Në Departamentin e Krimeve të Rënda të Gjykatës së Prishtinës është mbajtur shqyrtimi gjyqësor ndaj të akuzuarve Egzon Zariqi dhe Rexhep Morina të cilët akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare si dhe punime të kundërligjshme ndërtimore lidhur me ndërtimin e një kulle në fshatin Marec të Komunës së Prishtinës. Ky rast po trajtohet nga trupi gjykues me kryetar Avni Syla dhe anëtarët Donikë Shala – Abdyli dhe Sulltane Hoti.
Në seancën e datës 8 korrik fillimisht u thanë fjalët hyrëse e më pas u vazhdua me dëgjimin e dëshmitares A.Q të ftuar nga Prokuroria.
Në fjalën e tij hyrëse Prokurori Kujtim Munishi tha se gjykata duhet të ia falë besimin provave të propozuara në aktakuzë e se gjatë shqyrtimit gjyqësor do të provohet se të pandehurit kanë kryer veprat penale për të cilat Prokuroria po i akuzon.
Në anën e mbrojtjes fjalën hyre e dha avokatja Besiana Ismaili e cila në këtë procedurë penale mbron të akuzuarin Egzon Zariqi. E njëjta theksoi se mbrojtja i kundërshton pretendimet e akuzave të ngritura nga Prokuroria e që këto akuza, sipas saj, janë ngritur pa u bazuar në asnjë provë të vetme. Avokatja Ismaili shtoi se i mbrojturi i saj nuk ka ndërmarrë asnjë veprim të kundërligshëm dhe të gjitha veprimet e tij kanë qenë në përputhje me ligjet në fuqi.
Tutje fjalën hyrëse e dha avokati Bekim Kafexholli, mbrojtës i të akuzuarit Rexhep Morina, i cili potencoi se i mbrojturi i tij nuk ka qenë asnjëherë menagjer i projektit për kontratën që është objekti i shqyrtimit gjyqësor e rrjedhimisht nuk ka pasur përgjegjësi lidhur me këtë projekt. Bazuar në këtë, avokati deklaroi se konsideron se Prokuroria gjatë shqyrtimit gjyqësor do të duhej të heqte dorë nga ndjekja penale.
Gjykimi më pas vazhdoi me rrëfimet e dëshmitares A.Q e cila kishte mbajtur pozitën e menagjeres së projektit për ndërtimin e kullës “Basri Canolli – Shpendi” në kuadër të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Gjatë dëshmisë së saj, dëshmitarja tha se gjatë mandatit të saj ka ngritur çështje të ndryshme për shkak të mangësive e punëve të ekzekutuara jo siç duhet, mirëpo nuk ka pranuar përgjigje. E njëjta po ashtu deklaroi se kur është bërë shkëputja e kontratës për projektin në fjalë, në takimin formal, prezent kanë qenë vetëm dy të akuzuarit, Rexhep Morina si përfaqësues i operatorit ekonomik “Area” dhe Egzon Zariqi si zëvëndës drejtor i prokurimit.
Seanca e radhës lidhur me këtë rast pritet të mbahet me datë 26 shtator në orën 9:30 ku do të vazhdohet marrja në pyetje e të njëjtës dëshmitare.
Aktakuza ngarkon të pandehurin Egzon Zariqi me veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” ndërsa i pandehuri Rexhep Morina për veprën “Punimet e kundërligjshme ndërtimore.” Sipas kësaj aktakuze i pandehuri Zariqi ka shfrytëzuar pozitën e tij zyrtare si drejtor i prokurimit në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit duke tejkaluar kompetencat e tij me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore e duke i shkaktuar dëm buxhetit të shtetit. Aktakuza thotë se i njëjti, me datë 8 korrik të vitit 2022, ka shkëputur kontratën e lidhur me operatorin ekonimik “PR AREA SH.P.K” për ndërtimin e kullës “Basri Canoll – Shpendi” në fshatin Marec, e kjo edhe pse ka qenë i informuar se ministria në fjalë ka kryer pagesat në emër të këtij operatori ekonomik. Mirëpo, sipas aktit akuzues, punimet kanë qenë të standardeve të ulëta jo profesionale e për këtë arsyje operatori në fjalë në mënyrë të njëanshme ka ndërpre punimet, ku më pas i pandehuri Zariqi në mënyrë të kundërligjshme është thirrur në kontratë për ta shkëputur të njejtën.
Ndërkaq, sa i përket të akuzuarit Rexhep Morina, aktakuza thotë se në periudhën kohore nga muaji korrik e deri në tetor të vitit 2020, si menagjer i këtij operatorit ekonomik, ka vepruar në kundërshtim me standarded profesionale dhe kushtet e parapara në kontratë sa i përket punimeve në kullën “Basri Canolli – Shpendi”.
Shënim: Të akuzuarit e përmendur në këtë postim konsiderohen të pafajshëm derisa të vërtetohet fajësia e tyre me aktgjykim të formës së prerë të gjykatës.
Monitoruar nga: Aulona Alaj