Prishtinë, 25 shtator 2023– Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ka dështuar të mbahet seanca ndaj të akuzuarit Hasan Makolli, i cili në cilësinë e zyrtarit policor po akuzohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe manipulim me prova.
Seanca e paraparë të mbahej sot nga ora 09:00, është anuluar, për shkak të mungesës së të akuzuarit Makolli, ku mbrojtja ka njoftuar për mungesën e tij, pasi që kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Alltën Murseli kërkoi nga ai që të deklarohej lidhur me mungesën e të mbrojturit të tij.
Mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Alban Makolli, deklaroi se nga i mbrojturi është njoftuar dje përmes telefonit se nuk mund të merrë pjesë në seancën e sotme, duke marrë parasysh që i njëjti gjendet i angazhuar në kuadër të situatës në pjesën veriore të Republikës së Kosovës.
Përvec mungesës së të akuzuarit, në seancë mungoi edhe i dëmtuari Premtim Ipshi për të cilin gjykatësja Murseli tha se i njëjti nuk e ka arsyetuar mungesën edhe pse kishte qenë i njoftuar në seancën e kaluar.
Seanca e radhës u caktua të mbahet më 6 dhjetor 2023.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë,, i pandehuri Hasan Makolli në cilësinë e personit zyrtar, deri sa punonte në Njësinë për Reagim të shpejtë-DRP Prishtinë, me pozitë zyrtar policor, ka keqpërdorur pozitën apo autoritetin e tij zyrtar, pasi që me datë: 17.07.2020, rreth orës 21:50, i pandehuri i lartëcekur Hasan Makolli ka shkuar në objektet e biznesit Radio Taxi “Beki”, ku kishte ndodhur një rrahje ndërmjet punonjësve të këtij biznesi, Skender Rama, Bekim Rama, Valdet Aliu dhe Hajdin Hajdini me të dëmtuarin Premtim Ipshi. Ku pas incidentit (rrahjes) të ndodhur ndërmjet punonjësve, në bazë të audio-video inçizimeve, i pandehuri i lartcekur Hasan Makolli iu kishte dhënë instruksione apo udhëzime palëve të dyshuara, të përfshira në atë rast, se çfarë të deklarojnë ata lidhur me rrahjen e të dëmtuarit të lartcekur Premtim Ipshi, si dhe të i fshinin audio-video inçizimet nga kamerat të cilat kanë mundur të filmojnë momentin e incidentit (rrahjes) ndërmjet punonjësve të biznesit Radio Taxi “Beki” Skender Rama, Bekim Rama, Valdet Aliu dhe Hajdin Hajdini me të dëmtuarin Premtim Ipshi.
Sipas këtyre veprimeve, i akuzuari akuzohet për kryerjen e veprës penale, ‘Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’ dhe veprës penale ‘Manipulim me prova’.
Shënim: Të akuzuarit e përmendur në këtë postim konsiderohen të pafajshëm derisa të vërtetohet fajësia e tyre me aktgjykim të formës së prerë të gjykatës.
Monitoroi Leotrim Pajaziti