|

Search
Close this search box.

Projekt i realizuar nga:

drejtesiasot.com justice today drejtesia sot rolpik.org website logo

Gjykimi ndaj Sami Lushtakut dhe të tjerëve, mbrojtja kërkon shpalljen e disa provave si të papranueshme

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë sot ka filluar të mbahet gjykimi ndaj të akuzuarve Sami Lushtaku, Sheremet Jashari, Rrustem Rukolli, Rexhep Xhota, Skënder Tahiri, Fatmir Mjaku e Bajram Dibrani.

Drejtësia Sot” raporton se Lushtaku dhe të tjerët po akuzohen për krim të akuzuar dhe pengim të dëshmisë apo procedurës zyrtare si dhe frikësimin gjatë procedurës penale.

Në lidhje me paraqitjen e fjalës hyrës, prokurorja e rastit Florije Shamolli, si dhe mbrojtësit e të akuzuarve deklaruan se do t’i paraqesin në formë të shkruar dhe do t’i elaborojnë shkurtimisht në seancën e radhës.

Ndërsa, në provat të cilat do të administrohen përgjatë shqyrtimit gjyqësor të kësaj çështje, avokati Artan Qerkini theksoi se disa prej provave duhet të shpallen si të papranueshme, ndër to provat që kanë të bëjnë me dokumentacionin serb i siguruar nga shteti i Serbisë në formë të raporteve mjekësore dhe disa faturave që kanë të bëjnë me trajtimin mjekësor të bashkëshortes së dëshmitarit C, e të cilat prova janë siguruar pa ndihmë juridike ndërkombëtare.

“Të gjitha përgjimet në lidhje me dëshmitarin C duhet të shpallen prova të papranueshme”-  deklaroi tutje avokati Qerkini, me arsyetimin se në legjislacionin penal nuk theksohet përgjimi i dëshmitarit, por i të pandehurit.

Pamundësia e zbatimi të parimit të kontradiktoritetit, marrjen dhe ballafaqimin e dëshmitarëve, për ata që tashmë janë të paarritshëm, u theksua si problematikë në lidhje me konsiderimin si prova në këtë procedurë.

Tutje, prokurorja Shamolli në deklarimin e saj theksoi se duhet të hudhet poshtë propozimi i mbrojtësit Qerkini, në lidhje me shpalljen e provave të lartpërmendur si të papranueshme.

Në vazhdim të seancës, gjyqtari Valon Kurtaj, njoftoi palët që në lidhje me propozimin e tillë të mbrojtjes do të marrë vendim të posaçëm dhe do jepet mundësia e kundërshtimit të të njëjtit.

Seancat e radhës në këtë çështje u caktuan të mbahen më 3 nëntor 2023, nga ora 09:30,  6 dhe 7 nëntor 2023, nga ora 13:30 dhe 29 e 30 nëntor 2023, nga ora 09:30.

Dëshmitarët të cilët sipas prokurorisë janë penguar dyshohet se kanë dhënë deklarata të rrejshme në shqyrtimin gjyqësor ku po gjykoheshin Sami Lushtaku, Sahit Jashari, Sabit Geci dhe Ismet Haxha për rastin e arratisjes nga QKUK-ja.

Sipas Prokurorisë, ata dyshohet të kenë mohuar deklaratat e dhëna në procedurë paraprake si rezultat i ndikimit nga të pandehurit.

Sipas aktakuzës, të pandehurit kanë nxitur dëshmitarin “C” për të dhënë deklaratë të rrejshme, duke i premtuar vend pune dhe i kanë ofruar shumën e parave në shumë prej 40 mijë euro dhe një banesë në lagjen Dardania në Prishtinë.

Në këmbim të mohimit të deklaratës në procedurë paraprake, të pandehurit i kishin paguar dëshmitarit “C” edhe trajtimin e gruas së tij në spital.

Kjo deklaratë e rrejshme kishte penguar në gjykimin e rastit “Arratisja nga QKUK-ja” – P.938/13, ku ishin liruar nga akuza të pandehurit Sami Lushtaku, Sahit Jashari dhe Sabit Geci, thuhet në dosjes së Prokurorisë.

Përveç këtij dëshmitari, ata dyshohen se kanë ndikuar edhe në një dëshmitar tjetër duke e kërcënuar.

Sipas dosjes së prokurorisë, veprimet e të pandehurve në procedurë përbëjnë shkeljet sipas Kodit Penal: “Pengim të dëshmisë apo procedurës zyrtare dhe “Frikësimi gjatë procedurës penale” dhe “Pjesëmarrje në një grup të organizuar kriminal”.

Ndryshe, prokurori i EULEX-it, Romelu Matues, kishte ngritur aktakuzë ndaj Sami Lushtakut dhe të tjerëve më 17 nëntor 2016, të cilët i ngarkon me disa vepra penale e që lidhen me arratisjen e Lushtakut dhe të tjerëve nga QKUK, të cilët ishin dënuar në rastin e njohur si “Grupi i Drenicës”, dhe që në këtë qendër kishin shkuar për të marr shërbime mjekësore, për shkak të problemeve shëndetësore.

Për të akuzuarit Rrustem Rrukolli, Fatmir Mjaku, Rexhep Xhota, Skënder Tahiri, Sheremet Jashari dhe Bajram Dibrani për pikat 16, 17 dhe 18 të aktakuzës, të cilat kanë të bëjnë me pengimin e dëshmitarëve ishte veçuar procedura.

Ndërsa për këtë pjesë, bashkë me gjashtë të akuzuarit do të gjykohen edhe Sami Lushtaku dhe Ismet Haxha, të cilët gjithashtu do të gjykohen edhe për pjesën tjetër të aktakuzës, që ka të bëjë me arratisjen nga QKUK-ja.

Për pikat 16, 17 dhe 18 të aktakuzës, Sami Lushtaku, Ismet Haxha, Rrustem Rrukolli, Fatmir Mjaku, Rexhep Xhota, Skender Tahiri, Sheremet Jashari dhe Bajram Dibrani, ngarkohen me veprat penale “pengimi i dëshmisë apo procedurës zyrtare”, “frikësimi gjatë procedurës penale” dhe “pjesëmarrja në grup të organizuar kriminal”.

Kjo seancë e cila kishte cilësinë e procedurës statusore, u mbajt për koordinim në lidhje me seancat e radhës dhe radhën e dëshmitarëve që do të dëgjohen në këtë çështje penale, e ku të pranishëm ishin Sami Lushtaku, ish- Kryetar i Komunës së Skenderajt, të akuzuarit tjerë dhe mbrojtësit e tyre./Drejtësia Sot

Shënim: Të akuzuarit e përmendur në këtë postim konsiderohen të pafajshëm derisa të vërtetohet fajësia e tyre me aktgjykim të formës së prerë të gjykatës.

Monitorues Leotrim Pajaziti

Facebook
Pinterest
LinkedIn
Twitter