|

Search
Close this search box.

Projekt i realizuar nga:

drejtesiasot.com justice today drejtesia sot rolpik.org website logo

Dëgjohet i dëmtuari në rastin e 11 të akuzuarve për shpërthimet me granata në dy lokale në Prishtinë dhe Mitrovicë

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë është mbajtur shqyrtimi gjyqësor, ku Lundrim Beqiri, Bekë Salihaj, Adhurim Krasniqi, Valdrin Beqiri, Arianit Pllana, Kreshnik Kurti, Fidan Cakolli, Adnan Murtezi, Gentrit Ismajli, Diar Raçi dhe Egzon Cakolli po akuzohen për disa vepra penale, në lidhje me shpërthimin me granata në lokalet ‘Riza Hair Salon’ dhe ‘Missini’.

Në seancën e sotme u dëgjua pronari i lokalit ‘Missini’, Lindrit Misini, i cili ka cilësinë e të dëmtuarit në këtë çështje penale. Në dëshminë e tij në pyetjet e prokurorit të rastit Burim Çerkini, theksoi se qëndron në tërësi pranë deklaratës së dhënë në polici me datën 12 korrik 2022.

Ndërsa lidhur me rastin e shpërthimeve në lokalet e tij në Mitrovicë, dëshmitari Misini deklaroi se i gjithë rasti ka ndodhur si pasojë e kërkesës për borxh në shumën prej 10 mijë euro që kanë kërkuar të akuzuarit dhe që i dëmtuari nuk i ka dhënë të akuzuarve. Pas kësaj, i akuzuarit Arianit Pllana ka njoftuar përmes B.I se tashmë të akuzuarit nuk marrin përgjegjësi për biznesin e tij, meqë rast pas disa ditëve kishte ndodhur vendosja e granatës me datë 6 qershor 2022, ku sipas dëshmitarit shihet se i akuzuari Pllana ka hedhur granatën pranë lokalit të tij, ndërsa për shpërthimin e dytë me date 28 qershor 2022 nuk kanë arritur ende ta evidentojnë se kush qëndron prapa atij shpërthimi.

Në pyetjen e prokurorit Çerkini se a është përmend nga B.I që paratë prej 10 mijë euro i’u duhen për të ndihmuar në procesin e lirimit të të akuzuarit Lundrim Beqiri, i njëjti deklaroi se kështu ka qenë.

Tutje, në vazhdim të seancës, në parashtrimin e pyetjes së mbrojtëses së të akuzuarit Lundrim Beqiri, avokates Arbenita Aliu, se a ka besuar dëshmitari se i akuzuari Lundrim Beqiri qëndron prapa kësaj apo që i akuzuari Arianit Pllana është shtirur në emër të të akuzuarit Lundrim Beqiri, por pa lejen e tij, dëshmitari Misini deklaroi se ka besuar se paratë janë kërkuar nga Arianiti për Lundrimin.

Si rrjedhë e kësaj, i akuzuari Arianit Pllana deklaroi se paratë prej 10 mijë euro i ka kërkuar ai, mirëpo pa dijeninë e të akuzuarve Lundrim Beqiri dhe Valdrin Beqiri.

Për shkak të kërkesës së të akuzuarve, seanca e sotme u ndërpre, ndërsa e njëjta do të vazhdon me datë 29 janar 2024, ku planifikohen të dëgjohen gjashtë dëshmitarë.

Lundrim Beqiri, Bekë Salihaj, Adhurim Krasniqi, Valdrin Beqiri, Arianit Pllana, Kreshnik Kurti, Fidan Cakolli, Adnan Murtezi, Gentrit Ismajli, Diar Raçi dhe Egzon Cakolli, akuzohen për kryerjen e veprave penale “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal te organizuar” nga neni 277 par. 2 lidhur me par. 1 te KPRK-se lidhur me veprat penale, veprimet përgatitore për veprën penale “Vrasje e Rëndë”, nga neni 173 par. 1 nen par 1.8 lidhur me 1.13 të KPRK-së ; “Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm” nga neni 356 par 3 lidhur me par. 1 te KPRK-se dhe veprën penale “Detyrimi” nga neni 328 par. 2

Shënim: Të akuzuarit e përmendur në këtë postim konsiderohen të pafajshëm derisa të vërtetohet fajësia e tyre me aktgjykim të formës së prerë të gjykatës.

Monitoruar nga: Leotrim Pajaziti

Facebook
Pinterest
LinkedIn
Twitter