|

Search
Close this search box.

Projekt i realizuar nga:

drejtesiasot.com justice today drejtesia sot rolpik.org website logo

Dështon të mbahet seanca e shqyrtimit gjyqësor ndaj Kryeparlamentarit Glauk Konjufca

Në Departamentin e Përgjithshëm – Divizionin Penal të Gjykatës Themelore në Prishtinë ka dështuar të mbahet seanca e shqyrtimit gjyqësor në rastin ku Kryeparlamentari Glauk Konjufca akuzohet se më datë 10 gusht 2016, në cilësi të deputetit ka hedhur gaz lotsjellës në sallën e Kuvendit të Kosovës.

Në mungesë të të akuzuarit Glauk Konjufca, poashtu dhe të dëshmitarëve Pal Lekaj, Valdete Bajrami si dhe Sllobodan Petroviq, gjyqtarja e rastit Edita Çanta konstatoi se nuk ka kushte ligjore për mbajtjen e seancës së sotme.

Lidhur me mungesën e Kryeparlamentarit Konjufca, mbrojtësja e tij, avokatja Arbnore Zeqiri theksoi se ka tentuar të kontaktojë me të dhe zyrën e tij, por që ka qenë e pamundur.

Ndërsa prezent në sallë ishte prokurori i rastit Besart Mustafa, si dhe dëshmitari Sabri Hamiti.

Seanca e radhës u caktua të mbahet me datë 8 shkurt 2024, në ora 10:00.

Në seancën e kaluar gjyqtarja e rastit Çanta kishte deklaruar se ka kaluar dyfishi i ndjekjes penale për veprën penale “Pengimi i personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrave zyrtare” parashikuar nga neni 409, paragrafi 1 të Kodit Penal, për të cilën akuzohej poashtu Kryeparlamentari Konjufca, meqë rast ka nxjerrë aktgjykim për parashkrim të veprës penale, ndërsa tashmë vazhdohet gjykimi për veprën tjetër të përdorimit të armës apo mjetit të rrezikshëm

Kujtojmë që në rastin ndaj Kryeparlamentarit Konjufca kishin dështuar më herët të mbahen pesë seanca me radhë.

Seanca fillestare në këtë cështje penale ishte mbajtur më 19 prill 2022, në të cilën Kryeparlamentari Konjufca ishte deklaruar i pafajshëm lidhur me veprat penale që i vihen në barrë.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Glauk Konjufca ngarkohet për veprat penale të përdorimit të armës apo mjetit të rrezikshëm si dhe për pengim të personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrave zyrtare.

I akuzuari Konjufca ngarkohet se më 10 gusht 2016, si deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës, në kundërshtim me ligjin ka përdorur armë, ashtu që gjatë mbledhjes ku merrnin pjesë kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, dhe deputetët Adem Grabovci, Ismet Beqiri, Sabri Hamiti, Pal Lekaj, Valdete Bajrami dhe Sllobodan Petroviq, ka përdorur gazin lotsjellës.

Aktakuza sqaron se i akuzuari Konjufca gjatë përdorimit të gazit lotsjellës ka penguar personat zyrtarë si kryetarin e Kuvendit, Kadri Veselin dhe disa deputetë të Kuvendit në kryerjen e detyrave zyrtare.

Shënim: Të akuzuarit e përmendur në këtë postim konsiderohen të pafajshëm derisa të vërtetohet fajësia e tyre me aktgjykim të formës së prerë të gjykatës.

Monitoruar nga: Leotrim Pajaziti

Facebook
Pinterest
LinkedIn
Twitter