Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ka dështuar të mbahet seanca e shqyrtimit gjyqësor, ndaj të akuzuarve Ali Hocaoglu, Mahmut Çakmak, Raif Çavolli, Borche Petrovski, Shpend Elezi, Blerim Zuna, Abdullah Tuna, Astrit Bakiqi, Driton Sylejmani, Arton Beqiri dhe Lulzim Brovina.
Fillimisht, kryetari i trupit gjykues, gjyqtari Alban Ajvazi ka konstatuar prezencën e palëve në procedurë, respektivisht prokurorës Arbresha Shala, të akuzuarve dhe mbrojtësve të tyre.
Për shkak se ka munguar i akuzuari Borche Petrovski, gjyqtari Ajvazi ka konstatuar se nuk ka kushte për mbajtjen e shqyrtimit gjyqësor.
Lidhur me mungesën e të akuzuarit Petrovski, mbrojtësja e tij avokate Merita Stublla ka njoftuar se i njëjti gjendet jashtë vendit.
Në kuptim të rrethanave të lartcekura, seanca e radhës është caktuar me datën 21 mars.
Ndryshe sipas aktakuzës, Ali Hocaoglu, Astrit Bakiqi, Abdullah Tuna, Driton Sylejmani dhe Arton Beqiri, pretendohet se në bashkëkryerje kishin kryer veprën penale “dhënie ryshfeti”, nga neni 429 i Kodit Penal.
Bakiqi, Tuna, Sylejmani dhe Beqiri pretendohet se nga data 1 janar 2011 deri më 31 dhjetor 2015 duke vepruar në bashkëkryerje me njëri-tjetrin dhe me mjekët tani të akuzuar në rastin “Stenta 2”, ishin marrë vesh që pacientët që kishin shkuar për kontroll në institucione publike t’i referonin dhe t’i dërgonin në spitalin privat IMH.
Ndërsa, për këto veprime të njëjtit pretendohet se u jepnin ryshfet, ashtu që për çdo pacient të dërguar për vendosje të stentave u jepnin 500 euro, ndërsa për koronarografi nga 150 euro.
Për veprime të ngjashme, për dhënie të ryshfetit po akuzohen edhe Lulzim Brovina dhe Borche Petrovski, vetëm se këta dy të akuzuar kishin punuar në spitalin “EDA”.
Mahmut Qakmak, Shpend Elezi, Raif Qavolli dhe Arton Beqiri, akuzohen se nga 1 janari 2011 deri më 31 dhjetor 2015, duke punuar si mjek në spitalin “IMH”, duke vepruar në bashkëkryerje kanë trajtuar në mënyrë të pandërgjegjshme pacientë me rastin e dhënies së ndihmës mjekësore duke përdor haptas mjete apo metoda të papërshtatshme të mjekimit.
Me këtë rast, sipas prokurorisë këta të akuzuar kishin kryer veprën penale “trajtim i pandërgjegjshëm mjekësor”
Shënim: Të akuzuarit e përmendur në këtë postim konsiderohen të pafajshëm derisa të vërtetohet fajësia e tyre me aktgjykim të formës së prerë të gjykatës
Monitoruar nga Gentrit Kuqani