Policia e Kosovës njofton se gjatë 24 orëve të fundit ka arrestuar tre persona si të dyshuar për kryerjen e veprës penale “Dhuna në familje”.
Nga raporti policor bëhet e ditur se tre personat e arrestuar janë nga rajoni i Prishtinës, dhe se për dy prej tyre është caktuar masa e ndalimit 48 orësh ndërsa i dyshuari i tretë është liruar në procedurë të rregullt.
Kësisoj, rasti i parë është raportuar në Prishtinë, ku dyshohet që gjatë ditës së djeshme një person ka kanosur familjaren e tij. Sipas Policisë, këtij rasti i kishte paraprirë një mosmarrëveshje në mes viktimës dhe të dyshuarit. Pas intervistimit, i arrestuari është dërguar në mbajtje.
Rasti i dytë i raportuar në 24 orët e fundit dyshohet se ka ndodhur në Podujevë,. Policia njofton se është arrestuar dhe më pas është dërguar në mbajtje një person i dyshuar për dhunë të ushtruar ndaj disa anëtarëve të familjes.
Ndërsa lidhur me rastin e dhunës në familje të raportuar në Fushë Kosovë, Policia bën të ditur se viktima mashkull kosovar ka raportuar se pas një mosmarrëveshje është sulmuar fizikisht nga familjarja e tij.
Viktima ka pranuar tretman mjekësor, ndërsa me vendim të prokurorit, e dyshuara është liruar në procedurë të rregullt./Drejtësia Sot