Pejë- Në Gjykatën Themelore në Pejë, departamenti për krime të rënda, sipas agjendës ishte planifikuar që sot të mbahej seanca gjyqësore ndaj noterit Bedri Godanci për veprën penale Keqpërdorim i detyrës zyrtare në vazhdimësi, po ashtu i njëjti akuzohet edhe si bashkëkryerës me të pandehurit Elmi Arifaj, Bali Arifaj dhe Sinan Kryeziu për veprën penale Falsifikim i dokumentit zyrtar, më pas i pandehuri Besart Godanci ngarkohet për veprën penale dhënie e ndihmës në kryerjen e veprës penale Falsifikim i dokumentit zyrtar, si dhe të pandehurit Elmi dhe Bali akuzohen për Mashtrim.
Në fillim të shqyrtimit gjyqësor, kryetarja e trupit gjykues, gjyqtarja Nushe Kuka-Mekaj bëri të ditur se nuk ka kushte për mbajtjen e seancës së sotme pasi që i akuzuari Elmi Arifaj nuk është prezent për shkak të gjendjes jo të mirë shëndetësore, ku mbrojtësi i tij ka dërguar një njoftim gjykatës sot, ku përmes këtij njoftimi janë të bashkangjitur raporte dhe analiza që i përkasin këtu të akuzuarit Elmi.
Gjykata ka konstatuar se kjo është bërë me një qëllim, megjithatë do të vërtetohet në seancën e radhës.
Gjithashtu prezente nuk ishte as prokurorja e çështjes Sahide Gashi, e cila ka njoftuar paraprakisht se kishte një seancë tjetër meqenëse nuk ka kushte për mbajtjen e kësaj seance.
Kështu që gjykata mori aktvendim që seanca e sotme të vazhdojë me 21 mars 2024.
Kujtojmë që sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria e Pejës, e datës 29 qershor 2022, i pandehuri Bedri Godanci akuzohet se me 13 qershor 2017 në Klinë, si noter në vazhdimësi nuk i kishte përmbushur detyra e tij zyrtare, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për të pandehurit Elmi dhe Bali Arifaj. Ku sipas aktakuzës Godanci akuzohet se kishe përpiluar dhe vërtetuar me nënshkrim dhe vulë autorizimin LRP.nr.3109/2017, kinse për të dëmtuarin Deli Arifaj si autorizues edhe pse i dëmtuari nuk kishte qenë prezent dhe nuk kishte pasur dijeni për këtë autorizim, ku përmes këtij autorizimi e autorizonte Bali Arifajn për shitjen e të gjithë patundshmërive të evidentuara në emër të biznesit të dëmtuarit “Florimi Trans” si dhe patundshmërive të evidentuara në emrin e tij në Klinë, që sipas Prokurorisë e tejkalojnë vlerën prej 1 milion euro, si dhe të drejtën të ngarkojë në hipotekë në patundshmëri.
Po në këtë datë, i pandehuri lidhë kontratë për hipotekën me bankën BKT dhe përmes këtij autorizimi të përfitojnë shumën prej 250 mijë eurove në emër të kredisë nga BKT.
Sipas dispozitivit të tretë të kësaj aktakuze të pandehurin Godanci e ngarkon se më 28 janar 2019 kishte përpiluar kontratat e shitblerjes që i pandehuri Bali i kishte bërë me personat tjerë përmes autorizimit të falsifikuar në emër të Deli Arifajt, në atë mënyrë që, noteri e përpilon kontratën LRP nr.641/2019 të shitblerjes në emër të Bali Arifajt, kinse i autorizuar i shitësit, të dëmtuarit Deli Arifaj dhe blerësit Nysret Mustafaj për pronën në sipërfaqe prej 500m2 Zona Kadastrale në Dresnik dhe pronën 1829m2 , duke i mundësuar të pandehurve Elmi dhe Bali Arifaj përfitim të shumës prej 143 mijë euro,
Me këtë, akuzohet se në vazhdimësi ka kryer veprën penale të “Keqpërdorimit të detyrës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422, par.2, nënpar.2.2 lidhur me par.1 e nenin 81 të KPRK-së.
Në këtë aktakuzë gjithashtu prokuroria i ngarkon në bashkryerje të pandehurit Bedri Godanci, Elmi Arifaj, Bali Arifaj dhe Sinan Kryeziu për falsifikim të dokumentit zyrtar, ku sipas aktakuzës noteri Godanci me marrëveshje me të pandehurit tjerë i ka mundësuar të pandehurit Sinan të falsifikojë dokumentin zyrtar me të dhëna të rreme dhe atë autorizimin LRPnr.3109/2017, me ndërmjetësimin e të pandehurit Elmi dhe Bali ia dërgon autorizimin në fjalë të pandehurit Sinan, i cili po qëndronte në shtëpinë e të pandehurit Elmi, e pasi i njëjti e falsifikon nënshkrimin e të dëmtuarit Deli në të, i pandehuri Bedri e vërteton nënshkrimin e vulë autorizimin në fjalë.
Me këtë, akuzohen se si bashkëkryerës të pandehurit kanë kryer veprën penale “Falsifikimi i dokumentit zyrtar”, nga neni 434, par.1 lidhur me 31 të KPRK-së.
I pandehuri Besart Godanci akuzohet se në cilësi të asistentit noterial më 13 qershor 2017 ndihmon në kryerjen e veprës penale të falsifikimit të dokumentit zyrtar. Thuhet se i pandehuri në marrvëshje me të pandehurit Bedri e Elmi Arifaj e dijeninë e të pandehurit Bali, autorizimin të cilin e kishte përpiluar paraprakisht i pandehuri Bedri, e dërgon në shtëpinë e të pandehurit Elmi për t’u nënshkruar i pandehuri Sinan në vend e pa dijeninë e të dëmtuarit Deli Arifaj, me të cilin autorizimin kinse i dëmtuari Deli e ka autorizuar të pandehurin Bali për shitjen e të gjitha pronave të tij dhe bartjen e tyre në hipotekë,
Me këtë, akuzohet se ka kryer veprën penale “Ndihmë në kryerjen e veprës falsifikim i dokumentit zyrtar”, nga neni 434, par.1 lidhur me 33 të KPRK-së.
Gjithashtu të pandehurit Elmi dhe Bali Arifaj akuzohen se më 13 qershor 2017 në Bankën Kombëtare Tregtare (BKT) në vazhdimësi me marrëveshje parapake, me paraqitje të rreme të fakteve me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm, kanë vënë në lajthim zyrtarët e bankës në dëm të pasurisë së saj, duke prezantuar autorizimin e falsifikuar kinse si autorizues Deli Arifaj dhe përfitojnë 250 mijë euro në emër të kredisë duke lënë peng patundshmëritë e të dëmtuarit Deli, e të cilën kredi nuk e paguajnë. Po ashtu, të njëjtit ngarkohen se kishin hyrë në raporte të shitblerjes me pronat e të dëmtuarit Deli.
I pandehuri Elmi Arifaj akuzohet se më 18 korrik 2018 në Klinë, edhe pse ishte i vetdijshëm se pronat ishin në emër të Deli Arifajt në regjistra kadastral, ia shet pronat sipas kontratës mbi shitblerjen këtu të dëmtuarit Nysret Mustafa përmes babait të tij për shumën prej 260 mijë euro.
Me këtë, akuzohet se ka kryer veprën penale “Mashtrimi “, nga neni 335, par.2 e 4 e lidhur me par.1 me nenin 31 e 81 të KPRK-së.
Shënim: Të akuzuarit e përmendur në këtë postim konsiderohen të pafajshëm derisa të vërtetohet fajësia e tyre me aktgjykim të formës së prerë të gjykatës.
Monitoruar nga Elvana Hatashi