Në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamenti Special, ka dështuar nisja e gjykimit ndaj të akuzuarve Metush Biraj për veprën penale të ‘Marrjes së rryshfetit’ dhe Shkodran Pulaj dhe Naim Osmani, të akuzuar për veprën penale të ‘Dhënies së rryshfetit’.
Në hapjen e shqyrtimit fillestar, gjyqtari i rastit, Lufti Shala, ka konstatua mungesën e Prokurorit Special, i cili nuk kishte arsyetuar mungesën e tij, megjithëse ishte ftuar në mënyrë të rregullt. Të pranishëm ishin të akuzuarit Metush Biraj, përfaqësuar nga mbrojtësi i tij Reshat Millaku; Shkodran Pulaj, përfaqësuar nga mbrojtësi i tij Rinard Pulaj dhe Naim Osmani, përfaqësuar nga mbrojtësi i tij Teki Bokshi.
Gjithashtu, gjyqtari i rastit ka njoftuar se kjo lëndë përmes prokuroris së Gjilanit është deleguar në Porkuroin speciale në Prishtinë, ku rrjedhimisht tutje është caktuar për shqyrtim në Gjykatën Themelore në Prishtinë-Departamenti special.
Për shkak të mungesës së Prokurorit Special dhe, për rrjedhojë, mungesës së kushteve ligjore për zhvillimin e seancës, gjyqtari i rastit ka vendosur ta shtyjë seancën për datën 11.09.2024 në ora 13:15.
Sipas aktakuzës, i pandehuri Metush Biraj, në mes të muajve prill dhe korrik të vitit 2023, në Prizren, në cilësi të prokurorit të shtetit të Prokurorisë Themelore në Prizren, pranon ofertën ose premtimin për dhuratë, në shumë prej 20.000 €, në atë mënyrë që gjatë përfaqësimit në Gjykatën Themelore në Prizren, më 31.03.2023, në këmbim të premtimit heq dorë nga ndjekja penale në mungesë të provave ndaj të akuzuarve: N.O., U.S. dhe A.S., për shkak të veprës penale ‘’Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge’’, të KPRK-së.
Prokuroria Themelore e Gjilanit njofton se me këto veprime ka kryer veprën penale ‘’Marrja e ryshfetit’’ nga neni 421 paragrafi 1 të KPRK-së.
Ndërsa, të pandehurit Shkodran Pulaj dhe Naim Osmani, me dashje dhe në mënyrë të drejtpërdrejtë kanë premtuar dhënien e ryshfetit për personin tjetër – tani të pandehurin Metush Biraj, me qëllim që i njëjti, në cilësinë e prokurorit të shtetit, në përfundim të shqyrtimit gjyqësor te datës 31.03.2023, të heq dorë nga aktakuza kundër të akuzuarve N.O., U.S. dhe A.S., për shkak të veprës të sipërshënuar penale. Me këto veprime kanë kryer veprën penale ’’ Dhënia e ryshfetit’’ nga neni 422 paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së.
Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse
nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.
Monitorues Ilir Koçani










