Në Gjykatën Themelore në Pejë, Departamenti për Krime të Rënda, është shpallur fajtor i akuzuari Dibran Fetahu për veprën penale përvetësimi në detyrë.
Shpallja e aktgjykimit është bërë të hënën nga kryetari i trupit gjykues, Shaqë Curri, raporton ‘’Drejtësia Sot’’.
I akuzuari Dibran Fetahu u dënua me 3 vite burgim në të cilin dënim do t’i llogaritet koha e kaluar në paraburgim dhe arrest shtëpiak, dënim me gjobë në shumë prej 1000€, si dhe dënimi plotësues, ndalimi i ushtrimit të funksionit në administratë publike në afat prej 2 vitesh.
Si dhe është urdhëruar që Postës së Kosovës t’i paguaj dënim prej 71.875,52€, në afat prej 3 muaj pasi që aktgjykimi të bëhet i plotëfuqishëm.
I njëjti u obligua edhe për shpenzimet procedurale.
Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Mitrovicë e datës 29.12.2015, i akuzuari Dibran Fetahu në cilësinë e arkatarit ndihmës në ndërtesën e PTK-së, përvetson pasurinë që iu është besuar sipas detyrës, në atë mënyrë që, në arkën ndihmëse në mënyrë të vazhdueshme shitjet ditore të kartelave nuk i ka deklaruar në tërësi gjegjësisht përmes librit të shitjes ka bërë nëndeklarimin e shitjes, me ç’rast ka përvetsuar shumën prej 71.875,52€,
Me çka ka kryer veprën penale ‘’Përvetësimi në detyrë’’ nga neni 425 par.3 e lidhur me par.1 të KRPK-së.
Shënim: Të akuzuarit e përmendur në këtë postim konsiderohen të pafajshëm derisa të vërtetohet fajësia e tyre me aktgjykim të formës së prerë të gjykatës.
Monitoruar nga Elvana Hatashi










