Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, të martën janë deklaruar pesë dëshmitarë në rastin e mjekut ortoped Sabit Sllamniku, i cili në cilësinë e personit zyrtar po akuzohet se në dy raste kishte kërkuar nga 100 euro për secilin nga anëtarët e komisionit, përkatësisht shumën prej 300 euro, në emër të vlerësimit të shkallës së invaliditetit.
Dëshmitari Jaha u përgjigj në pyetjet e mbrojtësit të të akuzuarit Sllamniku, avokatit Driton Muharremi, si edhe të të akuzuarit Sllamniku, lidhur me intervenimin kirurgjik tek i dëmtuari, kërkesat e tij për analiza shtesë, deklarimin e tij për abuzimin me substance narkotike dhe lëndimin e nervit gjatë injektimit me shiring nga i dëmtuari Sakiq, përpilimin e raportit mbi ekzaminimin e pacientit, tashmë të dëmtuarit Sakiq etj.
Sipas të akuzuarit Sllamniku, pacienti mund të ec dhe të qëndron në këmbë, i njëjtit ka mashtruar mjekët dhe gjykatën, ku trupit gjykues ja paraqiti një foto të të dëmtuarit i cili shihet në këmbë duke hyrë në veturë në seancën e kaluar dhe që atë ditë ka qenë i përcjellur nga policia.
Ndërsa në vazhdim të seancës u dëgjuan tre mjek si dëshmitar, Gentian Morina, Florije Shunjaku dhe Iliri Miftari, të cilët kanë qenë pjesë e komisioneve përkatëse për ekzaminimin e pacientëve në bazë të vendimeve të gjykatës dhe që të tre pohuan se i akuzuari Sabit Sllamniku ka qenë kryetar i komisionit. Ndërsa lidhur me pagesat, dëshmitarja Shunjaku pohoi se i është kërkuar deponimi në xhirollogari të saj i 100 eurove në emër të pacientit me kërkesë të të akuzuarit Sllamniku, por që është marrë fletëpagesë dhe i është dorëzuar të akuzuarit për ta bashkangjitur në raportin për gjykatë.
Në seancën e sotme si dëshmitare u dëgjua edhe shefja e zyrës ligjore të SHSKUK-së Medie Berisha, e cila u deklarua lidhur me procedurën e caktimit të anëtarëve të komisionit si dhe kryetarit të komisionit, njëkohësisht edhe lidhur me me dorëzimin e lëndës të pacientes Fazile Krasniqi etj.
Në fund të seancës, mbrojtësi i të akuzuari Sllamniku, avokati Driton Muharremi i propozoi trupit gjykues që në seancën e radhës të dëgjohet si dëshmitar drejtori i personelit të SHSKUK-së Skender Shabani dhe drejtori financiar Sherif Bytyqi, meqë rast trupi gjykues e refuzoi propozimin e parë, ndërsa aprovoi propozimin për dëgjimin e drejtorit financiar si dëshmitar në këtë rast.
Seanca e radhës u caktua të mbahet me datë 23 shkurt 2024, ora 09:00.
Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 1 nëntor 2022, e ka ngritur aktakuzën ndaj të pandehurit Sabit Sllamniku i cili në cilësinë e personit zyrtar, mjek ortoped, në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës – Klinikën e Ortopedisë, Kryetar i Komisionit për vlerësimin e shkallës së invaliditetit, duke vepruar në pajtim me detyrën e tij zyrtare, e me qëllim të përfitimit të drejtpërdrejtë për vete, në kundërshtim me Aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Departamenti për çështje Administrative, A.nr.2532/18 i 11 marsit 2021, nga i dëmtuari Ekrem Saçi, në emër të vlerësimit të shkallës së invaliditetit të tij, ka kërkuar nga 100 euro për secilin nga anëtarët e komisionit, përkatësisht shumën prej 300 euro.
Me këtë Sllamniku po akuzohet se ka kryer veprën penale marrja e ryshfetit nga neni 421 par 1. të KPRK-së.
Ndërsa, sipas diapozitivit të dytë, Sllamniku po akuzohet se në cilësinë e personit zyrtar, mjek ortoped, në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës – Klinikën e Ortopedisë, Kryetar i Komisionit për vlerësimin e shkallës së invaliditetit në kundërshtim me Aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Departamenti për çështje Administrative, A.nr.1910/18 i 17 marsit 2021, me qëllim që të përfitoj për vete dhe për anëtarët e tjerë të komisionit Ilir Miftari dhe Gentian Morina, me 11 qershor 2021 nga e dëmtuara Fazile Krasniqi, në emër të vlerësimit të invaliditetit të saj në cilësi të kryetarit të komisionit ka kërkuar që përmes bankës të paguhen nga 100 euro për secilin nga anëtarët e komisionit, përkatësisht shumën prej 300 euro, ashtu që djalit të dëmtuarës Festim Krasniqi në të njëjtën datë, në llogaritë bankare të të pandehurit, dhe anëtarëve të tjerë të komisionit ka deponuar shumat nga 100 euro, me ç’rast tani të dëmtuarës Fazile Kransiqi, përkatësisht Festim Krasniqit i kanë shkaktuar dëm material në shumën prej 300 euro.
Me këtë ka kryer veprën penale keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar nga nenin 414 par.1 të KPRK-së.
Shënim: Të akuzuarit e përmendur në këtë postim konsiderohen të pafajshëm derisa të vërtetohet fajësia e tyre me aktgjykim të formës së prerë të gjykatës.
Monitoruar nga: Leotrim Pajaziti