Projekt i realizuar nga:

Mbahet shqyrtimi gjyqësor në rastin e njohur si ‘Veteranët’

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamentin për Krime të Rënda, është mbajtur seanca e shqyrtimit gjyqësor në rastin e njohur si Veteranët, ku Agim Çeku së bashku me Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaha, Shkumbin Demaliaj, Çelë Gashi, Shukri Buja, Rrustem Berisha, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj, Xhavit Jashari dhe Ahmet Daku, akuzohen se në bashkëkryerje kanë Keqpërdorur pozitën zyrtare.

Fillimisht, kryetari i trupit gjykues, gjyqtari Gazmend Bahtiri, theksoi se në seancën e sotme, do të bëhet administrimi i provave materiale.

Prokurori Special, Valdet Gashi theksoi se, në seancat e kaluara Prokuroria ka bërë propozimet e provave materiale me pretendime si në aktakuzë, dhe rrjedhimisht duke pasur parasysh ekonomizimin e procedurës ai shtoi se Prokuroria mbetet në tërësi pranë propozimeve të bëra nga seancat e kaluara.

Tutje, lidhur me rekomandimin e Gjykatës së Apelit në vendimin i cili e ka kthyer rastin në rigjykim, Prokurori Special theksoi se, mbetet në diskrecion të trupit gjykues që të përcaktoj mënyrën e administrimit të atyre provave duke shtuar se ato të jenë në harmoni me rekomandimet e dhëna në vendimin e shkallës së dytë.

Sa i përket kësaj cështje, në vlerësimin e trupit gjykues u theksua se duhet të shkohet me procedurën e njejtë si tek dëgjimi i dëshmitarëve duke zgjedhur disa nga aplikacionet dhe të njejtat të elaborohen sipas rekomandimit të Gjykatës së Apelit.

Tutje, Prokurori Special theksoi se, sipas rekomandimit të Gjykatës së Apelit, duhet të administrohen të gjitha aplikacionet, ai shtoi se Prokuroria është e gatshme të bëjë administrimin në mënyrë sic edhe është propozuar nga vendimi i shkallës së dytë.

Prokurori Special, theksoi se, me qenë se është kërkesë e trupit gjykues që të administrohen vetëm një pjesë e aplikacioneve si prova për arsyet të cilat u cekën më herët, Prokuroria është e gatshme që të administrohoj përafërsishtë deri në 60 aplikacioneve, të cilat i përkasin fakteve të cilat janë paraqitur në aktakuzë.

Mbrojtësi i të akuzuarit Agim Ceku, av. Ramë Gashi theksoi se, sa i përket provave të propozuara nga ana e Prokurorisë Speciale, mbrojtja mban të njejtin mendim si në Gjykimin e parë. Kurse, lidhur me administrimin e provave përkatësishtë listës deri në 60 aplikacione, shtoi se e kundërshton këtë propozim, duke shtuar se për mbrojtjen kjo formë nuk është e bazuar që të vërtetohet gjendja faktike.

Mbrojtësi i të akuzuarit Nuredin Lushtaku, av. Tahir Rrecaj, lidhur me propozimin e Prokurorisë Speciale, nuk e kundërshtoi modelin por mendon se numri 60 është i panevojshëm. Po ashtu edhe av. Eset Berisha, mbrojtës i të akuzuarit Sadik Halitjaha theksoi se nëse trupi gjykues vendos që të administrohen vetëm disa nga këto aplikacione, i njejti shtoi duke i propozuar Gjykatës që të administroj vetëm nga 2 ose 3 aplikacione.

Av. Artan Cerkini, mbrojtës i të akuzuarit Rrustem Berisha, theksoi se kundërshtimet e tij sa i përket administrimit të provave kanë të bëjnë me pranueshmëri dhe relevancë të tyre. Duke shtuar se, provat janë marrë në mënyrë të jashëligjshme, ndërsa sa i përket administrimit të aplikacioneve, nuk është relevante të administrohen me arsyen se anëtarët e komisionit nuk kanë shqyrtuar asnjë aplikacion të vetëm.

Prokurori Special, Valdet Gashi, në raport me kundërshtimet, rreth ligjshmërisë së provave theksoi se, të gjitha këto prova iu janë nënshtruar vërtetimit të ligjshmërisë dhe referuar vendimit të shkallës së dytë, asnjë provë nuk është konsideruar si e kundërligjshme.

Kryetari i trupit gjykues, gjyqtari Gazmend Bahtiri, theksoi se me qëllim të vërtetimit të gjendjes faktike, Gjykata morri aktvendim duke i dhënë mundësinë Prokurorisë Speciale, të listoj të gjitha aplikacionet pra, në total 19.500 aplikacione do të administrohen në shqyrtimet e radhës.

Seanca e radhës u caktua të mbahet me datë: 25 Shtator 2024 nga ora 09:30.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë-Departamenti i Krimeve të Rënda, me 16 prill 2021, kishte shpallur aktgjykim lirues në rastin “Veteranët”, por, Gjykata e Apelit – Departamenti Special, më 21 mars 2022, kishte aprovuar si të bazuar ankesën e PSRK-së ndërsa kishte anuluar aktgjykimin e themelores, duke vendosur që lënda të kthehet në rigjykim dhe vendosje.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, të datës 13 shtator 2018, e përmirësuar më datë 7 dhjetor 2018, Agim Çeku së bashku me Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaha, Shkumbin Demaliaj, Çelë Gashi, Shukri Buja, Rrustem Berisha, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj, Xhavit Jashari dhe Ahmet Daku, gjatë intervalit kohor nga data 28.10.2011 e deri me datë 30.01.2017 në Prishtinë, në objektin e Qeverisë së Republikës së Kosovës, akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale ‘Keqpërdorimi i detyrës apo autoritetit zyrtar’.

Të njëjtit në cilësinë e anëtarëve të Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Dëshmorit të Kombit, Invalidit, Veteranit, Pjesëtarit dhe të Internuarit të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kanë bërë njohjen e statusit të Veteranit Luftëtar, personave të cilët nuk i kanë takuar kësaj kategorie.

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Monitoruar nga: Arton Hoxha

Facebook
Pinterest
LinkedIn
Twitter