Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, është mbajtur seanca e shqyrtimit gjyqësor në rastin ndaj të akuzuarit Sadik Tahiraj, i cili akuzohet se ka tejkaluar kompetencat e tij në rastin e renovimit të kulmit të Shkollës Fillore të Mesme të Ulët “Rilindja” në Dobroshevc.
Shqyrtimi gjyqësor në këtë rast filloi rishtazi, për shkak të ndryshimit në trupin gjykues, ku gjyqtari Agim Kuçi është zëvendësuar me gjyqtarin Adnan Kamberi, meqë rast veprimet në shqyrtimet e kaluara u konstatuan si të lexuara.
Tutje, i akuzuari si në shqyrtimin tjetër u deklarua i pafajshëm për akuzat e Prokurorisë Themelore ndaj tij.
Në vazhdim të seancës u dëgjua dëshmitari R.H, ish-drejtor i shkollës fillore në fshatin Dobroshec, shkollë e cila është objekt i aktakuzës, përkatësisht ndërrimi i kulmit të kësaj shkolle në vitin 2016.
Në dëgjimin e dëshmitarit, në pyetjet e prokurores Dulina Hamiti, dëshmitari deklaroi se në janar të vitit 2016 erërat e forta kanë rrëzuar kulmin e shkollës, i cili ishte ndërtuar vite më parë nga një organizatë e huaj. I njëjti theksoi se ka lajmëruar DKA-në, të cilët kanë dalur në vend të ngjarjes dhe kanë intervenuar në kohë.
Lidhur me zhvillimin e procedurës së prokurimit për renovimin e kulmit të shkollës, dëshmitari deklaroi se nuk ka njohuri, po ashtu edhe për përbërjen e komisionit lidhur me dhënien e këtij tenderi për rregullimin e kulmit.
Dëshmitari mohoi që ka qenë pjesë e komisionit për pranim të materialeve që kanë ardhur në shkollë, dhe se nuk ka nënshkruar asgjë, edhe pse i është drejtuar fituesi i tenderit për nënshkrim të dokumentacionit për përfundim të punimeve, por i njëjti ka refuzuar të nënshkruajë.
Se a ka paraqitur kërkesë me shkrim në DKA paraprakisht për rregullimin e kulmit, dëshmitari deklaroi se ka lajmëruar me telefon drejtorin e athershëm të DKA-së, Sadik Tahiraj.
Ndërsa për shkak të kohës nuk u arrit dëgjimi i dëshmitarit tjetër I.H, andaj i njëjti do të dëgjohet në seancën e radhës me datë 22 korrik, në ora 09:00.
Sipas aktakuzës së ngritur më 29 gusht 2018, Sadik Tahiraj në cilësinë e personit zyrtar, derisa ishte në pozitën e drejtorit të Drejtorisë Komunale të Arsimit në Drenas, ka shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar duke i tejkaluar kompetencat e tij.
Në aktakuzë thuhet se këtë e ka bërë me qëllim të përfitimit të çfarëdo dobie për vete ose për organizatën e biznesit “A&I Group” SH.P.K dhe “Al Trade” SH.P.K.
Sipas aktakuzës, që nga fillimi deri në përfundim të projekteve kapitale, ndërtimi i depos për dru dhe thëngjill në Shkollën Fillore të Mesme të Ulët “Rasim Kiçina” në Drenas dhe renovimi i kulmit të Shkollës Fillore të Mesme të Ulët “Rilindja” në Dobroshevc, janë kryer pa respektuar asnjë procedurë të prokurimit.
Sipas aktit akuzues, për projektin për ndërtimin e depos për dru dhe thëngjill në Shkollën Fillore të Mesme të Ulët “Rasim Kiçina” në Drenas, që “ Al Trade” SH.P.K. e ka furnizuar gjatë vitit 2015 me material ndërtimor është kryer pa respektuar asnjë procedurë të prokurimit, në bazë të Memorandumit të Mirëkuptimit lidhur mes të pandehurit dhe firmës së lartcekur.
Aktakuza thotë se renovimi i kulmit të Shkollës Fillore të Mesme të Ulët “Rilindja” në Dobroshevc , ku “A&I Group SH.P.K i ka kryer punimet gjatë vitit 2016, është bërë pa u respektuar asnjë procedurë e prokurimit në marrëveshje gojore me të pandehurin.
Shënim: Të akuzuarit e përmendur në këtë postim konsiderohen të pafajshëm derisa të vërtetohet fajësia e tyre me aktgjykim të formës së prerë të gjykatës.
Monitoruar nga: Leotrim Pajaziti










