Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ka dështuar të mbahet seanca në rastin e 18 të akuzuarve të cilët akuzohen për kontrabandim të mallrave nga Serbia në Kosovë.
Në seancën e sotme mungoi i akuzuari Besnik Istrefi, për të cilin mbrojtësi i tij Imer Ahmetaj deklaroi se nuk është në dijeni për arsyet e mungesës së tij.
Poashtu i akuzuari Ali Musliukaj ishte pa mbrojtës në seancë, meqë rast kërkoi angazhimin e një mbrojtësi sipas detyrës zyrtare.
Lidhur me këto arsye, gjyqtari i rastit Ngadhnjim Arrni deklaroi se nuk ka kushte ligjore për mbajtjen e seancës së sotme, ndërsa seanca e radhës do të mbahet me datë 12 korrik 2024, nga ora 09:30.
Përndryshe, ky rast më parë gjykohej në Gjykatën Themelore në Mitrovicë, mirëpo i njëjti është deleguar në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), ngritur më 30 nëntor 2016, Besim Zeqiri, Ismet Zeqiri, Agron Zymeri, Gentrit Zymeri, Canabeg Hyseni, Ali Musliukaj, Liridon Hyseni, Ridvan Avdiu, Besnik Istrefi dhe Azem Islami, ngarkohen për kryerjen e veprave penale “Pjesëmarrje ose organizim i grupit kriminal të organizuar” nga neni 283, “Kontrabandim i mallrave” nga neni 317, “Tregtia e ndaluar” nga neni 305, dhe “Shmangie nga pagesa e tarifave të detyrueshme doganore”, nga neni 318 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Po ashtu, kjo aktakuzë ngarkon edhe të pandehurit, Xhevat Spahija, Shkëlqim Jusaj, Selami Morina, Nexhat Mazreku, Demë Lokaj, Alban Nikqi, Fadil Qollaku dhe Albion Lokaj, për kryerjen e veprave penale “Pjesëmarrje ose organizim i grupit kriminal të organizuar” nga neni 283, “Kontrabandim i mallrave” nga neni 317, dhe “Shmangie nga pagesa e tarifave të detyrueshme doganore”, nga neni 318 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Gjithnjë sipas aktakuzës, për veprën penale “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 374 të KPRK-së, akuzohen secili veç e veç: Agron dhe Gentrit Zymeri, Ismet Zeqiri, Canabeg Hyseni, Azem Islami, Fadil Qollaku, Demë Lokaj dhe Alban Nikqi.
Tutje, theksohet se, të pandehurit e përmendur, në fillim të vitit 2012, kanë themeluar një grup kriminal me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore financiare, në atë mënyrë që përmes rrugëve anësore me kamionë, cisterna dhe mjete të tjera, në mënyrë të vazhdueshme dhe të kundërligjshme nga Serbia dhe Mitrovica e Veriut, kanë sjellë në mënyrë ilegale dhe në vazhdimësi mallrat e kontrabanduara si: derivate të naftës, vajra motorike, e të tjera.
Në bazë të aktakuzës, të pandehurit Besim dhe Ismet Zeqiri, në bashkëpunim me të gjithë pjesëtarët e grupit, nga data 11 qershor 2014 e deri më 10 dhjetor 2014, nga Serbia për në Kosovë, kanë bërë kontrabandimin e 52 ngarkesave me derivate të naftës (nga 12.000 litra), 2 ngarkesa me vaj hidrol (nga 10.000 litra) dhe 3 ngarkesa me nitrotretës (nga 7.000 litra).
Mallrat e kontrabanduara thuhet se ky grup kriminal më pas i ka shpërndarë nëpër qytete të ndryshme të Kosovës, në dyqane dhe depo të ndryshme, e gjitha kjo me qëllim që vetes dhe personit tjetër t’i mundësojë shmangien nga pagesa e tarifave tatimore, doganore apo tarifave të tjera ose detyrimeve doganore që paguhen me rastin e importimit apo eksportimit të mallrave, duke bërë shmangien nga pagesa e tarifave të detyrueshme doganore që tejkalon shumën prej 30 mijë euro, me ç’rast me këtë ngarkohen se kanë kryer veprat penale të cekura më lartë.
Shënim: Të akuzuarit e përmendur në këtë postim konsiderohen të pafajshëm derisa të vërtetohet fajësia e tyre me aktgjykim të formës së prerë të gjykatës.
Monitoruar nga: Leotrim Pajaziti