Projekt i realizuar nga:

Ka dhënë mbrojtjen e tij i akuzuari për korrupsion

Në Gjykatën Themelore në Pejë- Departamenti për Krime të Rënda ka vazhduar të mbahet seanca ndaj zyrtarëve komunal të komunës së Deçanit, Ramë Melaj si Drejtor i Urbanizmit dhe Mbrojtjes së Mjedisit, Halil Tolaj si Drejtor i Drejtorisë së Inspektoratit dhe Jashar Hulaj si Shef i Sektorit për Inspekcion që të tre të akuzuar për korrupsion.

Pas administrimit të provave, është vazhduar me mbrojtjen e të akuzuarve.

Mbrojtjen e tij e ka filluar i akuzuari Ramë Melaj, i cili ndër të tjera ka deklaruar se, sipas detyrës së tij zyrtare është i obliguar që çdo vendim që del nga kuvendi komunal dhe detyrat që i ipen nga kryetari i komunës t’i zbatoj, ku edhe në vendimin e asamblesë komunale në një pikë të saj thuhet se obligohet Drejtoria e Urbanizmit të lëshoj leje ndërtimi për ndërtimin e këtij objekti dhe shton se, si drejtori fare nuk kanë favorizuar shoqatën ‘’Shkelzen Haradinaj’’ për ndonjë përfitim, të gjiha këto kanë shkuar sipas kërkesës që ka ardhur në drejtori. Ai ka theksuar se, leja mjedisore nuk nënkupton që të ndërtohet, por i paraprijnë edhe dokumente të tjera, si dhe pëlqimi nuk është leje ndërtimore, nuk është akt që ka ndonjë ndikim juridik, sepse sipas ligjit të ndërtimit nuk lejohet të fillohet ndonjë aktivitet ndërtimor pa u pajisur me leje ndërtimore.

Tutje, Melaj gjatë mbrojtjes së tij ka thënë se, statuti i komunës i obligon në zbatimin e vendimeve të asamblesë komunale dhe se si drejtor nuk ka kompetencë që të refuzoj organin me të lart komunal, ligjvënës, dhe sipas tij nuk është detyra e tij që të merret me ligjshmërinë e vendimeve komunale.

Sa i përket subjektit ‘’Lika Trade’’ i akuzuari Melaj ka sqaruar se,  Drejtoria e Urbanizmit për të lëshuar një leje bazohet në ligjet e ndërtimit dhe planet e komunës lidhur me lejen e ndërtimit të kompanisë ‘’Lika Trade’’, pajisur me leje, DU-ja e ka pranuar kërkesën me dokumentacione e nevojshme, kopjen e planit, çertifikatën e pronësisë, marrëveshjen ‘’Lika Trade me Komunën e Deçanit’’, për marrjen e pronës komunale për 99 vite në shfrytëzim, me marrjen e këtyre dokumentacioneve i njëjti si drejtor ka autorizuar zyrtarin përgjegjës për të vazhduar procedurat për t’u pajisur me kushte ndërtimore si fazë e parë, pasi që është kryer hapi i parë është aplikuar për leje ndërtimi, dhe janë zbatuar të gjitha kriteret që duhet për t’u pajisur me leje ndërtimit.  

Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Pejë, të datës 18 korrik 2022, i pandehuri Ramë Melaj në cilësinë e drejtorit të Drejtorisë së Urbanizmit, ngarkohet për 4 dispozitiv për veprën penale  ‘’Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’’ nga neni 414 par.2 lidhur me par.1 të KPRK-së.

Ndërsa sa i përket të akuzuarve Jashar Hulaj dhe Halil Tolaj, duke vepruar në bashkëkryerje , i  pandehuri Halil si drejtor i Drejtorisë së Inspektoratit, K. Deçan, ndërsa i pandehuri Jashar si Shef i Sektorit për Inspekcion pranë kësaj drejtorie, ngarkohen për veprën penale “Keqperdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 414 par. 2 lidhur me par. 1, nenin 31 dhe 77 të KPRK-së.

Shënim: Të akuzuarit e përmendur në këtë postim konsiderohen të pafajshëm derisa të vërtetohet fajësia e tyre me aktgjykim të formës së prerë të gjykatës.

Monitoruar nga Elvana Hatashi

Facebook
Pinterest
LinkedIn
Twitter