Pejë- Në Gjykatën Themelore në Pejë, departamenti për krime të rënda, është dhënë fjala përfundimtare në rastin ku po akuzohet noteri Bashkim Stavileci për veprën penale Keqpërdorim i detyrës zyrtare.
Prokurorja e shtetit Valbona Disha-Haxhosaj fjala përfundimtare e ka dhënë në seancën e kaluar por ka shtuar duke i propozuar gjykatës që dëshmisë së dëshmitarit Shpend Haskaj të mos i fal besimin përshkak se ai nuk është ekspert i kësaj çështje e po ashtu i njëjti në pyetjet e prokurorisë dhe gjykatës vazhdimisht është shprehur ‘’sipas mendimit tim, sipas mendimit tim’’, andaj prokurorja e rastit ka konsideruar se dëshmia e tij nuk është bazuar mbi Ligjin për Noterinë e as në punën praktike reale. Po ashtu i ka propozuar gjykatës që aktvendimi i trashëgimisë dhe të gjitha veprimet tjera të ndërmarra nga noteri Bashkim Stavileci të anulohen.
Më pas fjalën e tyre përfundimtare e dhanë edhe mbrojtësit e palëve të dëmtuara ku edhe mbështetën fjalën përfundimtare të prokurores duke shtuar se, në emër të të dëmtuarit kanë kërkuar që i akuzuari të shpallet fajtor të dënohet sipas ligjit, dhe që gjykata të akuzuarin të obligoj në pagesën e dëmit në lartësi prej 90 mijë euro.
Mbrojtësi i të akuzuarit Bashkim Stavileci, av. Bujar Bërdynaj fjalën e tij përfundimtare e dorzoi me shkrim duke shtuar që, dëshmisë së dëshmitarit Shpend Haskaj gjykata t’i fal besimin përshkak se në këtë çështje konsiderohet që është njëri adekuat dhe i ka propozuar gjykatës që të mbrojturin e tij ta liroj nga akuza sepse sipas tij nuk ka prova që argumentojnë që i njëjti ka shkelur Ligjin mbi Noterinë.
Dhe në fund i akuzuari Bashkim Stavileci tha se, në rastin e përpilimit të kësaj lënde vërtetë nuk ka pas asnjë interes, apo motiv e asnjë qëllim që të favorizoj apo dëmtoj ndonjëren nga palët kontraktuese. Kontratën për shitblerjen e paluajshmërisë e ka përpiluar në bazë të dokumenteve që kanë arritur në zyrën e tij noteriale dhe në tërsi i është përmbajtur rregullave ligjore të përpunimit noterial të dokumenteve, ai në fund të fjalës së tij përfundimtare tha se është plotësisht i pafajshëm dhe i ka propozuar gjykatës që ta liroj.
Shpallja e aktgjykimit do të bëhet me datë 18.07.2024.
Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur më 19 shtator 2023 nga Prokuroria Themelore në Pejë, Bashkim Stavileci, ngarkohet se në cilësinë e personit zyrtar gjatë ushtrimit të detyrës së noterit në zyrën e tij në Pejë, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për vete dhe për personin tjetër-shitësin Musa Kuqi, kishte vepruar në kundërshtim me Ligjin mbi Noterinë. Ai kishte mundësuar përpilimin e kontratës për shitblerjen e patundshëmrisë në mes të shitësve M.R.D, M.Z.D, M.V.D dhe M.V.T, të cilët i ka përfaqësuar M.K, në bazë të autorizimit bartës të vërtetuar nga noterja Nina Stiglicnë në Beograd, në njërën anë e në tjetrën dhe blerësit- të dëmtuarit L.B, F.H dhe S.I në anën tjetër, duke i’a shitur pronën për shumën prej 90 mijë euro.
Ku sipas aktakuzës, i akuzuari Stavileci edhe pse ka pasur për detyrë, nuk e ka konstatuar se autorizimi bartës, nuk është në emër të M.T, siç është cekur në atë, por në emër të M.D dhe bazuar në këtë fakt, M.K nuk ka pasur autorizim nga ana e M.T për shitjen e patundshmërisë e as për realizimin e trashëgimisë dhe përkundër kësaj i pandehuri Bashkim e përpilon dhe e noterizon kontratën e cekur, për shitblerjen e patundshmërisë edhe pse në rastin e noterizimit të kontratës autorizimi bartës ka qenë në emër të M.D, e jo në emër të M.T siç e kishte cekur i akuzuari në kontratën e shitblerjes dhe me këtë veprim i ka shkaktuar dëme të dëmtuarit-blerësit L.B në shumë prej 90 mijë euro.
Me këtë, thuhet se ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës po autoritetit zyrtar” nga neni 414, par.2 të Kodit Penal.
Shënim: Të akuzuarit e përmendur në këtë postim konsiderohen të pafajshëm derisa të vërtetohet fajësia e tyre me aktgjykim të formës së prerë të gjykatës.
Monitoruar nga Elvana Hatashi