Në Gjykatën Themelore në Prishtinë është mbajtur seanca e shqyrtimit gjyqësor në rastin ndaj Faton Gurguri, Endi Bujupi, Visar Xhekaj dhe Martin Biserov, të cilët akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare.
Në seancën e sotme prokurori i rastit Kujtim Munishi paraqiti fjalën hyrëse për të katër të akuzuarit, meqë rast deklaroi se të akuzuarit kanë keqpërdorur detyrën zyrtare duke rrezikuar sigurinë e përgjithshme të pasagjerëve si dhe të aviacionit civil përmes lejimit të kalimit të bagazheve pa hyrë në kontrollin e X-Ray.
Tutje, përfaqësuesja e palës së dëmtuar, të Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës ‘Adem Jashari’ Leonora Fejzullahu, dorëzoi tek trupi gjykues parashtresë me të cilën tërhiqen nga ndjekja penale ndaj të gjithë të pandehurve dhe nuk parashtrojnë kërkesë pasurore-juridike, për arsye se konsiderojnë se nuk është kryer vepër penale dhe se nuk kanë pasur dëm në raport me veprimet e bëra dhe poashtu nuk është zhvilluar asnjë procedurë e brendshme në komisionet në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës.
Ndërsa në vazhdim të seancës, mbrojtësit tjerë të të akuzurve paraqitën fjalët hyrëse, duke theksuar se të akuzuarit janë të pafajshëm dhe se në shqyrtim gjyqësor do të vërtetohet pafajësia e tyre, poashtu theksuan faktin e tërheqjes nga ndjekjes dhe moskonsiderimi si palë e dëmtuar të përfaqësueses së ANP-së.
Gjithashtu, edhe mbrojtësi i të akuzuarit Biserov- Alekov, avokati Shodran Manaj tha se në tërësi e kundërshtojnë aktakuzën e Prokurorisë me arsyetimin se është e pabazuar dhe se nuk ka prova me të cilat vërtetohet që i mbrojturi i tij ka keqpërdorur pozitën zyrtare, përkatësisht kompetencat e tij.
Sipas mbrojtësit Manaj, i akuzuari Martin Biserov-Alekov nuk e kishte as cilësinë e personit zyrtar siç kërkohet me ligj sepse nuk ushtron detyra të posaçme brenda kompanisë siç përkufizohet me ligj. I njëjti deklaroi se nga ky rast nuk është dëmtuar asnjë palë, duke i propozuar gjykatës që në fund të nxjerrë aktgjykim lirues.
Pas kësaj, gjyqtari i rastit Gëzim Ademi, aprovoi propozimin e avokatit Manaj që seanca e sotme të ndërprehet, me arsyetimin se ai ishte vetëm avokat zëvendësues dhe se nuk mund të vazhdonte që të bënte pyetje për dëshmitarët.
Në këto rrethana, seanca e sotme u ndërpre.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë, të ngritur me 2 prill 2020, të akuzuarit Faton Gurguri, Endi Bujupi, Visar Xhekaj, në cilësinë personave zyrtar të licencuar operator për X-Ray dhe i akuzuari Martin Biserov Alekov, në cilësinë e inxhinierit të elektronikes dhe në cilësinë e mbikëqyrësit automatik në Aeroportin ndërkombëtar “Adem Jashari”, kishin keqpërdorur detyre zyrtare, ku me 18 gusht 2019, derisa kishte qenë greva e punëtorëve të këtij aeroporti, në pjesën ku ishte bërë monitorimi i dy pajisjeve LRDX1 dhe LRDX2 për kalimin e bagazheve të udhëtarëve, të akuzuarit Gurguri dhe Bujupi nuk e kishin monitoruar punën e pajisjeve në monitor, ndërsa Xhekaj nuk e kishte monitoruar zonën sterile të aeroportit për largimin e valixheve.
Për shkak të këtyre mos veprimeve, valixhet kishin rezultuar si të dyshuara nga pajisjet e lartcekura, me ç’rast pajisjet ishin bllokuar prej ngarkesës së bagazheve dhe në mungesë të operatorëve X-Ray.
Sipas prokurorisë, i akuzuari Martin Biserol Alekov, si mbikëqyrës i takëve që lëvizin në aeroport për bartjen e valixheve, kishin ndërhyrë duke e hapur barrierën dhe lëshuar traken që bagazhet të kalojnë nëpër pajisjen VIS HR, i cili sistem është manual dhe hyn në funksion vetëm në rastet reserve ‘Back up’ dhe asnjëherë traka që dërgon bagazhet në VIS HR nuk guxon të operojë pa u kontrolluar imazhet e VIS HR.
Kështu, 99 bagazhe kishin kaluar në këtë mënyrë duke u ngarkuar në depo të aeroplanit nga ana e të akuzuarit Biserov Alekov, si të dyshuara dhe të kontaminuar dhe po ashtu ishin ngarkuar edhe 6 bagazhe të ndara, të dyshuara, të cilat ishte dashur të rikontrollohen nga operatori X-Ray.
Katër të akuzuarit me këto veprime, sipas prokurorisë, kishin rrezikuar jetën e pasagjerëve dhe ekuipazhit, sigurinë e aviacionit civil dhe imazhin e Republikës së Kosovës në arenën Ndërkombëtare.
Sipas aktakuzës, të katër të akuzuarit po akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414, par.1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së.
Shënim: Të akuzuarit e përmendur në këtë postim konsiderohen të pafajshëm derisa të
vërtetohet fajësia e tyre me aktgjykim të formës së prerë të gjykatës.
Monitoruar nga: Leotrim Pajaziti










