|

Search
Close this search box.

Projekt i realizuar nga:

drejtesiasot.com justice today drejtesia sot rolpik.org website logo

Vazhdon gjykimi për korrupsion ndaj 20 zyrtarëve policor të Zubin Potokut

Në Gjykatën Themelore të Prishtinës ka vazhduar gjykimi ndaj 20 policëve të stacionit policor në Zubin Potok, që akuzohen për marrje ryshfeti e keqpërdorim të detyrës zyrtare, raporton “Drejtësia Sot”.

Në seancën e djeshme është dëgjuar dëshmitari Dushan Milosavljeviq, i cili ka qenë zyrtar policor në pikën kufitare në Zubin Potok, ku si udhëheq kishte disa nga të akuzuarit në këtë rast.

Në dëshminë e tij, përkatësisht pyetjeve të prokurorit special të rastit, dëshmitari u përgjigj se gjatë punës së tij në pikën kufitare në Zubin Potok, detyrat e tij kanë qenë mbikëqyrja dhe kontrollimi i pikave kufitare.

Ai shtoi se nuk kishin pasur vështirësi, ndërsa në rastet e mallrave ilegale tha se i kishin parandaluar, lajmëruar dhe sanksionuar.

I pyetur për ndërrimin e tij, ku si udhëheqës ka pasur tani të akuzuarin Nebojsha Gogiq, dëshmitari u përgjigj se kanë punuar gjithmonë sipas orarit i cili sipas tij nuk ka ndryshuar asnjëherë dhe gjatë punës nuk ka vërejtur asnjë parregullsi. Po ashtu ai tha se nuk ka pasur ndonjë ndërhyrje ose pengesë në punën që e kishte bërë.

Sa i përket mallrave që i kanë hasur si kontrabandë, dëshmitari tha se më së shumti kanë qenë mallra ushqimore.

Tutje, dëshmitarit iu paraqitën pyetje edhe nga i akuzuari Nebojsha Gogiq dhe mbrojtësi i tij avokati Musa Damati.

Në këto pyetje dëshmitari u përgjigj se nuk ka vërejtur ndonjë përfshirje të të akuzuarit Gogiq në ndonjë veprimtari të kundërligjshme gjatë ushtrimit të profesionit të tij.

Së fundmi, dëshmitari mohoi se Gogiq e kishte thirrur në telefon ose i kishte kërkuar ndonjë gjë gjatë ndërrimit të tij më datë 15.05.2019.

Në vazhdim, kryetari i trupit gjykues, gjyqtari Mentor Bajraktari, njoftoj se për këtë seancë ishte planifikuar të dëgjohet vetëm një dëshmitarë ndërsa seanca e radhës, e caktuar më 10.02.2023, do të mbahet në Gjykatën Themelore në Gjilan ku pritet të dëgjohet dëshmitari i radhës.

Kujtojmë se Prokuroria Speciale në vitin 2020, ka ngritur aktakuzë ndaj ish-zyrtarëve policor për veprat marrje ryshfeti dhe keqpërdorim të detyrës apo autoritetit zyrtar.

Sipas aktakuzës të cilën e ka siguruar Drejtësia Sot, të akuzuarit Zvezdan Spasojeviq, Biljana Nedelkoviq, Milija Milunoviq, Albert Maxhuni dhe Abdurrahim Haxhiq në cilësinë e zyrtarëve policor në Zubin Potok, deri sa kishin qenë në detyrë zyrtare për mbikëqyrjen e rrugëve kufitare, nga viti 2017 deri në maj të vitit 2019 kishin mundësuar kontrabandimin e mallrave të ndryshme si kafshë, derivate, pije alkoolike dhe jo-alkoolike dhe mallra ushqimore nga Serbia në Kosovë dhe anasjelltas.

Sipas PSRK-së, këto veprime të të akuzuarve ishin bërë në bashkëkryerje me të pandehurin Dejan Vukashinoviq, i cili gjendet në arrati.

Të pandehurit e tjerë, Dragoslav Igrutinoviq, Boban Radojkoviq, Dalibor Djukiq, Miljan Radisavleviq, Miljojko Radisavljeviq dhe Zoran Vukomanoviq, nga prokuroria po akuzohen se kanë pranuar shuma prej 20 deri 150 euro, për çdo automjet, për kalimin e automjeteve me mallra me qëllim të shmangies së kontrollit dhe tarifave doganore.

Për veprime të njëjta po akuzohen edhe Oliver Kuzmanoviq, Ramadan Mustafiq, Dejan Spasojeviq, Dragosh Kompiroviq, Jasna Durleviq, Zenel Bahtiri, Bozhidar Milosavljeviq dhe Ali Pllana, në cilësinë e policëve patrullues në kuadër të ndërrimit “B”, në Zubin Potok.

Po ashtu, të akuzuar për korrupsion janë edhe Zoran Radunoviq, Krsto Subotiq, Reshat Kuqi, Vukadin Tomasheviq, Blagica Tomaviq, Ljubisa Vujinoviq, Burim Merovci dhe Blagoje Lazoviq, që ishin policë patrullues në kuadër të ndërrimit “C”.

Në këtë aktakuzë ishin të përfshirë edhe Izet Jashari, Jeton Morina, Milazim Januzi, Nezir Bilalli, Nysret Jashari, Sabri Isufi, Xhevdet Jashari, Arben Isufi, Bajram Uka, Besnik Morina dhe Faton Isufi për të cilët ishte veçuar procedura penale.

Për të akuzuarit Krsto Subotiq dhe Bozhidar Milosavleviq ka pushuar procedura pasi që të njëjtit kanë ndërruar jetë, ndërsa i akuzuari Nysret Jashari kishte pranuar fajësinë për veprën penale armëmbajtje pa leje./Drejtësia Sot

Facebook
Pinterest
LinkedIn
Twitter