|

Search
Close this search box.

Projekt i realizuar nga:

drejtesiasot.com justice today drejtesia sot rolpik.org website logo

Është dhënë fjala përfundimtare në rastin e Përmbarueses Private dhe dy të akuzuarve të tjerë për Korrupsion


Në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamentin për Krime të Rënda, është dhënë fjala përfundimtare në rastin e Përmbarueses Private, Rrezarta Metaj e cila akuzohet për Keqpërdorim të Pozitës zyrtare si dhe dy të akuzuarve tjerë Muharrem Ahmeti dhe Ardian Maloku të cilët akuzohen për veprat penale: Legalizim i përmbajtjes së rreme dhe veprën penale Mashtrimi.


Sipas aktakuzës së Prokurorisë e ngritur me datë 21 maj 2019, Rrezarta Metaj akuzohet se në cilësinë e personit zyrtar – përmbaruese private, ka keqpërdorur pozitën zyrtare në atë mënyrë që duke mos respektuar procedurën përmbarimore dhe duke vepruar në kundërshtim me autorizimet e saj ka synuar që vetes dhe të pandehurit Muharrem Ahmetit, pronar i kompanisë NTP “Tricom”, t’i sjellë përfitime pasurore të kundërligjshme.

Seanca vazhdon me paraqitjen e fjalës përfundimtare.

Prokurorja e shtetit Daulina Hamiti, vazhdon me elaborimin e fjalës përfundimtare: Nga administrimi i provave të akuzuarit kanë kryer veprat penale për të cilat janë akuzuar. Nga dëgjimi i dëshmitarëve dhe administrimi i provave është vërtetuar se të njetit janë fajtor, qëndroj pranë akuzës nga fillimi dhe kërkoj nga Gjykata të shqiptohet dënim sipas ligjit.

Përfaqësuesi i palës së dëmtuar Bekim Behrami elaboron fjalën përfundimtare: Ne si palë e dëmtuar qëndrojmë prapa fjalës së Prokurorisë si dhe paraqesim kërkesë pasurore juridike në vlerë prej 240.858 euro, duke rezultuar nga vlera e dëmit nga kalkulimet e taksave të doganës ne kemi ardhur në përfundim të kësaj kërkese, ky është dëmi që i është shkaktuar Doganes në aspektin monetar. Ky vlersim si më lartë është i kohës kur ka ndodhur vepra penale.

Mbrojtesi i të akuzuares Rrezarta Metaj, avokat Ramë Gashi, thekson në fjalen përfundimtare se nga administrimi i provave gjatë këtij shqyrtimi gjyqësor, së pari kundërshtojë në tërësi fjalën paraprake të prokurorisë, për të mbrojturën time sipas provave dhe dëshmitarëve nuk është vërtetuar dhe nuk ka përputhje të fakteve se e njejta ka kryer veper penale. Kërkojë nga ky trup Gjykues që konform ligjit të marrë aktgjykim lirues.

Mbrojtesi i të akuzuarit Muharrem Ahmeti, avokat Betim Shala, në bazë të provave të elaboruara gjatë këtij shqyrtimi gjyqësor i mbrojturi im akuzohet se ka legalizuar një faturë me përmbajtje të rrejshme. Nuk është plotësuar asnjë nga kushtet për krijimin e veprës penale për të mbrojturin tim. Kërkoj nga ky trup gjykues që si përfundim i këtij procesi gjyqësor të merr aktgjykim lirues.

Mbrojtësi i të akuzuarit Ardian Maloku, avokat Ruzhdi Maloku thekson se fjalën përfundimtare e ka përpiluar me shkrim dhe të njejtën e dorëzon pranë trupit Gjykues.

Shpallja e aktgjykimit do të bëhet me datë 22 dhjetor nga ora 13:00.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë, ngritur me datë 21.05.2019, Rrezarta Metaj akuzohet se në cilësinë e personit zyrtar, përmbaruese private, në zyrën e saj në Prishtinë ka keqpërdor pozitën apo autoritetin zyrtar.

Këtë thuhet se e ka bërë në atë mënyrë që duke mos respektuar procedurë përmbarimore dhe duke vepruar në kundërshtim me autorizimet e saj, më 17 nëntor 2017, me qëllim që vetes dhe të pandehurit Muharrem Ahmeti, pronar i kompanisë NTP “Tricom” t’i sjell përfitim pasuror të kundërligjshëm, ka nxjerr urdhrin përmbarues të mbështetur në dokumente me përmbajtje të pavërtetë (faturën 101/2016 e datës 15 janar 2016 dhe kontratën e datës 19 qershor 2002).

Tutje, thuhet se përmes këtij urdhri përmbarimor ka kërkuar realizimin e borxhit që kinse e dëmtuara Dogana e Kosovës ka ndaj kompanisë së lartcekur dhe vlera e paraqitur e borxhit është 769,691.16 euro për një vit, me kamatë ligjore prej 8%, kinse për ruajtjen e derivateve të naftës.

Gjithnjë sipas aktakuzës, të njëjtin propozim për urdhër përmbarimor, e pandehura Metaj e kishte përpiluar duke mos respektuar procedurën përmbarimore, e duke mos bërë krahasimin e dokumentacioneve të paraqitura nga i pandehuri Muharrem Ahmeti, e që në kontratën e lartcekur të 19 qershorit 2002, nuk ishte në përputhje me sasinë e naftës prej 237,559.00 litra naftë, si në faturë nr. 101/2016 të 15 janarit 2016, e që shuma e përgjithshme e kërkuar si kompensim arrin vlerën prej 14, 131,529. 97 euro.

Sipas aktakuzës, nga 15 janar 2016, deri më 17 nëntor 2017, i pandehuri Ahmeti si pronar i kompanisë NTP “Tricom”, ka përpiluar dhe prezantuar dokumente me përmbajtje të pavërtetë dhe në bashkëveprim me përmbaruesen private, të akuzuarën Metaj, kanë kërkuar nga e dëmtuara, Dogana e Kosovës, kompensim për kinse ruajtjen e derivateve të naftës, për të cilat i pandehuri Ahmeti nuk kishte asnjëherë kontratë valide me të dëmtuarën.

Të pandehurit Muharrem Ahmeti dhe Ardian Maloku me qëllim të prezantimit të provave të rrejshme më 23 deri me 25 shkurt 2019, kanë mbushur rezervarët me ujë të cilët i kishte marr në shfrytëzim i pandehuri Ahmeti nga kompania “Racional Comerce”, për t’i paraqitur para Gjykatës Themelore në Prishtinë, në lëndën C.nr.1998/07, si derivate të naftës kinse të ruajtura nga Ahmeti.

Në këtë mënyrë, Ahmeti kishte kërkuar si kompensim sipas faturës 101/2016 e 15 janarit 2016, dhe sipas kontratës të 19 qershorit 2002, ku përmes këtij urdhri përmbarues të nxjerr nga e pandehura Metaj, ka kërkuar realizimin e borxhit që kinse Dogana e Kosovës ka ndaj kompanisë NTP “Tricom” dhe vlera e paraqitur e borxhit është 769,691.16 euro për një vit, me kamatë ligjore 8%, shumën e parave që arrin vlerën prej 14,131,529.97 euro nga e dëmtuara, kinse për ruajtjen e derivateve të naftës nga viti 2001 e deri më tani.

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Monitoruar nga: Arton Hoxha

Facebook
Pinterest
LinkedIn
Twitter