Pejë- Në Gjykatën Themelore në Pejë, departamenti për krime të rënda, është dëgjuar Kryetari i Odës së Noterëve, noteri Shpend Haskaj në shqyrtimin gjyqësor ndaj noterit Bashkim Stavileci i cili po akuzohet për veprën penale Keqpërdorim i detyrës zyrtare.
Gjatë deklarimit të tij kryetari i Odës, Shpend Haskaj ka thënë se, dokumentet nga Republika e Serbisë si çdo dokument i shtetit tjetër njihet, mjafton të jetë forma e duhur e noterizuar me vulë pranohet, pra është reciprocitet faktik që nënkupton pranimin e dokumenteve noteriale me shtetin tjetër. Tutje ai ka thënë se, në çdo rast klientët informohen që autorizimet e tyre të jenë të vertetuara dhe verifikuara në mënyrë ligjore, pranohen si të tilla të ligjshme dhe të vërteta edhe pse në secilin akt noterial i tërhiqet vërejtja, pra, në shiqim pranohen, nëse është një dokument i vërtetuar nga organi kompetent.
Tutje të njëjtit i është dhënë në shiqim dokumentacioni i trashëgimisë, ku pas shiqimit ka thënë se, personalisht nuk ka pas ndonjë rast të zhvillimit të procedurës së trashëgimisë bazuar në dëshmi vdekje nga Republik e Serbisë duke shtuar se, nëse pyetet se a është i kompletuar dokumentacioni për zhvillim të procedurës së trashëgimisë përgjigja do të ishte po, dokumenti verifikohet në shiqimi, përmbajtja a është në rregull, a janë të kompletuara në përmbajtje. Gjithashtu shtoi se, kur është autorizimi bartës mjafton, pasi që autorizimet burimore mbesin tek noteri i cili ka lëshuar autorizimin, por edhe ato autorizime janë të mirseardhura. Dhe në fund shtoi se, nëse noteri ka ndonjë dilemë mundet me kërku ndonjë sqarim shtesë apo ndihmë nga ndonjë autoritet i cili e ka lëshu aktin konkret.
E më pas është vazhduar me fjalën përfundimtare ku prokurorja e shtetit Valbona Disha Haxhosaj të njëjtën e dorzoi me shkrim duke shtuar se, ka ndryshuar përshkrimin faktik të aktit akuzues dhe mbetet në tërsi pranë fjalës përfundimtare të dorëzuar, kështu që i porpozoi gjykatës që të akuzuarin ta shpall fajtor, ta dënoi sipas ligjit si dhe ta obligojë në kompenzimin e shpenzimeve të procedurës penale, po ashtu me rastin e marrjes së vendimit si rrethanë lehtësuese ta vlersojë se i akuzuari nuk ka qenë i denuar më parë, si dhe si rrethanë rënduese dashjen e tij të lart për të kryer veprën penale për të cilën akuzohet.
Ndësa fjalën e tyre përfundimtare nuk e kanë dhënë palët tjera pasi që prokuroria ka ndryshuar përshkrimin faktik dhe iu nevojitet kohë, kështu që është caktuar seanca e radhës për vazhdimin e fjalës përfundimtare.
Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur më 19 shtator 2023 nga Prokuroria Themelore në Pejë, Bashkim Stavileci, ngarkohet se në cilësinë e personit zyrtar gjatë ushtrimit të detyrës së noterit në zyrën e tij në Pejë, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për vete dhe për personin tjetër-shitësin Musa Kuqi, kishte vepruar në kundërshtim me Ligjin mbi Noterinë. Ai kishte mundësuar përpilimin e kontratës për shitblerjen e patundshëmrisë në mes të shitësve M.R.D, M.Z.D, M.V.D dhe M.V.T, të cilët i ka përfaqësuar M.K, në bazë të autorizimit bartës të vërtetuar nga noterja Nina Stiglicnë në Beograd, në njërën anë e në tjetrën dhe blerësit- të dëmtuarit L.B, F.H dhe S.I në anën tjetër, duke i’a shitur pronën për shumën prej 90 mijë euro.
Ku sipas aktakuzës, i akuzuari Stavileci edhe pse ka pasur për detyrë, nuk e ka konstatuar se autorizimi bartës, nuk është në emër të M.T, siç është cekur në atë, por në emër të M.D dhe bazuar në këtë fakt, M.K nuk ka pasur autorizim nga ana e M.T për shitjen e patundshmërisë e as për realizimin e trashëgimisë dhe përkundër kësaj i pandehuri Bashkim e përpilon dhe e noterizon kontratën e cekur, për shitblerjen e patundshmërisë edhe pse në rastin e noterizimit të kontratës autorizimi bartës ka qenë në emër të M.D, e jo në emër të M.T siç e kishte cekur i akuzuari në kontratën e shitblerjes dhe me këtë veprim i ka shkaktuar dëme të dëmtuarit-blerësit L.B në shumë prej 90 mijë euro.
Me këtë, thuhet se ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës po autoritetit zyrtar” nga neni 414, par.2 të Kodit Penal.
Shënim: Të akuzuarit e përmendur në këtë postim konsiderohen të pafajshëm derisa të vërtetohet fajësia e tyre me aktgjykim të formës së prerë të gjykatës.
Monitoruar nga Elvana Hatashi










