Projekt i realizuar nga:

Mbahet seanca e shqyrtimit gjyqësor në rastin Toka 2

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë është mbajtur seanca e shqyrtimit gjyqësor në çështjen penale ndaj të pandehurve Mehmet Prishtinës, Dukagjin Emërllahu, Nexharije Hoti dhe Avni Maxhuni. Ata akuzohen nga Prokuroria Speciale për ‘Krim të organizuar’, ‘Nxjerrja e kundërligjshme e vendimeve gjyqësore’,’ Keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar’, ‘Falsifikim i dokumentit zyrtar’ dhe  ‘Shpërlarja e parave’.

Në seancën e sotme u dëgjua si dëshmitar P.Ll, i cili njëherit ka deklaruar se është i dëmtuar në këtë rast.

Në dëgjimin e tij, në pyetjet e prokurores së rastit Merita Bina-Rugova, dëshmitari P.Ll lidhur me gjendjen juridike dhe reale të pronës deklaroi se është e uzurpuar dhe është shitblerë disa herë, për të cilën kanë tentuar ta ndërprejnë nëpërmjet misionit EULEX.

Njëkohësisht dëshmitari theksoi se parcela e tyre e pretenduar prej 3 hektarë e 15 ari në fillim të ngastrës kanë filluar disa ndërtime pavarësisht se ka ndalesë gjyqësore dhe se ato toka deri në vitin 2012 i kanë punuar dhe mbjellur si familje.

Dëshmitari në deklarimin e tij lidhur me rrjedhën e pronësisë së pronës deklaroi se toka ju është marrë në vitin 1953 sipas ligjit të atëhershëm mbi tokat tepricë dhe se është kthyer në vitin 1991 dhe ka qenë legjitime, ashtu si edhe shqiptarët i kanë kthyer tokat, ngastra është ndarë në 1/5 aq sa kanë qenë bashkëpronar në atë kohë.

I akuzuari Dukagjin Emërllahu parashtroi pyetje drejtuar dëshmitarit mbi ekspertizën e dokumenteve të dorëzuara nga dëshmitari në gjykatë në procedurën civile, ekspertizë e realizuar në Gjermani, mbi të cilën theksohet se dokumentet janë të përpiluara pas luftës në Kosovë, pretendime të cilat dëshmitari i mohoi, duke theksuar se ato i përkasin viteve të 90-ta.

Seanca e shqyrtimit gjyqësor do të vazhdon edhe nesër, nga ora 09:00, ku do të dëgjohet dëshmitari tjetër Z.Ll.

Mehmet Prishtina, Dukagjin Emerllahu e Nexharije Hoti e Avni Maxhuni, akuzohen për veprën penale “krim i organizuar”. Ata akuzohen se nga fillimi i vitit 2009 e deri në tetor të vitit 2014, në territorin e Kosovës, më qëllim të përfitimit të dobisë pasurore, kanë kryer krime të rënda si pjesë e një grupi kriminal të strukturuar.

Prokuroria pretendon se Mehmet Prishtina ka qenë organizator, mbikëqyrës dhe menaxher i aktiviteteve të grupit kriminal të organizuar të përbërë nga Prishtina, Nexharije Hoti dhe Avni Maxhuni. Hoti e Maxhuni, sipas prokurorisë, dyshohet se i kanë menaxhuar aktivitetet kriminale të këtij grupi duke u dhënë udhëzime pjesëtarëve tjerë të këtij grupi.

Ata akuzohen edhe për veprën penale “falsifikimi i dokumenteve zyrtare”, “shpërlarja e parave në vazhdimësi”, ndërsa bashkë me Emërllahun akuzohen edhe për veprat penale “ndihma në kryerjen e veprës penale të nxjerrjes së kundërligjshme të vendimeve gjyqësore të paligjshme”, “ndihma në kryerjen e veprës penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare”,  “grabitja” dhe “shpërlarja e parave në vazhdimësi”

.

Hoti akuzohet për krim të organizuar të ndërlidhur me veprat penale të nxjerrjes së kundërligjshme të vendimeve gjyqësore dhe shpërdorimit të detyrës zyrtare në vazhdimësi.

Nexharije Hoti akuzohet se si gjyqtare e Gjykatës Komunale të Prishtinës, e caktuar në çështjen civile nr.724/2009, për të drejtat pronësore mbi ngastrat shoqërore, ka gjykuar lëndën në dobi të Dukagjin Emërllahut, i cili ka bashkëpunuar me Mehmet Prishtinën dhe me dashje që t’i shkaktojë dëm buxhetit të Republikës së Kosovës, ka nxjerrë vendim të paligjshëm me të cilin ka aprovuar padinë e Emërllahut për të drejtat pronësore të mbi 45 ngastrave me një sipërfaqe prej 36.45 hektarë, që kanë qenë në posedim të të paditurave KBI “Kosova Export”, dhe zyra rajonale e Asgjësisë Kosovare të Privatizimit.

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Monitoruar nga Leotrim Pajaziti

Facebook
Pinterest
LinkedIn
Twitter