|

Search
Close this search box.

Projekt i realizuar nga:

drejtesiasot.com justice today drejtesia sot rolpik.org website logo

Miratohen amandamentet e Projektligjit për parandalimin dhe mbrojtjen nga dhuna në familje

Deputetëve të Kuvendit të Kosovës së shpejti pritet t’i propozohet votimi në lexim të dytë i Projektligjit për parandalimin dhe mbrojtjen nga dhuna në familje, dhuna ndaj grave dhe dhuna në baza gjinore.

Kjo për faktin se dje, anëtarët e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Viktima të Dhunës Seksuale të Luftës, Persona të Pagjetur dhe Peticione, miratuan amandamentet e këtij Projektligji.

Kryetarja e Komisionit, deputetja Duda Balje, theksoi se Projektligji bashkë me amandamentet e miratuara do të procedohen në Kryesinë e Kuvendit e më pas edhe për votimin e tyre në seancë plenare.

Ndryshe, ky Projektligj ishte votuar në lexim të parë në Kuvendin e Kosovës më datë 28 shkurt 2023, që përkon me Ditën Ndërkombëtare të Gruas.

Sa i përket qëllimit, dispozitat e këtij akti ligjor synojnë të parandalojnë dhe trajtojnë dhunën ndaj grave, dhunën në familje dhe dhunën në baza gjinore.

Po ashtu, Projektligji synon të mbrojë dhe të kontribuojë në eliminimin e të gjitha formave të diskriminimit ndaj grave, promovimin e barazisë gjinore dhe fuqizimin e grave si dhe të ndërtojë mekanizmat e nevojshëm për ofrimin e mbështetjes ndaj viktimave të të gjitha formave të dhunës.

Dispozitat e këtij Projektligji parashihen të jenë të detyrueshme për të gjitha institucionet publike dhe private, individët, shoqërinë civile dhe profesionistët e tjerë përgjegjës, për të ofruar ndihmë, mbështetje, mbrojtje dhe ruajtjen e dinjitetit të viktimave të të gjitha formave të dhunës, sipas dispozitave të këtij Ligji, legjislacionit tjetër në fuqi në Republikën e Kosovës, si dhe konventave dhe instrumenteve kryesore ndërkombëtare të zbatueshme drejtpërdrejt në sistemin e brendshëm juridik./Drejtësia Sot

Facebook
Pinterest
LinkedIn
Twitter