Sot me datë 25.07.2024 , në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamentin për Krime të Rënda, me trup gjykues të përbërë nga kryetarja e trupit gjykues: Allten Murseli dhe antarët e trupit gjykues Gazmend Bahtiri dhe Gezim Ademi, është shpallure aktgjykim lirues në rastin e rigjykimit ndaj të akuzuarve: Artan Ferati dhe Besnik Beshi, të cilët akuzohen nga Prokuroria për veprën penale ‘Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtarë’& ‘Falsifikim i dokumentit zyrtar’.
Në aktgjykimin e shpallur nga kryetarja e trupit gjykues, gjyqtarja Allten Murseli, u theksua se me veprimet e të akuzuarve nuk është provuar se kanë kryer veprat penale, siç ngarkoheshin nga Prokuroria e shtetit.
Gjithashtu, kryetarja e trupit gjykues, shtoj se shpenzimet e procedurës bien në mjetet buxhetore të gjykatës, ndërsa palët e pa kënaqura me vendimin kan të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore.
Rikujtojm që më datë 18 Nëntor 2022, Gjykata Themelore në Prishtinë e kishte shpallur fajtor dhe dënuar me 6 muaj burgim efektiv të akuzuarin Artan Ferati, për vepren penale ‘Keqpërdorim të detyrës zyrtare’, ndërsa e kishte liruar nga akuza të akuzuarin tjeter Besnik Beshi, për vepren penale ‘Falsifikim të dokumentit zyrtar’.
Kurse Gjykata e Apelit më 13 korrik 2023 kishte marrë vendim për të kthyer çështjen në rigjykim, duke aprovuar pjesërisht ankesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë dhe ankesën e mbrojtësit të të akuzuarit Artan Ferati, avokatit Florent Latifaj.
Përndryshe , sipas aktakuzës së ngritur më 29 korrik 2016, Xhevdet Rama me dashje kishte ndihmuar doganierin Artan Ferati për të kryer vepër penale me vënien në dispozicion të mjeteve për kryerjen e veprës penale. Siç thuhet në aktakuzë, më 1 prill 2016, rreth orës 13:30, duke përcjellë me veturën e tij, furgonin që e kishte drejtuar, i akuzuari Selatin Krasniqi, me vetëdije të plotë e kishte transportuar oficerin doganor Artan Ferati prej ZBD në Prizren, deri në Prishtinë.
Më pas, thuhet se me të arritur në SHPK “Eri Group” për asgjësim të 2 mijë e 880 copë të parfumeve “Paco Rabane 1 Milion”, si produkte të ndaluara, të importuara nga Kina prej importuesit N.T.T.SH “Te Bashkimi”, me pronar Bashkim Latifin, me dëshirë që i akuzuari Ferati të mos përkujdesej për mbarëvajtjen e procesit të shkarkimit dhe shkatërrimit të plotë të mallit të falsifikuar, sipas urdhrit të të akuzuarit Rama, punëtorët fizikë i kishin nxjerrë vetëm dy paketa dhe i kishin dërguar te presa, ku ato ishin asgjësuar.
Tutje, thuhet se paketat tjera nuk ishin shkarkuar nga furgoni dhe me to ishte larguar furgoni i drejtuar nga Avdullah Latifi.
Pastaj, sipas aktakuzës, këtë furgon e kishin ndaluar hetuesit e kundër kontrabandës së Doganës së Kosovës dhe gjatë kontrollit kishin gjetur dhe konfiskuar parfumet e destinuara për shkarkim, kurse i akuzuari Ferati ishte larguar nga vendi i ngjarjes bashkë më të akuzuarin Krasniqi, e më pas ishte larguar edhe i akuzuari Rama.
Ndërkaq, i akuzuari Latifi thuhet se së bashku me të akuzuarin Artan Ferati, si persona zyrtarë kishin shfrytëzuar detyrën zyrtare dhe nuk i kishin përmbushur detyrat me qëllim që tjetri të fitojë dobi pasurore.
Këtë thuhet se e kanë bërë më 1 prill 2016, gjatë procesit të asgjësimit të produkteve të parfumit, i akuzuari Ferati si doganier dhe i akuzuari Latifi punëtor në NP “Te Bashkimi” në Prishtinë, pas shkatërrimit të dy paketave, nuk ishin interesuar edhe për shkarkimin e produkteve të tjera të mbetura në furgon dhe asgjësimin e tyre përmes presës speciale.
E pas konfiskimit të të njëjtave nga Njësiti Anti-Kontrabandë i Doganës së Kosovës, Latifi thuhet se i kishte prezantuar hetuesve dy fatura dhe kuponë fiskal me shënimin kinse po transportohet ujë tualeti.
Të akuzuarin Latifi, Prokuroria e ngarkonte me veprën penale “Keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar”, ndërsa Ramën e akuzonte për ndihmë në kryerjen e kësaj vepre penale.
Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.
Monitorues Ilir Koçani










