|

Search
Close this search box.

Projekt i realizuar nga:

drejtesiasot.com justice today drejtesia sot rolpik.org website logo

Dëgjohet një dëshmitar në rastin e njohur si “Toka 2”

Në Departamentin Special të Gjykatës së Prishtinës ka vazhduar gjykimi për rastin e njohur si “Toka 2” ku akuzohen Mehmet Prishtina, Dukagjin Emërllahu, Nexharije Hoti dhe Avni Maxhuni për veprat penale ‘Krim të organizuar’, ‘Nxjerrja e kundërligjshme e vendimeve gjyqësore’,’ Keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar’, ‘Falsifikim i dokumentit zyrtar’ dhe  ‘Shpërlarja e parave’.

Në seancën e datës 2 korrik u vazhdua me dëgjimin e dëshmitarëve Z.Ll, i cili fillimisht u përgjigj në pyetjet e Prokurores nga Prokuroria Speciale, Merita Bina Rugova, e më pas edhe në pyetjet e mbrojtjes.

Gjatë dëshmisë së tij, dëshmitari rrëfeu lidhu me një parcelë toke, e cila pretendon të jetë e familjes së tij, duke theksuar se e njëjta i është marr në vitin 1953 duke u bazuar në ligjin përkatës për teprica të tokave e i është kthyer më pas në vitin 1992 nga Komisioni për Kthimin e Tokave. Sipas dëshmitarit për këtë pronë ekziston fleta poseduese e cila është e ndarë në pesë pjesë.

Dëshmitari po ashtu deklaroi se jashtë këtij procesi gjyqësor nuk e njeh asnjërin nga të akuzuarit në këtë procedurë.

 Në këtë shqyrtim gjyqësor kanë mbetur pa u dëgjuar vetëm edhe dy dëshmitarë, S.A dhe P.Ll. Sa i përket dëshmitares S.A gjykata bëri të ditur se nuk e ka adresën e njohur dhe nuk i dihet vendndodhja. Ndërkaq dëshmitarja P.Ll, sipas gjykatës, është në gjendje të rëndë shëndetësore. Andaj Prokurorja Bina – Rugova propozoi për shkak të rrethanave të lartcekura që vështirësojnë sigurimin e prezencës së tyre në gjykim, dëshmitë e tyre të lexohen. Propozim ky, i kundërshtuar nga ana e mbrojtës.

Kështu, pas këshillimit dhe votimit, trupi gjykues mori aktvendim me të cilin për dëshmitaren S.A vendosi të i drejtohet policisë me qëllim që eventualisht të sigurohet prezenca e saj kurse për dëshmitaren P.Ll të merret një konstatim mjekësor për të parë se a është gjendje të dëshmojë, e më pas të procedohet varësisht nga përgjigjet.

Rasti po trajtohet nga trupi gjykues me kryetarin Vesel Ismaili dhe anëtarët Valon Kurtaj dhe Rrahman Beqiri.

Seanca e radhës pritet të mbahet me datë 2 Shtator në orën 9:30.

Mehmet Prishtina, Dukagjin Emerllahu e Nexharije Hoti e Avni Maxhuni, akuzohen për veprën penale “krim i organizuar”. Ata akuzohen se nga fillimi i vitit 2009 e deri në tetor të vitit 2014, në territorin e Kosovës, më qëllim të përfitimit të dobisë pasurore, kanë kryer krime të rënda si pjesë e një grupi kriminal të strukturuar.

Prokuroria pretendon se Mehmet Prishtina ka qenë organizator, mbikëqyrës dhe menaxher i aktiviteteve të grupit kriminal të organizuar të përbërë nga Prishtina, Nexharije Hoti dhe Avni Maxhuni. Hoti e Maxhuni, sipas prokurorisë, dyshohet se i kanë menaxhuar aktivitetet kriminale të këtij grupi duke u dhënë udhëzime pjesëtarëve tjerë të këtij grupi.

Ata akuzohen edhe për veprën penale “falsifikimi i dokumenteve zyrtare”, “shpërlarja e parave në vazhdimësi”, ndërsa bashkë me Emërllahun akuzohen edhe për veprat penale “ndihma në kryerjen e veprës penale të nxjerrjes së kundërligjshme të vendimeve gjyqësore të paligjshme”, “ndihma në kryerjen e veprës penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare”,  “grabitja” dhe “shpërlarja e parave në vazhdimësi” Hoti akuzohet për krim të organizuar të ndërlidhur me veprat penale të nxjerrjes së kundërligjshme të vendimeve gjyqësore dhe shpërdorimit të detyrës zyrtare në vazhdimësi.

Nexharije Hoti akuzohet se si gjyqtare e Gjykatës Komunale të Prishtinës, e caktuar në çështjen civile nr.724/2009, për të drejtat pronësore mbi ngastrat shoqërore, ka gjykuar lëndën në dobi të Dukagjin Emërllahut, i cili ka bashkëpunuar me Mehmet Prishtinën dhe me dashje që t’i shkaktojë dëm buxhetit të Republikës së Kosovës, ka nxjerrë vendim të paligjshëm me të cilin ka aprovuar padinë e Emërllahut për të drejtat pronësore të mbi 45 ngastrave me një sipërfaqe prej 36.45 hektarë, që kanë qenë në posedim të të paditurave KBI “Kosova Export”, dhe zyra rajonale e Asgjësisë Kosovare të Privatizimit.

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Monitoruar nga Aulona Alaj

Facebook
Pinterest
LinkedIn
Twitter