Projekt i realizuar nga:

Dështon të mbahet shqyrtimi fillestar ndaj të akuzuarve për Korrupsion

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamentin për Krime të Rënda, ka dështuar të nis gjykimi ndaj të akuzuarve Dardan Berila, i akuzuar për veprën penale: ‘Keqpërdorimi dhe mashtrimi në Prokurim publik’ si dhe të akuzuarit Bujar Hoxha, i akuzuar për veprën penale ‘Falsifikimi i dokumentit’.

Në hapje të shqyrtimit fillestar, kryetari i trupit gjykues, gjyqtari Gazmend Bahtiri, konstatoi prezencën e palëve, rrjedhimisht, Prokurorit të shtetit, Bashkim Zeqaj, si dhe të të akuzuarve Dardan Berila me mbrojtësin e tij, av. Ridvan Ajvazi dhe Bujar Hoxha me mbrojtësin e tij av. Avni Ibrahimi.

Para fillimit të leximit të aktakuzës, mbrojtësi i të akuzuarit Bujar Hoxha, av. Avni Ibrahimi, theksoi një kërkesë të tij lidhur me pranimin e fajësisë për të mbrojturin e tij, i cili akuzohet për veprën penale ‘Falsifikim i dokumentit’, dhe rrjedhimisht nga Gjykata shtoi se kërkon një afat shtesë për konsultim dhe arritje të marrëveshjes së pranimit të fajësisë.

Prokurori i shtetit, Bashkim Zeqaj theksoi se nuk e kundërshton këtë propozim lidhur me pranimin e fajësisë dhe rrjedhimisht, Prokuroria u obligua që në afat prej 60 ditësh të njoftoj Gjykatën lidhur me arritjen e marrëveshjes për pranimin e fajësisë.

Kryetari i trupit gjykues, Gazmend Bahtiri theksoi se seanca e sotme duhet të ndërpritet dhe se në seancën e radhës do të procedohet sipas gjendjes e cila do të konfirmohet nga Prokuroria lidhur me pranimin e fajësisë.

Seanca e radhës u caktua të mbahet me datë: 02 Tetor, nga ora 09:30.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë, Dardan Berila, akuzohet për veprën penale ‘Keqpërdorimi dhe mashtrimi në Prokurim Publik’, nga neni 415, i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Ndërsa, i akuzuari Bujar Hoxha, akuzohet për veprën penale ‘Falsifikim i dokumentit’, nga neni 390 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Shënim: Të akuzuarit e përmendur në këtë postim konsiderohen të pafajshëm derisa të vërtetohet fajësia e tyre me aktgjykim të formës së prerë të gjykatës.

Monitoruar nga Arton Hoxha

Facebook
Pinterest
LinkedIn
Twitter