla kërkoi nga trupi gjykues që të mos konstatohen të lexuara veprimet e ndërmarra deri më tani por që gjykimi të nisë nga e para për shkak se sipas tij Prokuroria nuk ka sjellë disa prej dëshmitarëve që është dashur të dëshmojnë në këtë gjykim. Gjykata për këtë kërkesë theksoi se dëshmitë e dëshmitarëve të përmendur janë marrë në mënyrën hetuese të veçantë dhe e cila dëshmi është dëgjuar në shqyrtim gjyqësor të filluar rishtazi.

Po ashtu gjykata bëri të ditur se Agron Kajtazi, mbrojtësi i të akuzuarit Syla, ka parashtruar kërkesë për administrimin e një CD – je si provë. Në seancë Kajtazi tha përmbajtja e CD është një dokumentar i cili sfidon kredibilitetin e këtij dëshmitari. Lidhur me këtë Prokurori i kërkoi gjykatës që të refuzoj propozimin e mbrojtësit pasi sipas tij kjo provë nuk ka relevancë në këtë procedurë. Këtë propozim trupi gjykues e refuzoi me arsyetimin se një provë e tillë është jo relevante.

Pasi u shpall e mbyllur procedura e provave gjykimi vazhdoi me dhënien e fjalëve përfundimtare ku fillimisht fjalën e mori Prokurori i cili të njejtën e dërzoi me shkrim duke e elaboruar shkurtimisht. I njëjti tha se gjatë këtij gjykimi është vërtetuar në mënyrë të plotë se në veprimet e të akuzuarve janë manifestuar të gjitha elementet e veprave penale të cilat u bien në barrë dhe kërkoi nga gjykata që të pandehurit të i shpall fajtor dhe të i dënoj sipas ligjit.

Avokati Afrim Salihu për të pandehurin Shpresim Uka i cili po ashtu fjalën përfundimtare e dorëzoi me shkrim dhe elaboroi shkurtimisht duke thënë se ndaj të mbrojturit të tij nuk ka asnjë provë që të njejtin e inkriminon. I pandehuri po ashtu morri fjalën duke thënë se kurrë nuk ka blerë tokë nga askush e as nuk i ka shitur tokë askujt duke shtuar se faji i tij më i madh është se ka qenë prezent në disa raste kur kanë ndodhur shitblerje të pronave.

Tutje fjalën e mori avokati Besnik Berisha i cili mbron të pandehurin Azem Syla. Berisha tha se në aktakuzë dhe fjalë përfundimtare të Prokruroit çdo gjë e shkruar është trillim që nuk gjejnë mbështetje dhe sipas tij asnjë provë e vetme nuk e ka diskredituar si person. I njëjti ftoi trupin gjykues që të lirojë të mbrojturin e tij.

Avokati Agron Kajtazi i të akuzuarit Shaban Syla e dorëzoi me shkrim fjalën përfundimtare dhe tha se kërkon lirimin e të mbrojturit të tij. Mirëpo fjalën e mori vetë Shaban Syla i cili tha se ai kurrë në jetë nuk ka falsifikuar një dokument dhe as nuk di se si ta bëj një gjë të tillë.

Avokati Arlind Jupolli, mbrojtës i të pandehurit Ramadan Uka, po ashtu e dorëzoi fjalën përfundimtare në formë të shkruar ndërsa gjatë elaborimit i njëjti tha se Prokuroria që nga fillimi ka dështoj të dorëzoj prova me të cilat vërtetohet fajësia e të pandehurit Uka. Kështu avokati Jupolli propozoi gjykatës që i mbrojturi i tij të lirohet nga akuzat që i bien në barrë.

Në vazhdim fjalën e mori avokati Florent Latifaj i cili e mbron të akuzuarin Arton Vila. Avokati Latifaj i propozoi trupit gjykues që në mungesë të provave të lirojë të mbrojturin e tij. Avokatja Bahrije Bislimi e cila e mbron të akuzuarin Avdurrahman Brajshori, tha se i mbrojturi i tij vetëm ka blerë e nuk ka shitur asnjë pronë. Tutje fjalën përfundimtare e dha avokati Haxhi Millaku për të akuzuarin Ilaz Syla ku tha se pret aktgjykim lirues për të njëjtin.

Avokati Visar Vehapi i cili mbron të akuzuarin Gazmend Gashi, në fjalën e tij përfundimtare tha se vetëm me leximin e aktakuzës vërehet pafajësia e të mbrojturit të tij duke e quajtur të njejtën spekulative. Sipas tij, akuzat për krim të organizuar nuk do të kaloj pasi nuk përmbushet asnjë element për një vepër të tillë penale dhe se është në shpërputhje me dispozitivet e tjera të aktakuzës.

Seanca e radhës pritet të mbahet nesër me datë 9 dhjetor nga ora 10.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), ka ngritur dy aktakuza, njëra me 17 persona dhe tjetra me 22 persona, ku në këtë të fundit, që ishte ngritur më 24 tetor 2016 përfshihet edhe ish-deputeti i PDK-së Azem Syla, që sipas PSRK-së, ai kishte qenë edhe udhëheqës i këtij grupi.

Bashkë me Sylën, në këtë proces janë duke u gjykuar edhe Shaban Syla, Arton Vila, Ilaz Syla, Shpresim Uka, Ramadan Uka, Avdurrahman Brajshori, Gazmend Gashi, Lubisha Vujoviq, Sabedin Haxhiu, Avni Maxhuni, Elhame Uka, Lumnije Sopjani, Nyrtene Brajshori, Sami Maqedonci, Ndue Palushi dhe Ramadan Mavraj.

Pjesë e kësaj aktakuze kanë qenë edhe N.U, Sh.M, Mustafë Haliti dhe Hajrullah Berisha, por për dy të parët është pushuar procedura pasi ata kanë ndërruar jetë, ndërsa për shkak se gjykata nuk ka arritur të siguroi prezencën e Ilaz Sylës, Mustafë Halitit dhe Hajrullah Berishës, për të njëjtit është veçuar procedura. Por, gjykatësi Hoti, jashtë seancës ka bashkuar procedurën për të akuzuarin Ilaz Syla dhe Vidosav Novakovic, ku për këtë të fundit ka thënë se provat janë të ndërlidhura dhe rasti është i njëjtë.

Aktakuza i ngarkon të pandehurit me vepra penale “krim i organizuar”, “pastrim i parave”, “marrje të mitos”, “mashtrim i rëndë”, “mashtrim në detyrë”, “nxjerrje të vendimeve gjyqësore të kundërligjshme”, “keqpërdorim i pozitës zyrtare”, “legalizimi i përmbajtjes së falsifikuar” dhe “evazion fiskal”.

Gjithashtu, të pandehurit akuzohen se në bashkëpunim, përmes veprimtarive kriminale i kanë privuar Kosovës pronat shoqërore, duke përfshirë falsifikimin e vendimeve dhe dokumenteve zyrtare, mashtrim dhe veprime tjera korruptive.

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Monitoruar nga Aulona Alaj            

Facebook
Pinterest
LinkedIn
Twitter