Policia e Kosovës njofton se gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar pesë raste të dhunës në familje.
Rasti i parë është raportuar në Prishtinë ku edhe është arrestuar një person, i cili pas një mosmarrëveshje ka kanosur dhe ka sulmuar fizikisht familjaren e tij. Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje.
Po ashtu në kryeqytet gjatë ditës së djeshme një femër kosovare ka informuar se në vazhdimësi është kanosur nga familjari i saj që gjendet jashtë shtetit. Policia njofton se ky rast është duke u hetuar.
Ndërsa në Obiliq, Policia ka pranuar informata nga ankuesja femër kosovare se kishte pasur probleme me familjarin e saj. E njëjta ka kërkuar të shkojë në strehimore pasi ndihej e kërcënuar, kurse i dyshuari është arrestuar dhe me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.
Rast tjetër i dhunës në familje është raportuar në Gjilan, ku ankuesja femër kosovare ka raportuar se familjari i saj e kishte kërcënuar përmes rrjeteve sociale edhe pse viktima kishte urdhër mbrojtës nga gjykata. I dyshuari është arrestuar dhe me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.
Ndërsa rasti i fundit është raportuar në Skenderaj, ku dje Policia ka arrestuar një person që dyshohet se ka sulmuar fizikisht familjaren e saj. Viktima ka pranuar tretman mjekësor, kurse e dyshuara është liruar dhe rasti shkon në procedurë të rregullt./Drejtësia Sot