Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ka dështuar të mbahet seanca ndaj të akuzuarve Lorik Jashari, Kadri Mustafa dhe Naman Pacolli, të cilët nga Prokuroria Speciale akuzohen si grup i organizuar kriminal për ‘Shmangie tatimore’, ‘Shpërlarje parash’, si dhe ‘Keqpërdorim i autorizimeve ekonomike’.
Gjyqtari i rastit Valon Kurtaj konstatoi pamundësinë për vazhdimin e seancës si shkak i mospajisjes së mbrojtësve me precizimin e aktakuzës, i bërë nga prokuroria dhe i dorëzuar në gjykatë dhe i pranuar me dorëshkrim në seancë të datës 12 gusht 2014. Meqenëse mbrojtja në seancë potencoi se nuk kanë njohuri për precizim, poashtu edhe të akuzuarit nuk janë të njoftuar fare për këtë precizim, gjyqtari kërkoi që të ju jepet kohë të konsultohen me precizimin e aktit akuzues, të përgatiten dhe të vazhohet me seancën e radhës gjyqësore.
Gjykata për shkak të këtyre rrethanave nuk mundi të vazhdoj më tej me mbajtjen e seancës dhe të njëjtën e shtyu për datat 13 dhe 17 shtator 2024, nga ora 09:00, duke anuluar kështu edhe seancën e datës 3 korrik 2024.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, të pandehurit Lorik Jashari, Kadri Mustafa, Xh. M. dhe M. G., të cilët kanë ndërruar jetë, akuzohen për kryerjen e veprës penale të krimit të organizuar.
Sipas prokurorisë, gjatë vitit 2007-2011 Lorik Jashari si kryesues i grupit të organizuar kriminal iu ka ndihmuar në regjistrimin e bizneseve “Flaka Com” në emër të Kadri Mustafës. Kurse për Xh. M., ishte regjistruar biznesi me emër “Loni Com”, ndërsa M. G. ka regjistruar biznes me emrin “Yllka Com”. Sipas Prokurorisë regjistrimi i këtyre bizneseve ishte bërë më qëllim që të merren me aktivitete kriminale duke përpiluar faktura fiktive gjoja se është bërë shitja- blerja e mallrave konkrete, duke e dëmtuar sipas prokurorisë buxhetin e shtetit në dëm prej 198,707.17 mijë euro.
Gjithnjë sipas prokurorisë i pandehuri Lorik Jashari i ka kontaktuar personat e tjerë të akuzuar, duke qenë se ka aftësi të kontabilitetit dhe i ka udhëzuar personat si të hapet biznesi, si të veprohet në biznes, duke u treguar në detaje me aktivitetet kriminale.
Jashari sipas prokurorisë thuhet se pasi që janë udhëzuar tashmë të akuzuarit e tjerë për regjistrimin e bizneseve, ju ka siguruar shitës-blerës fiktiv. Tutje kishte përgatitur 42 faktura fiktive personalisht në vlerë prej mbi 360 mijë euro.
Me këto veprime të akuzuarit janë ngarkuar me veprën penale të krimit të organizuar. Kurse për Jasharin edhe për shmangie nga tatimi dhe për keqpërdorim të autorizimeve ekonomike.
Tutje aktakuza thotë se Jashari si pronar i kompanisë “Lori” në vitin 2008 e ndërron emrin e kompanisë në atë të “Lorlan” SH.P.K.. Kështu i njëjti gjithnjë sipas prokurorisë pranon para nga të hyrat e bizneseve fiktive “ Flaka Co” dhe kompania “Cini Comerce” dhe deponimet kesh në vlerë prej mbi 600 mijë euro, të hyrat nga shitblerja e banesave në vlerë prej mbi 300 mijë.
Prokuroria thekson se Lorik Jashari ka bërë shpëlarje të parave të fituara si më lartë duke e ndërtuar një objekt banesor shumëkatësh në vlerë prej afërsisht gjysmë milioni euro.
Pikë tjetër e akuzës për shmangie tatimi e ngarkon të akuzuarin Kadri Mustafa i cili si pronar i kompanisë “ Flaka Com” e ka dëmtuar buxhetin e shtetit në vlerë prej afërsisht 5 mijë euro duke mos deklaruar të ardhurat dhe fitimin e saktë të kompanisë.
I akuzuari tjetër Naman Pacolli akuzohet për veprën penale të keqpërdorimit të autorizimeve ekonomike.
Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.
Monitoruar nga Leotrim Pajaziti