Në Gjykatën Themelore në Pejë, Departamenti për Krime të Rënda, sot është dhënë fjala hyrëse ku i akuzuar është Lulzim Blakaj për veprën penale Falsifikim i dokumentit zyrtar.
Prokurorja e çështjes Valbona Disha-Haxhosaj tha se, mbetet në tërsi pranë fjalës hyrëse të cilën e ka dhënë gjatë shqyrtimit të mëparshëm gjyqësor duke shtuar se, sa i përket rekomandimeve të Gjykatës së Apelit të konstatuara në aktgjykim për të njëjtat do të veproj gjatë shqyrtimit gjyqësor.
Gjithashtu edhe mbrojtësja e të akuzuarit Lulzim Blakaj, av. Albana Kelmendi tha se mbetet në tërsi pranë fjalës hyrëse në shqyrtimin e kaluar gjyqësor dhe ka kërkuar nga gjykata të ketë parasysh rekomandimet e dhëna nga Gjykata e Apelit.
Kryetari i trupit gjykues, gjyqtari Shaqë Curri tha se, meqenëse në këtë çështje penale ka qenë i akuzuar edhe Ismet Hasi e për të cilin tani me aktgjykimin e Gjykatës së Apelit është vërtetuar aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Pejë, ndërsa nga ana tjetër këtë çështje penale janë dëgjuar disa dëshmitar dhe janë administruar një numër i konsiderueshëm i provave materiale kështu që prokurorja dhe mbrojtësja e të akuzuarit në afat prej 2 javësh ta njoftojnë gjykatën me anë të parashtrese se cilët dëshmitar kërkojnë që të dëgjohen më këtë çështje penale ndaj të pandehurit Lulzim Blakaj.
Ndryshe me 31 korrik 2023, Gjykata Themelore në Pejë kishte shpalluar aktgjykim dënues për Ismet Hasin dhe Lulzim Blakaj.
Por Gjykata e Apelit me 26.04.2024 aprovoi ankesën e mbrojtëses por edhe sipas detyrës zyrtare e ka kthyer në rigjykim dhe vendosje çështjen penale vetëm sa i përket të pandehurit Lulzim Blakaj ndërsa për të pandehurin Ismet Hasi është vërtetuar aktgjykimi i Gjykatës Thelemore në Pejë.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Pejë të ngritur me datë 21.02.2021, i pandehuri Lulzim akuzohet se me 8 tetor 2020 në Istog, në dokumentin zyrtar të titulluar “Autorizim”, kishte shënuar të dhëna të rreme duke i vërtetuar edhe me vulë zyrtare, pasi që tani i ndjeri H.R dhe i pandehuri Blakaj me të kuptuar se për cilat raste janë duke u hetuar, i pandehuri kërkon nga zyrtari ligjor, dëshmitari F.B që të përpilojë dokumentin zyrtar “Autorizim”, i datës 18 prill 2018 dhe të njëjtin ta dërgojë tek ish-kryetari për nënshkrim, duke e urdhëruar të njëjtin që të hartojë këtë dokument kinse ka ekzistuar qysh në vitin 2018, me qëllim që t’i shmanget përgjegjësisë penale.
Me këtë, akuzohej se ka kryer veprën penale “Falsifikim i dokumentit zyrtar”.
Shënim: Të akuzuarit e përmendur në këtë postim konsiderohen të pafajshëm derisa të vërtetohet fajësia e tyre me aktgjykim të formës së prerë të gjykatës.
Monitoruar nga Elvana Hatashi