Në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamentin Special, është dëgjuar një dëshmitarë në rastin ndaj të akuzuarve Bahri Nuredini dhe Driton Mehaj, ish-zyrtar të Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës, të akuzuar për keqpërdorim të pozitës zyrtare.
Bahri Nuredini dhe Driton Mehaj sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Speciale, akuzohen se kanë keqpërdorur detyrën zyrtare duke i mundësuar operatorit ekonomik “TCN Internation” nga Tirana, përfitim të kundërligjshëm me rastin e dhënies së kontratës për aktivitetin e prokurimit, me ç’ rast në mënyrë të kundërligjshme dhe pa autorizim paraprak kanë incizuar dhe zhvilluar procedurat e prokurimit.
Në seancën e sotme, u dëgjua dëshmitari B.E.
Sa i përket cështjes së shkëputjes së kontratës së një anshme nga Operatori Ekonomik TCN me AshNA, dëshmitari theksoi se kompania ka dorëzuar njoftim me shkrim për shkëputje të kontratës, me arsyetimin se nuk ishte paguar një pjesë e borxhit nga AshNA.
Kurse, sa i përket cështjes rreth pagesave për projektin e caktuar se a ka pasur pagesë dhe mos kryerje të punëve, dëshmitari shtoi se ky projekt ka pasur shumë probleme dhe me një masë shumë të lartë nuk ka qenë i përfunduar.
Ndërsa, lidhur me cështjen se nga zbatimi i këtij projekti investues a i është shkaktuar dëm i cfardo lloji AshNA, dëshmitari theksoi se është pa diskutueshme, se një projekt i pa përfunduar ka dëmtuar procesin e avancimit të aviacionit civil për Kosovën si dhe me këtë projekt është pritur që të rritej siguria e aviacionit.
Në lidhje me mos funksionimin e radarit me sistemin modes, dëshmitari shtoi se vetë projekti ishte prezentuar si avansim në sistemin modes, por pastaj është raportuar se nuk është funksional ky sistem.
Në cështjen e mosfunksionimit të radarit me sistemin modes, cila ishte arsyeja e mos funksionimit të këtij radari me këtë sistem, dëshmitari shtoi se mos përfundimi i projektit ka sjellur edhe një mosfunksionim të tillë.
Sa i përket cështjes se vendimit të Komitetit Drejtues Ndërministror për aprovimin e kërkesës së Limak, për transferimin e 130 punëtorëve, dëshmitari theksoi se nuk ishte i njoftuar, pavarsishtë kërkesës së tij për informacione shtesë.
Seanca e sotme u nderpre me aryetimin se për shkaqe personale, dëshmitari nuk mund të vazhdojë me dëshmi në pjesën e pasditës dhe i njejti do të dëgjohet në seancën e radhës.
Seancat e radhës do të mbahen me datë: 13 dhe 18 mars nga ora 09:30.
Ndryshe, sipas Prokurorisë Speciale, të akuzuarit Bahri Nuredini, në cilësinë e Kryeshefit Ekzekutiv të Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës dhe Driton Mehaj, Menaxher i Kontratës për Furnizim me Sisteme të Navigacionit dhe Rilokim të Sistemeve Ekzistuese, akuzohen se kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Tutje, të akuzuarit përmes Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik kanë shpallur fitues të tenderit OE “TCN International” Sh.P.K, me vlerë të përgjithshme të kontratës 7,808.296.00 Euro, ashtu që të pandehurit e kanë futur rilokimin e sistemeve ekzistuese në tenderin e ri edhe pse ky ka qenë obligim kontraktual i kompanisë “LIMAK”, ndërsa gjatë zbatimit të projektit, nuk i kanë ndërmarrë masat mbrojtëse ndaj OE të paraparë me ligj dhe kontratë.
Sipas aktakuzës, në mënyrë të kundërligjshme është bërë zgjatja e afatit të kontratës nga 523 ditë, në 1 mijë e 700 ditë dhe thuhet se edhe pas zgjatjes së këtij afati, kontrata nuk është përfunduar, por e njëjta është shkëputur në mënyrë të njëanshme nga ky operator më 19 shtator 2016, marrë për bazë se deri në këtë datë i ishin paguar 97% e mjeteve financiare nga vlera e përgjithshme prej 7 milionë e 808 mijë e 296 euro.
Nuredini dhe Mehaj, akuzohen se i kanë shkaktuar dëm material buxhetit të AShNA dhe buxhetit publik, në lartësi të paktën 1,937,230 Euro.
Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.
Monitoruar nga: Arton Hoxha