|

Search
Close this search box.

Projekt i realizuar nga:

drejtesiasot.com justice today drejtesia sot rolpik.org website logo

Shpallet aktgjykim lirues ndaj të akuzuarve për Krim të organizuar


Në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamentin Special është shpallur aktgjyimi ndaj të akuzuarve Dalip Brahimi, Ismet Salihu, Bujar Gërbeshi, Lulzim Berisha dhe Rrahim Brahimi, të akuzuar për Fajde, Krim të organizuar dhe Detyrim.

Në aktgjykimin e shpallur nga trupi gjykues në krye me gjyqtarin Kujtim Krasniqi, të akuzuarit Dalip Brahimi, Ismet Salihu, Bujar Gërbeshi, të akuzuar për veprën penale ‘Fajdeja’, ‘Krim i organizuar’, dhe edhe për Dalip Brahimi për veprën penale ‘Detyrimi’ bazuar në nenin 363, par.1, nënpar.1.3 të Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës u liruan nga akuza për të cilën janë akuzuar.

Të njëjtit u liruan me arsyetimin se nuk ka prova të mjaftueshme të cilat vërtetojnë se kanë kryer veprat penale për të cilat akuzohen.

‘Shpenzimet e procedurës bien mbi barrën e gjykatës’, sipas aktgjykimit të shpallur.

Ndërsa për të akuzuarit Lulzim Berisha dhe Rrahim Brahimi, gjykata sipas nenit 362, par.1, nënpar.1.1 të Kodit të Procedurës Penale refuzon akuzën, pasi që PSRK-ja është tërhequr nga ndjekja penale.

Njëkohësisht në aktgjykim theksohet se ju kthehen të akuzuarve sendet e sekuestruara sipas urdhëresave të gjykatës, si dhe heqet urdhri ndalues afatgjatë.

Sipas aktakuzës së ngritur më 8 maj 2019, të akuzuarit Dalip Brahimi, Ismet Salihu dhe Bujar Gërbeshi, nga data e pavërtetuar e deri më 20 dhjetor 2018 në Prishtinë, kishin përfituar nga gjendja financiare e vështirë e të dëmtuarve B.Zh, S.B dhe B.B duke i dhënë para me fajde.

Në aktakuzë theksohet se i dëmtuari B.ZH ka marrë para prej të akuzuarit Dalip Brahimi në periudhën nga gusht 2008 deri në shkurt dhe korrik 2010, në shumën prej 165 mijë e 914 euro dhe i kishte kthyer ato nëpërmjet transaksioneve bankare në shumën 599 mijë euro. Për pjesën tjetër të parave, i akuzuari Dalip Brahimi ia kishte marrë të dëmtuarve B.M dhe I.Zh në formë të një lokale me çmim 167 mijë euro, tre banesa në vlerë prej 146 mijë e 805 euro, dhe një makinë “Mercedes”, vlera e të cilave tejkalon një milion euro. Për të mbuluar këtë diferencë, Dalip Brahimi dhe i dëmtuari B.M ishin pajtuar që të shesnin një parcelë në shumën e 1,001,200.00 euro, edhe pse parcela ishte blerë për 100 mijë euro.

Në këtë rast, thuhet se të akuzuarit kishin dhënë para me përqindje prej 5-15% edhe të dëmtuarit S.B, dhe më pas, për të ndaluar kthimin e kamatës, i akuzuari Dalip Brahimi kishte detyruar S.B të nënshkruante një kontratë për shitblerjen e një banese në lagjen “Dardania” në Prishtinë, që kishte vlerën e të njëjtës shumë që S.B kishte marrë nga shitja e banesës, duke i shtuar edhe “borxhet.”

Tutje, sipas aktakuzës, gjatë periudhës 2010, i dëmtuari J.B kishte kontaktuar me vëllanë e tij S.B, i cili kishte thënë se i akuzuari Bujar Gërbeshi do ti sjellë 15 mijë euro me qëllim të pagesës së doganës për qeramikat që i kishin importuar dhe me të arritur i akuzuari Bujar Gërbeshi tek i dëmtuari J.B, i kishte thënë se 8 mijë e 100 euro do ti ndalë në emër të kamatër së borxhit të vëllait të tij, kurse 6 mijë e 900 euro mund t’i marrë.

Për këto veprime, të akuzuarit akuzohen për veprën penale “Fajde” dhe “Krim i organizuar.”

Përveç kësaj, i akuzuari Dalip Brahimi akuzohet edhe për goditjen e të dëmtuarit S.B më 6 shtator 2015 në Prishtinë, me qëllim që të veprojë në dëm të pasurisë së tij, duke i dëmtuari Blakqori kishte shkuar në shtëpinë e të akuzuarit Brahimi për të kërkuar lirimin e banesës, dhe kishte qëlluar të dëmtuarin me fjalë.

I akuzuari Lulzim Berisha akuzohet për ndihmën që i ka dhënë të akuzuarit Gërbeshi për të siguruar detyrimet financiare të dëmtuarit A.F.

I akuzuari Rrahim Brahimi, akuzohet se kishte ndihmuar babanë e tij Dalip Brahimi, që të njëjtit ti sjellë dobi pasurore.

Për këto veprime, të akuzuarit Lulzim Berisha dhe Rrahim Brahimi, po akuzohen lidhur me veprën penale: Fajde nga neni 343 lidhur me nenin 31 të KPRK-së.

Shënim: Të akuzuarit e përmendur në këtë postim konsiderohen të pafajshëm derisa të vërtetohet fajësia e tyre me aktgjykim të formës së prerë të gjykatës.

Monitoruar nga: Leotrim Pajaziti

Facebook
Pinterest
LinkedIn
Twitter