|

Search
Close this search box.

Projekt i realizuar nga:

drejtesiasot.com justice today drejtesia sot rolpik.org website logo

Dështon seanca e shqyrtimit gjyqësor në rastin ‘Toka’

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, Departamentin Special, me trup gjykues, Arben Hoti, në cilësi të kryetarit, Lutfi Shala dhe Mentor Bajraktari, në cilësi të anëtarëve, sot më datë 22 Maj 2024, ishte paraparë të mbahej seanca për rastin “Toka”.

Megjithatë në konstatimin e prezencës së palëve, kanë munguar mbrojtësit e të akuzuarve Shaban Syla dhe Ilaz Syla, si dhe vetë i akuzuari Ndue Palushi, të cilët mos-prezencën e tyre nuk e kishin arsyetuar dhe për këtë edhe u pamundësua mbajtja e seancës së sotme. Mbrojtësve, Avokatit Haxhi Millaku dhe Avokates Adelina Hoxha, Gjykata u shqiptoi dënim me gjobë ne vlerë 500 Euro secilit. I akuzuari Shaban Syla më tej ka deklaruar që Avokatja Adelina Hoxha më nuk do të jetë mbrojtësja e tij. Ndërsa për mungesën e të akuzuarit Ndue Palushi, kryetari i trupit gjykues lajmëroi që nëse i njëjti gjatë ditës nuk e arsyeton mungesën, për të do të lëshohet urdhëresë për sjellje nën shoqërim për seancën e radhës.

Seanca e radhës vazhdon nesër më datë 23 Maj nga 09:30.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), ka ngritur dy aktakuza, njëra me 17 persona dhe tjetra me 22 persona, ku në këtë të fundit, që ishte ngritur më 24 tetor 2016 përfshihet edhe ish-deputeti i PDK-së Azem Syla, që sipas PSRK-së, ai kishte qenë edhe udhëheqës i këtij grupi.

Bashkë me Sylën, në këtë proces janë duke u gjykuar edhe Shaban Syla, Arton Vila, Ilaz Syla, Shpresim Uka, Ramadan Uka, Avdurrahman Brajshori, Gazmend Gashi, Lubisha Vujoviq, Sabedin Haxhiu, Avni Maxhuni, Elhame Uka, Lumnije Sopjani, Nyrtene Brajshori, Sami Maqedonci, Ndue Palushi dhe Ramadan Mavraj.

Pjesë e kësaj aktakuze kanë qenë edhe N.U, Sh.M, Mustafë Haliti dhe Hajrullah Berisha, por për dy të parët është pushuar procedura pasi ata kanë ndërruar jetë, ndërsa për shkak se gjykata nuk ka arritur të siguroi prezencën e Ilaz Sylës, Mustafë Halitit dhe Hajrullah Berishës, për të njëjtit është veçuar procedura.

Por, gjykatësi Hoti, jashtë seancës ka bashkuar procedurën për të akuzuarin Ilaz Syla dhe Vidosav Novakovic, ku për këtë të fundit ka thënë se provat janë të ndërlidhura dhe rasti është i njëjtë.

Aktakuza i ngarkon të pandehurit me vepra penale “krim i organizuar”, “pastrim i parave”, “marrje të mitos”, “mashtrim i rëndë”, “mashtrim në detyrë”, “nxjerrje të vendimeve gjyqësore të kundërligjshme”, “keqpërdorim i pozitës zyrtare”, “legalizimi i përmbajtjes së falsifikuar” dhe “evazion fiskal”.

Gjithashtu, të pandehurit akuzohen se në bashkëpunim, përmes veprimtarive kriminale i kanë privuar Kosovës pronat shoqërore, duke përfshirë falsifikimin e vendimeve dhe dokumenteve zyrtare, mashtrim dhe veprime tjera korruptive.

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Monitoruar nga Rina Murseli

Facebook
Pinterest
LinkedIn
Twitter