Gjashtë vite pas vrasjes së politikanit opozitar serb Oliver Ivanoviq, në Departamentin Special të Gjykatës së Prishtinës, me datë 28 Qershor, për herë të parë është marrë vendim i shkallës së parë sa i përket të akuzuarve për këtë rast. Vendimi është marrë nga trupi gjykues me kryetar Valon Kurtaj dhe anëtarët Musa Konxheli dhe Valbona Musliu Selimaj.
Sa i përket të akuzuarit Ndeljeko Spasojeviq, gjykata fillimisht bëri rikualifikimin e veprës penale nga “Pjesëmarrje ose organizimi i grupit kriminal të organizuar” në veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” për të cilën vepër u shpall fajtor dhe u dënua me 4 vit e 6 muaj burgim.
I njëjti u shpall fajtor edhe për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll apo posedim të paautorizuar të armëve” për të cilën vepër u dënua me 4,500 euro gjobë.
I akuzuari Marko Roshiq, për veprën penale “Pjesëmarrje ose organizimi i grupit kriminal të organizuar” u shpall fajtor dhe u dënua me 8 vite burgim si dhe gjobë në shumë prej 10 mijë euro.
Ndërkaq, e akuzuara Silvana Arsoviq u lirua nga akuzat për veprat penale “Pjesëmarrje ose organizimi i grupit kriminal të organizuar” dhe “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Tutje, për veprën penale “Zbulimi i fshehtësisë zyrtare” , Dragisha Markoviq u lirua nga akuza kurse fajtor u shpall për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” për të çka u dënua me 4 vite burgim.
Sa i përket Zharko Jovanoviq, gjykata e shpalli fajtor për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll apo posedim të paautorizuar të armëve” për të cilën u dënua me gjobë prej 1,500 euro. Po ashtu i njëjti u shpall fajtor edhe për “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” e u dënua me 4 vite burgim.
Kujtojmë se për veprën e lartcekur Dragisha Markoviq dhe Zharko Jovanoviq akuzohet ta kenë kryer në bashkëkryerje.
Kurse për të akuzuarin Rade Basara gjykata nxori aktgjykim refuzues pas tërheqjes nga ndjekja penale nga Prokurori Burim Qerkini në seancën e fundit të shqyrtimit gjyqësor.
Sa i përket të akuzuarit Marko Roshiq gjykata bëri të ditur se i caktohet masa e paraburgimit deri në plotfuqishmëri të aktgjykimit.
Po ashtu gjykata shqiptoi edhe dënimin plotësues për marrjen e sendit sa i përket armëve dhe pajisjeve të tjera që i janë gjetur Marko Roshiq dhe Ndeljeko Spasojeviq.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, të ndryshuar më datë 10.11.2020, Nedelkjo Spasojeviq, Rade Basara, Silvana Arsoviq dhe Marko Roshiq akuzohen për veprat penale “Pjesëmarrje ose organizimi i grupit kriminal të organizuar” lidhur me veprat penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “Vrasje e rëndë”.
Për veprën penale “Zbulimi i fshehtësisë zyrtare” po akuzohet Dragisha Markovic, i cili po ashtu akuzohet se në bashkëkryerje me të pandehurin tjetër Zharko Jovanoviq ka kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Ndërsa ndaj Zharko Jovanoviqit dhe Nedelkjo Spasojeviqit rëndon edhe vepra penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të pa autorizuar të armëve”.
Për këtë rast, gjinden në arrati M.R., Z.V. dhe Zh.B, për të cilët prokuroria ka lëshuar urdhërarrest ndërkombëtar dhe të cilët dyshohet të kanë qenë udhëheqësit e këtij grupi kriminal.
Shënim: Të akuzuarit e përmendur në këtë postim konsiderohen të pafajshëm derisa të vërtetohet fajësia e tyre me aktgjykim të formës së prerë të gjykatës.
Monitoruar nga Aulona Alaj










