Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ka dështuar të mbahet seanca ndaj tetë zyrtarëve dhe dy qytetarëve të akuzuar për korrupsion dhe mashtrim me subvencione, në rastin e njohur si “Subvencioni IV”.
Gjyqtari i rastit Mentor Bajraktari konstatoi mosplotësimin e kushteve ligjore për mbajtjen e seancës, si shkak i mungesës së të akuzuarit Hasan Maxharraj, mbrojtësit të të akuzuarit Luan Statovci, avokatit Naim Rudari, si dhe mungesës së të akuzuarit tjetër Berat Nika, i cili e ka arsyetuar mungesën e tij.
Në seancën e sotme prezente nuk ishte edhe përfaqësuesja e Avokaturës Shtetërore, Aida Aliu, e cila e ka njoftuar gjykatën për mungesën e saj.
Seanca e radhës u caktua të mbahet me datë 12 shkurt 2024, në ora 09:30.
Në aktakuzën e ngritur nga Prokuroria e Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), thuhet se të akuzuarit në këtë rast janë: Hasan Maxharraj, Luan Statovci, Berat Nika, Sabit Shkodra, Musa Nivokazi, Bajram Gashi, Pajtim Krasniqi, Halit Berisha, Gjon Musolli dhe Lulzim Hajdaraj
Sipas aktakuzës së ngritur nga PSRK-ja, 10 të akuzuarit të gjithë së bashku dyshohet se kanë kryer veprat penale “marrje ryshfeti”, “ushtrim ndikimi”, “mashtrim në detyrë”, “ndihmë në veprën penale marrje ryshfeti”, “dhënie ryshfeti”, si dhe “mashtrim me subvencione”.
Shënim: Të akuzuarit e përmendur në këtë postim konsiderohen të pafajshëm derisa të vërtetohet fajësia e tyre me aktgjykim të formës së prerë të gjykatës.
Monitoruar nga: Leotrim Pajaziti