Përmbledhje
Luftimi i korrupsionit është ndër parakushtet kryesore që Kosova duhet ta realizoj në mënyrë që të krijoj mundësinë e anëtarësimit në organizata ndërkombëtare. Raporti i Progresit për Kosovën për vitin 2020, tregon se Kosova ende është në një fazë të hershme të luftës kundër korrupsionit duke bërë progres të kufizuar në këtë fushë, se korrupsioni është mjaft i përhapur dhe si i tillë mbetet një çështje shqetësuese serioze. Duke pasur parasysh se raportet me BE-në si dhe imazhi ndërkombëtar i Kosovës ndikohen në mënyrë thelbësore nga përparimi në fushën e sundimit të ligjit, veçanërisht në përparimin e luftës kundër korupsionit dhe krimit të organizuar, në këtë analizë kemi elaboruar deklarimin e pasurisë së zyrtarëve publikë si segment mjaft të rëndësishëm në këtë drejtim.
Kjo analizë ka për qëllim identifikimin e mangësive ligjore të Ligjit Nr.04/L-050 për deklarimin, prejardhjen dhe kontrollin e pasurisë të zyrtarëve të lartë publik dhe deklarimin, prejardhjen dhe kontrollin e dhuratave për të gjithë personat zyrtarë, i cili ka hyrë në fuqi në vitin 2011, si dhe ndryshim/plotësimin e Ligjit NR. 04/L-228 të bërë në mars të vitit 2014, si dhe identifikimin e veprimeve ligjore dhe procedurale të ndërmarrura nga prokuroritë dhe gjykatat në Kosovë në trajtimin e 20 rasteve penale të zhvilluara ndaj zyrtarëve të lartë publik gjatë vitit 2019 lidhur me veprën penale “mos raportimi, ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare”.
Në Gjykatën Themelore në Prishtinë janë analizuar 5 aktgjykime, në Gjykatën Themelore në Gjakovë janë analizuar 2 aktgjykime, në Gjykatën Themelore në Mitrovicë është analizuar 1 aktgjykim, ndërkaq në Gjykatën Themelore në Prizren, Pejë, Gjilan dhe Ferizaj janë analizuar nga 3 aktgjykime. Sa i përket aktakuzave, janë analizuar 11 gjithsejt, përkatësisht 5 aktakuza në Prizren, 2 në Gjakovë, 2 në Gjilan, dhe 2 në Pejë. Fokusi i analizës është drejtuar tek analizimi i bazës ligjore të Ligjit për deklarimin e pasurisë, analizimi i aktakuzave, politika ndëshkimore ndaj këtyre rasteve në gjykata, aspektet ligjore komperative, si dhe rekomandimet për institucionet përkatëse.
Lexo më shumë:










