Projekt i realizuar nga:

Dëgjohen dy dëshmitarë, në rastin e Keqpërdorimit të detyrës zyrtarë në QKUK

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamentin për Krime të Rënda, me trup gjykues: Kryetar i trupit gjykues gjyqtari, Naser Foniqi dhe gjyqtarët Fatime Dërmaku, Ertan Sejfulla, në cilësi të anëtarëve të trupit gjykues, është mbajtur seanca e shqyrtimit gjyqësor ndaj të akuzuarve: Faton Hajzeraj, Leutrim Jahja dhe Ylber Krasniqi, të cilët akuzohen për veprën penale në bashkëkryerje ‘Keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtarë’.

Në hapje të shqyrtimit gjyqësor, kryetari i trupit gjykues, gjyqtari Naser Foniqi theksoi se, në seancën e sotme do të vazhdohet me dëgjimin e dëshmitarëve, M.D dhe V.K.

Në dëshminë e saj, dëshmitarja M.D. nga pytjet e Prokurorës së shtetit, Fatmire Cacaj, sa i përket rastit konkret, në shkresat e lëndës figuron një raport i auditimit, dëshmitarja theksoi se në këtë raport ka qenë udhëheqëse e ekipit të auditimit, dhe të gjeturat në këtë raport kishin qenë, evidentimi i dhomës së monitorimit, konkretishtë në raport kishin kërkuar lidhur me këtë cështje, shtoi se nuk e kanë gjetur të ketë pasur dhomë të monitorimit të kamerave.

Dëshmitarja theksoi se, menaxheri i kontratës, ju ka thënë se ka pasur një projekt por nuk është realizuar, shtoi se lidhur me arsyen e mos realizimit nuk ka njohuri.

Në vazhdim, dëshmitarja theksoi se, sa i përket vizitës në depo, nuk kanë të përpiluar ndonjë proces-verbal, vetëm kanë biseduar, ndërsa, përgjatë intervistës me menaxherin e kontratës, tani të akuzuarin Leutrim Jahja, kanë mbajur proces-verbal, e njejta vlen edhe për intervistimin e tani të akuzuarit Faton Hajzeraj.

Tutje, dëshmitarja, theksoi se pas kësaj vizite e kanë ndërprerë procedurën e auditimit, pasi që nuk e kanë gjetur planin e menaxhimit të konratës, si dhe raporteve të vendosjes së kamerave, tutje shtoi se, këtë raport e kanë përgatitur me kërkesë të bordit të SHSKUK.

Në pytjet e mbrojtësit të të akuzuarit, Faton Hajzeraj, av. Armend Krasniqi, dëshmitarja theksoi se në momentin e dorëzimit të raportit, nuk i kujtohet të ketë qenë periudhë e pandemisë, Covid – 19.

Ndërsa, nga pytjet e të akuzuarit Faton Hajzeraj, dëshmitarja theksoi se, sipas kontratës theksohet edhe vendi se ku do të dorëzohej malli, dhe ai vend ka qenë i shënuar në QKUK, përkatësishtë nuk ka qenë e shënuar të dorëzohej në depo.

Në pytjet e av. Fatbardh Makolli, mbrojtës i të akuzuarit, Leutrim Jahja  dëshmitarja theksoi se në rastin konkret nuk ju kishin dhënë mundësi të japin vërejtjet dhe komentet e tyre palëve të përfshira në auditim.

Kurse në pytjet e av. Fitim Limani, mbrojtës i të akuzuarit Ylber Krasniqi, dëshmitarja theksoi se të akuzuarin Ylber nuk e kanë marrë në pytje, pasi që kanë konsideruar se kishte qenë e mjaftueshme me intervistimet e dy të akuzuarve tjerë.

Tutje, në pytjet e kryetarit të trupit gjykues, gjyqtarit Naser Foniqi, lidhur me dyshimin që u përmend edhe më lartë, dëshmitarja theksoi se arsyeja ka qenë për shkak të mungesës së dokumentacionit si dhe dhomës së monitorimit të kamerave.

Ndërsa, në pytjen e anëtarës së trupit gjykues, gjyqtarës Fatime Dërmaku, dëshmitraja theksoi se kanë dyshuar se buxheti i SHSKUK është dëmtuar, përkatësishtë sipas raportit të auditimit.

Sa i përket ceshtjes së ndërprerjes së auditimit, në pytjen e anëtarit të trupit gjykues, gjyqtarit Ertan Sejfulla, dëshmitarja theksoi se rekomandimi ka qenë nga drejtori për ndërprerje të këtij procesi të auditimit.

Seanca ka vazhduar me dëgjimin e dëshmitarit të dytë V.K.

Në dëshminë e tij, nga pytjet e Prokurorës së shtetit, dëshmitari V.K. në përgjegjësi të tij, si U.D. Drejtor i SHSKUK, ndër tjera kishte qenë edhe menaxhimi i gjendjes me pandeminë Covid – 19.

Sa i përket rastit në fjalë, dëshmitari theksoi se, në njohuri të tij, ky projekt kishte filluar nga menaxhmenti paraprakë, përkatësishtë para se emërimit të tij në pozitën e U.D. Drejtor i SHSKUK. Për këtë projekt, dëshmitari shtoi se, deri në momentin e pranimit të raportit të auditimit nuk ka pasur njohuri më herët për këtë rast.

Tutje, dëshmitari shtoi se pas pranimit të këtij projekti, sipas detyrës zyrtare e ka dorëzuar tek organet hetuese, pasi në raport ishte cekur dyshimi për keqpërdorim. Ndërsa, sa i përket këtij rasti, personat tani të akuzuar, janë pezulluar nga puna, në bazë të përgjegjësisë së tyre ligjore.

Në vazhdim, dëshmitari theksoi se, cështja e financave është në përgjegjësi të Zyrës së Financave dhe nuk i njejti nuk ka bërë analizë për një shumë e cila përmendet në raportin e auditimit.

Ndërsa, në pytjet e av. Armend Krasniqi, dëshmitari theksoi se, në kohën kur janë ndërmarrë këto veprime sa i përket këtij projekti ka qenë kohë e pandemisë, Covid – 19.

Kryetari i trupit gjykues, gjyqtari Naser Foniqi, theksoi se pasi që është afër përfundimi i punës së Gjykatës, seanca e sotme duhet të ndërpritet, dhe dëshmitari do të vazhdojë të jap dëshminë në seancën e radhës.

Seanca e radhës do të mbahet me datë: 29 Korrik, nga ora 09:00.

Sipas aktakuzës të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, të përpiluar më 22 mars 2022, Faton Hajzeraj, Leutrim Jahja dhe Ylber Krasniqi, po akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 414, par.1 dhe 2, lidhur me par.3, pika 3.2. e lidhur me nenin 31 të KPRK-së.

Sipas kësaj aktakuze, më 22 dhjetor 2020, në QKUK, në cilësinë e personave zyrtarë IT në QKUK, dhe në bashkëkryerje, në kundërshtim me Ligjin për Prokurim Publik, në aktivitetin e prokurimit “Furnizimi dhe montimi i Sistemit të integruar të monitorimit me kamera dhe Integrimi i sistemit të kontrollit të qasjes”, kontratë e nënshkruar mes QKUK dhe “Artech”, kanë nënshkruar raport fiktiv se i tërë aktiviteti është kryer në dhjetor 2020, që përfshinë pranimin e mallit, ekzekutimi i punimeve dhe pranimi teknik i punimeve.

Më tej, thuhet se në këtë raport ka qenë e cekur se “materiali i pranuar nga komisioni ka qenë në përputhshmëri me kontratën dhe të gjitha pajisjet janë montuar dhe janë në funksion të plotë”, i cili raport sipas aktakuzës ka qenë në kundërshtim me gjendjen faktike.

Sipas kësaj aktakuze, projekti nuk është përfunduar dhe asnjë nga pajisjet nuk ka qenë funksionale, një pjesë e mallit është sjellë në QKUK në muajin shtator të vitit 2021, atëherë kur është bërë auditimi i tenderit dhe publikimi në media, andaj si pasojë e këtyre veprimeve të kundërligjshme buxhetit të QKUK, i kanë shkaktuar dëm material në shumën prej 104 mijë e 751 euro.

Shënim: Të akuzuarit e përmendur në këtë postim konsiderohen të pafajshëm derisa të vërtetohet fajësia e tyre me aktgjykim të formës së prerë të gjykatës.

Monitoruar nga Arton Hoxha

Facebook
Pinterest
LinkedIn
Twitter