Në Departamentin e Përgjithshëm të Gjykatës së Prishtinës, me datë 24 Qershor, ka dështuar të mbahet gjykimi ndaj të akuzuarit Beqir Ismaili mbi të cilin rëndon akuza për veprën penale “Mos raportimi apo raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare”.
Seanca e shqyrtimit gjyqësor dështoi për shkak të mungesës së të akuzuarit, avokatit mbrojtës Arsim Bilalli, e po ashtu edhe Prokurorit të Shtetit. Gjyqtari i rastit, Eroll Gashi, bëri të ditur se sa i përket të akuzuarit dhe mbrojtësit të tij nuk kanë pranuar fletë kthesë nga posta e për këtë arsyeje nuk mund të konstatohet nëse të njëjtit kanë qenë në dijeni për seancën e sotme. Për të njëjtën arsyeje seanca e sotme u shty për kohë të pacaktuar.
Ndërkaq, sa i përket Prokurorisë, gjykata bëri të ditur se edhe pse kanë qenë të njoftuar nuk e kanë arsyetuar mungesën. Gjyqtari Gashi po ashtu bëri të ditur se ka pasur edhe mungesa të mëparshme nga ana e të akuzuarit e që kanë ardhur si pasojë e shkaqeve shëndetësore të të njëjtit.
Në seancë prezantoi përfaqësuesja e palës së dëmtuar, Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit, Lumnije Aliu.
Sipas aktakuzës, me datë 31.03.2021, Beqir Ismaili në cilësinë e zyrtarit të lartë publik dhe atë Këshilltar i Kuvendit Komunal në komunën e Fushë Kosovës, ka bërë deklarim të rremë të pasurisë. Aktakuza thotë se gjatë plotësimit të formularit për deklarim të pasurisë në Agjencinë Kundër Korrupsion nuk e ka deklaruar shumën e saktë të hyrave vjetore, e cila sipas aktakuzës ka ishte 14,115, 26 euro, kështu duke mos deklaruar pagat e marra nga marrëdhëniet e punës në Arabi dhe pagën e marrë si drejtor i Akademisë Diplomatike.
Shënim: I akuzuari i përmendur në këtë postim konsiderohet i pafajshëm derisa të vërtetohet fajësia e tij me aktgjykim të formës së prerë të gjykatës.
Monitoruar nga Aulona Alaj