|

Search
Close this search box.

Projekt i realizuar nga:

drejtesiasot.com justice today drejtesia sot rolpik.org website logo

Dështon të mbahet gjykimi në rastin e të akuzuarve për Korrupsion dhe organizim të lojërave të fatit

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamenti Special, ka dështuar të mbahet shqyrtimi gjyqësor, në rastin ndaj të pandehurve Skënder Fetaj, Ramadan Latifi, Driton Haxhijaj, Arian Kastrati, Burim Ismajli, Ramadan Ibishi, Selatin Hoxha dhe Fisnik Ibishi, të cilët po akuzohen për veprat penale “Zbulimi i fshehtësisë zyrtare”, “Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm” dhe “Mbajtja në pronës, kontroll ose posedim të pa autorizuar të armëve”.

Seanca e sotme është shtyrë me kërkesë të prokurores speciale, Merita Bina-Rugova, e cila gjendet jashtë vendit

Gjyqtari i rastit, Valon Kurtaj deklaroi se prokurorja Bina-Rugova përmes e-mailit kishte kërkuar shtyrjen e seancës për shkak se do të jetë jashtë vendit deri në fund të muajit maj, meqë rast gjykata ka njoftuar edhe mbrojtësit pastaj se seanca e sotme do të shtyhet.

Në mungesë të kushteve ligjore, seanca e sotme u shtye për kohë të pacaktuar.

Ndryshe sipas aktakuzës, të pandehurit Skënder Fetaj, Arian Kastrati dhe Driton Haxhija, po akuzohen se nga shkurti i vitit 2015 e deri më datë 01.12.2016 duke vepruar në bashkëkryerje me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete dhe të tjerët kanë organizuar ose marrë pjesë në organizimin e lojërave të fatit të përcaktuar me ligj në kundërshtim me dispozitat e Ligjit për lojërat e fatit, ashtu që kanë siguruar numra serik të dublifikuar-falsifikuar të Roletave dhe të aparateve të automateve e këto rolete e aparate me numra të falsifikuar i kanë vendosur në pika të ndryshme e kanë krijuar përfitime të kundërligjshme pasi kanë qenë pa licencë.

Në pikën 2 të aktakuzës, të pandehurit Ramadan Latifi, Arian Kastrati, Driton Haxhija dhe Burim Ismajli, akuzohen se në mënyrë të kundërligjshme kanë organizuar lojëra të fatit të cilat janë të ndaluara me Ligjin për lojëra të fatit, ashtu që në njësitë e bastores sportive ” Planet Win 365″, pronë e Ramadan Latifi, pas koordinimit në mes veti kanë blerë programin për Lojëra “Keno” dhe “Lojëra me QEN” dhe përmes një personi të quajtur Hekuran, këto lojëra i kanë instaluar në kompjuterë të bastores në vende që ka më pak kontrolle, si në Drenas, Hajvali dhe në fshatra të rrethit të Pejës dhe Deçanit.

Me këtë në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale ‘Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm’.

Të akuzuarit Ramadan Ibishi, Selatin Hoxha dhe Fisnik Ibishi, secili veç e veç akuzohen se kanë kryer veprën penale ‘Zbulimi i fshehtësisë zyrtare’, duke ju vënë në dispozicion personave të tjerë të kompanive të lojërave të fatit, informatat që janë fshehtësi zyrtare, ashtu që të pandehurit i kanë njoftuar personat e paautorizuar-menaxherët e kompanive të lojërave të fatit se në cilat qytete do të dalin inspektorët e ATK-së për inspektim të lokalëve apo edhe janë takuar fizikisht me ta për ti njoftuar për kontrollet e kryera dhe gjobat e shqiptuara duke ju dhënë mundësia të pandehurve të tjerë- menaxherëve të kompanive të lojërave të fatit që të ikin kontrolleve kur ka qenë mundësia që ata të ndëshkohen për veprimtarinë e kundërligjshme të tyre.

Shënim: Të akuzuarit e përmendur në këtë postim konsiderohen të pafajshëm derisa të vërtetohet fajësia e tyre me aktgjykim të formës së prerë të gjykatës.


Monitoruar nga: Leotrim Pajaziti

Facebook
Pinterest
LinkedIn
Twitter