Në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamentin Special, me trup gjykues, kryetar i trupit gjykues, Vesel Ismaili dhe anëtarët Lutfi Shala dhe Violeta Namani, është mbajtur seanca e shqyrtimit gjyqësor ndaj të akuzuarve Dhurata Hoxha, Fitim Mustafa, Ekrem Tahiri dhe Gëzim Dushi ish-zyrtarë të MIE, për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Fillimisht, kryetari i trupit gjykues, gjyqtari Vesel Ismaili theksoi se seanca do të vazhdoi me dëgjimin e ekspertit i cili kishte mbetur duke u dëgjuar në seancën e fundit.
Në vazhdim të dëgjimit të ekspertit, nga pytjet e Prokurorës Speciale, Ilirjana Collaku, eksperti financiar theksoi se, në raportin e ekspertizës ka konstatuar se pagesa i është bërë OE, për shërbimet e kryera duke u bazuar edhe në faturat e Ministrisë përkatëse, të cilat kanë përshkruar edhe punët të cilat i ka kryer. Tutje, lidhur me kontratën e nënshkruar dhe konstatimin e tij në kontratë, dhe lidhur me konstatimin e ekspertit në ekspertizë, eksperti theksoi se nuk ishte pjesë që të bëhet elaborimi në tërësi por në pika të caktuara. Kurse, sa i përket autorizimit të kryerjes së ekspertizës, se eksperti ishte caktuar nga av. Driton Muharremi, por fillimisht, kishte kundërshtim lidhur me këtë pytje dhe pastaj nga trupi gjykues nuk u lejua një pytje e tillë.
Në fund, Prokurorja Speciale, theksoi se mbetet në tërësi, pranë përgjigjës së dhënë lidhur me marrjen e provave të reja, dhe sa i përket ekspertizës në fjalë, Prokuroria ka konstatuar se pranimi i ekspertizës financiare nga ana e mbrojtjes nuk është e argumentuar ligjërishtë, si dhe konstatimet nuk mund të akceptohen dhe nuk i shërben ndriqimit të kësaj cështje, duke theksuar se nuk ka pytje tjera për ekspertin financiar. Eksperti financiar në fund të elaborimit theksoi se të gjitha të dhënat të cilat i ka paraqitur në ekspertizë shtoi se janë të bazuara në fakte dhe në bazë të dokumenteve të cilat i ka pasur në dispozicion.
Kryetari i trupit gjykues, gjyqtari Vesel ismaili, theksoi se pasi palët nuk kanë propozime për prova të reja, rrjedhimisht, seanca do të vazhdoi me paraqitjen e mbrojtjes së të akuzuarve. Nw vazhdim, avokat Arbër Jashari, theksoi se me qenë se nuk ishin të përgaditur dhe procesi ka kaluar në një fazë tjetër dhe mbrojtja ka nevojë për konsulta shtesë me të mbrojturit e tyre si dhe kolegët tjerë avokatë, nga trupi gjykues i njejti kërkoi shtyrjen e seancës.
Propozim të njejtë duke përkrahur këtë propozim kishte edhe av, Florent Latifaj duke kërkuar nga trupi gjykues shtyrjen e kësaj seance. Po ashtu, edhe av. Agnes Fura i cili në këtë seancë po merr pjesë si zëvendësim për av. Driton Muharremi, theksoi duke kërkuar nga trupi gjykues shtyrjen e seancës pasi nuk i ka të njohura të gjitha rrethanat e kësaj cështje, gjithashtu edhe av. Redon Byqmeti, theksoi se e mbeshtet propozimin për shtyrjen e seancës pasi i njejti është zëvendësim në këtë seancë, dhe i mbrojturi i tij është për të shtyer seancën.
Prokurori Special, theksoi se me qenë se është e drejtë e të pandehurve të kenë mbrojtje efektive, Prokuroria nuk e kundërshton një propozim të tillë. Kryetari i trupit gjykues theksoi se, Gjykata e aprovon këtë propozim, dhe rrjedhimisht shqyrtimi gjyqësor ndërprehet, duke theksuar se seancat e radhës do të mbahen me datë: 09 dhe 10 Shtator nga ora 09:30.
Kujtojmë se sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, ish ministrja Hoxha po akuzohet se ka nënshkruar kontratën me operatorin ekonomik “Pr Solution”, e cila kishte për qëllim të informonte qytetarët për procesin e liberalizimit të vizave dhe marrëveshjen e stabilizim- asocimit, ndërsa e akuzuara Hoxha këtë e ka shfrytëzuar që të bëj promovimin e fushatës së saj zgjedhore si deputete në zgjedhjet parlamentare të tetorit të vitit 2019 dhe se promovimi ishte realizuar duke publikuar banerët dhe videot të cilat lidheshin me fushatën zgjedhore të të akuzuarës Hoxha, e që ishte në kundërshtim me kushtet e kësaj kontrate. Ish Ministrja Hoxha akuzohet se me këto veprime ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Tutje, i pandehuri Fitim Mustafa, po akuzohet se si zyrtar në Prokurorim të Ministrisë së Integrimeve Evropiane, ka keqpërdorur detyrën zyrtare, duke vendosur kritere shtesë ndaj Operatorëve Ekonomik, në mënyrë që të shpërbëhej Operatori Ekonomik “PR Solution”.
Ndërsa i akuzuari Ekrem Tahiri akuzohet se në cilësinë e bashkëpronarit të operatorit ekonomik “PR Solution” nuk kishte kryer punët e kontraktuara sipas kontratës, mirëpo i njëjti kishte kryer shërbime të cilat nuk ishin në pajtim me kushtet e kontratës dhe se me këtë ka kryer veprën penale të ndihmës në kryerjen e veprës penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Në fund i akuzuari Gëzim Dushi akuzohet se në cilësinë e zyrtarit për komunikim dhe informim në MIE, duke qenë menaxher i kontratës “Shërbime të informimit publik për nevojat e MIE-së”, me dashje nuk kishte zbatuar dispozitat ligjore për menaxhimin e drejtë të kësaj kontrate.
I akuzuari Gëzim Dushi akuzohet se me këto veprime ka kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Shënim: Të akuzuarit e përmendur në këtë postim konsiderohen të pafajshëm derisa tëvërtetohet fajësia e tyre me aktgjykim të formës së prerë të gjykatës.
Monitoruar nga: Arton Hoxha










